Afër 6 vjet burg për shtetasin e Serbisë për planifikim të sulmeve ndaj serbëve, për fajësimin e shqiptarëve

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 5 vjet e 8 muaj burgim shtetasin serb, Srba Antiq

Antiq nga Prokuroria Speciale akuzohet për tri vepra penale dhe atë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, mashtrim dhe armëmbajtjet pa leje.

Pas përfundimit të gjykimit, sot ndaj tij është shpallur vendimi përfundimtar me çka ai është dënuar me burg dhe me gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, për veprën e parë “Shtytje për kryerjen e veprave penale të terrorizmit “ Antiq është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Fillimisht Antiq ishte akuzuar për përgatitje të veprave terroriste ose veprave kundër sigurisë së Republikës së Kosovës, mirëpo me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjyqtari Konxheli ka njoftuar se trupi gjykues ka ri kualifikuar këtë vepër në shtytje për kryerjen e veprave terroriste, për çka i akuzuari Antiq u dënua si me lartë.

Me 3 vjet burgim dhe 2,000 euro gjobë është dënuar për mashtrim ndërsa për armëmbajtje pa leje me 8 muaj burgim.

Nga dënimet e lartcekura dënim unik të akuzuarit i llogariten 5 vjet e 8 muaj burgim.

Ai është obliguar që të paguajë në emër të shpenzimeve procedurale paushall prej 150 euro, ndërsa në emër të Fondit të Viktimave të Krimit shumën në vlerë prej 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Kurse të dëmtuarve është obliguar t’ua kthejë shumat e caktuara në dispozitiv të akuzës, të cilat nuk janë kthyer deri në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Gjykatësi Konxheli ka bërë të ditur se të akuzuarit i konfiskohen edhe gjësendet e sekuestruara.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit është vazhduar, pasi i njëjti është dënuar me më shumë se 5 vjet burgim.

Prokuroria Speciale në akuzën e saj ka përshkruar në detaje veprimet e të pandehurit, të cilat kishin filluar me dërgimin e gjësendeve nga posta e Serbisë në Veri të Mitrovicës të dëmtuarve, me anë të se cilave kishte bërë thirrje për bartjen e armëve në depo të ndryshme në Mitrovicë.

Sipas prokurorisë i akuzuari Srba Antiq nga Posta e Serbisë nr.1 në pjesën veriore të Mitrovicës, ia ka dërguar një pako të dëmtuarit Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, Komuna e Istogut.

Në atë pako gjendeshin një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” 7.65 mm, me një karikator me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit “tramdalol”, pesë pako me ampula të llojit “trodon”, 18 pako me tableta “bensedin” dhe një pamflet të formatit “A4”, me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobofilaqke Vojske Kosova i Metohije”.

Përmes kësaj pamflete siç thuhet në akuzë i pandehuri bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serb Momir Radenkoviq, Begolub Portiq, Sasha Portiq, Millosh Nedelkoviq, Millan Pavlloviq, Dragana Pantiq etj, që të bartin armë nga depo të ndryshme në Mitrovicë, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Kurse në pikën e dytë të aktakuzës, Srba Antiq akuzohet për mashtrim.

Në akuzë theksohet se nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serb dhe u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet.

I akuzuari Antiq paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash, si të dëmtuarit Radomir Repanoviq shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit Srgjan Radenkoviq shumën prej 2000 euro, Momir Radenkoviq 5000 euro dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre, por për shkak të shumave të larta nuk kanë pasur mundësi t’ia japin.

Kurse pika e tret thotë se i pandehuri Antiq në korrik 2018 kishte mbajtur në pronësi dhe posedim armë në mënyre të paautorizuar, dhe atë pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, 7.65 mm.

Këtë armë me një karikator e kishte dërguar përmes postës së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, e ka futur në një pako dhe e ka dërguar në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e ka lajmëruar në polici, e cila më pas është konfiskuar.