Vali Corleone | Foto: Facebook

Apeli e lë në paraburgim Vali Corleonen

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit Vali Corleone.

Kjo gjykatë e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës në Gjilan, të datës gjashtëmbëdhjetë prill, sipas të cilit i pandehuri duhet të qëndroj nën këtë masë deri më trembëdhjetë maj.

Corleone po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer dy vepra penale: “Mbajtja  në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”  dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Gjykata e Apelit, vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj tij, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprat penale, për të cilën po dyshohet.

Po ashtu gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme frikën se me gjetjen në liri, ai  mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale, duke ndikuar në prova ose dëshmitarë, ose edhe ta përsërisë atë. Gjykata konstatoj se aplikimi i ndonjë mase tjetër më të butë, në këtë fazë nuk është i përshtatshëm.