Aktakuzë ndaj të dyshuarit për tentim-zjarrvënie ndaj veturës së gazetarit në Mitrovicë

Prokuroria e Mitrovicës ka ndritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.J.

I dyshuari, sipas prokurorisë, ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”, pasi me dashje ka tentuar t’i vë flakën veturës së të dëmtuarit, gazetarit Sh.K.

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se i pandehuri, më 13 qershor 2020, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar t’i vë flakën veturës së të dëmtuarit Sh.K.

I pandehuri E.J., duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e kishte mbushur një shishe të plastikës me benzinë, e kishte stërpikë veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës, dhe me një letër të ndezur kishte tentuar t’ia vë flakën veturës.

Ndërsa me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë ik nga vendi i ngjarjes, duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij.

Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.