Foto: Ilustrim

Arrestohet në Podujevë i dyshuari për grabitjen në Fushë-Kosovë

A.H., 31-vjeç, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga Policia si i dyshuar për grabitje.

Policia e rajonit të Prishtinës sot ka kryer një operacion të gjerë i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për grabitje.

Ngjarja kishte ndodhur më 26 tetor 2020, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë-Kosovë, me ç’ rast nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për t’i deponuar në bankë.

Operacioni i  bastisjes është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Shtedim të Podujevës me ç’ rast Policia ka arritur të arrestojë një të dyshuar, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin Policia ka sekuestruar edhe një automjet të llojit  Pick-Up, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritanishëm dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje.

Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar më tej.