Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anëtari i AAK-së në KQZ: Besoj se do të marrim pjesë në zgjedhjet në veri

Është mbajtur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Gjatë mbledhjes u diskutua mundësia që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të marrë pjesë në zgjedhje si dhe në anën tjetër do të ketë zëvendësime të kandidatëve nga partitë politike.

Pas mbledhjes, KALLXO.com ka marrë përgjigje nga Ibrahim Selmonaj që është anëtar i AAK-së në KQZ, i cili tha se beson që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

“Subjekti politik AAK besoj që do të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të komunave, por edhe kuvendeve komunale”- tha ai.

Në këtë mbledhje u përmend edhe afati i shtyrë për aplikim në certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme i cili do të përfundojë më 22 mars.

Një çështje tjetër që u theksua ishte rishpallja e konkursit për Zyrtarë të Lartë Komunal të zgjedhjeve në veri dhe shpallja e konkursit të ri për Zyrtar të Lartë për Financa, sipas KQZ-së kjo ka ndodhur sepse nuk ka pasur aplikant të mjaftueshëm.

Në kuadër të mbledhjes është miratuar korniza afat mesëm për vitin 2024-2026.

Disa probleme që u diskutuan kishin të bëjnë me lokacionet e mbajtjes së zgjedhjeve, automjetet e vjetra që përdoren dhe procedurat e rekrutimit të zyrtarëve.

Sipas KQZ-së, sa i përket zyrave sekretariatit do të përdoren aktualet  por në rast të ndonjë situate të papërshtatshme treguan se kanë gjetur lokacione të tjera alternative.

Sa i përket procedurave të rekrutimit të zyrtarëve u shprehën pakënaqësi sepse sipas tyre ka raste kur ka shkelje ligjore.

Kreshnik Radoniqi kryetar i KQZ-së, potencoi se nëse ekzistojnë raste të tilla atëherë është e nevojshme të merren masa.

“Nëse ka shkelje në procedurat e rekrutimit duhet me ndërhy dhe ma marr masa kjo nuk duhet të ndodhë në këtë rast sekretariati nuk ka përparësi me vepru si të dojë vetë”- tha Radoniqi.

Ky diskutim erdhi si rrjedhojë e një rasti që përmendi anëtari i KQS-së Rifat Krasniqi.

“Një zyrtar i lartë i KKZ Mamushës pa qenë i atij vendi mban postin e zyrtarit, si kanë mundur të bëjnë atë gabim është gabim i madh”- iu drejtua ai anëtarëve të tjerë.

Por lidhur më këtë rast Arianit Elshani anëtar i KQZ tha se duhet të mos konstatohet me komente por me fakte.

“Kudo të konstatohet që ka parregullsi duhet mos me komentu por me sjellë dëshmi dhe atë duhet të adresohen tek Këshilli i Personelit”- u shpreh Elshani.

Ai tutje shtoi në diskutim sigurinë e zyrtarëve të lartë komunal gjatë procesit të zgjedhjeve.

“Hapësirat e zyrtarëve të lartë komunal që në të kaluarën janë sulmuar duke e ditë që nevojitet siguri për ata kanë për të kryer detyrat në kuadër të zgjedhjeve”- pohoi Elshani.

Ndërsa për ai potencoi se formularët për aplikim të votuesve jashtë vendit nuk kanë pasur ndryshime përmbajtjesore.

Sipas anëtarit të KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshit duhet të bëhet një llogaritje që të mos ketë implikime buxhetore në qendrat e votimit.

“Janë qendrat komunale të votimit që mund të kenë implikime buxhetore, qendrat komunale të votimit edhe për votimet jashtë vendit duhet me iu bë një llogaritje”-tha Kurteshi.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, procesi i përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme është në proces.

“Publikimi i rregullave të Këshillit Zgjedhor të Zgjedhjeve, plani strategjik gatë kësaj jave do të dal, sekretariati do ta mbyll raportin vjetor të punës së KQZ-së kjo është në proces e sipër, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme jemi në proces e sipër”- theksoi Ahmetaj.

Po ashtu ai konfirmoi se kanë një plan edhe përdorimin e zyrave alternative.

“Në lidhje me zyrat e sekretariatit ka një plan për përdorimin e zyrave alternative, kemi identifikuar disa lokacione të cilat mund të jenë të përshtatshme nëse ka vështirësi në zyrat aktuale. Kemi pasur takime koordinuese me organet e sigurisë”- tha Ahmetaj.

Këshilli për Personel do të mblidhet nesër me datë 22 mars, ku edhe do të mbyllet aplikimi në certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Leposaviq ka kandidate Albulena Behluli-Hetemin për Zubin Potok kandidat është Izmir Zeqiri, për Zveçan Ilir Peci ndërsa për Mitrovicë të Veriut Taulant Kelmendi.

Lëvizja Vetëvendosje në Leposaviq ka kandidat Lulzim Hetemin, për Zubin Potok ka kandidat Flatron Hasanin, për Zveçan Fetah Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq.

“Partija Kosovski Srba” për garën në Leposaviq ka kandidat Aleksandar Jablanoviq.

Ndërsa kandidate e pavarur për komunën e Zveçanit është Sladjana Pantoviq.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, deri më tash dihet se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës do të mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Lista Serbe edhe atëherë refuzoi të marrë pjesë në procesin zgjedhor.