Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akademia e Shkencave sugjeron shfrytëzimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike

Akademikët kosovarë sugjerojnë se Kosova duhet të shfrytëzojë kapacitetet dhe rezervat e mëdha të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

E për këtë ata sugjerojnë se qeveria duhet të marrë vendim për ndërtimin e një Termocentrali me dy njësi-blloqe, secila me kapacitete 300- 350 MW. Sipas tyre, shfrytëzimi i qymyrit për prodhimin e energjisë do të krijon stabilitet energjetik.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka prezantuar, sot raportin, “Raporti për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovës”, përmes së cilit evidentohen kapacitetet dhe mundësitë që ka Kosova për prodhimin e energjisë elektrike.

Paraqitja publike e këtij raporti është bërë gjatë një organizmi të bërë në ASHAK, me ç’rast akademikët kosovarë e kanë vlerësuar raportin si një prej studimeve më të mira shkencore të kësaj akademie.

Ky raport brenda tij ka të dhëna të gjithanshme lidhur me kapacitetet, mundësitë për prodhimin e energjisë elektrike, trajtimin e energjisë me qymyr, energjinë e ripërtritshme, etj. Po ashtu në këtë raport jepen edhe ide rreth hartimit të strategjive për energjinë dhe koogjenerimin.

Myzafere Limani, anëtare korrespodente e ASHAK-ut ka thënë gjatë fjalës së saj se raporti i ASHAK-ut sugjeron ndërtimin e një Termocentrali me dy njësi – blloqe, secila prej tyre të kishte 300 deri 350 MW.

“Ky TC do të ishte funksional dhe do të krijonte stabilizim energjetik. Nderimin e këtij TC me dy blloqe e kemi propozuar në dy etapa. Blloku i parë të ndërtohen deri në 2025, ndërsa i dyti nga 2025 deri 2030”, ka thënë akademikja Limani.

Limani ka thënë se duhet shfrytëzuar edhe burimet tjera të për prodhimin e energjisë.

Edhe akademik Nexhat Daci ka potencuar se Kosova duhet të shfrytëzojë burimet e mëdha më qymyrit për prodhimin e energjisë eklektike.

“Qymyri ka edhe të metat e veta në mjedisin jetësor, pasi ka substanca- izotope të rrezikshme, por punët që sot kryhen në Termocentrale, ku po punohen në vazhdimësi, izotopet e tilla nuk lejohet të dalin në hapësirë dhe të shkojnë në atmosferë dhe në ujëra”, ka thënë ai.

Ndërkaq, akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK duke folur për raportin ka potencuar se ky studim u jep përgjigje shumë pyetjeve që sot ngriten kur është në pyetje çështja e energjisë në vend dhe strategjinë energjetike të Kosovës për të ardhmen.

Kurse, akademik Fejzullah Krasniqi ka prezantuar të dhënat të cilat përmbledhin gjendje energjetike në vend që nga pas lufta.