Droni i ngritur nga Ballist Morina në Beograd | Foto nga : LSA

6 vjet nga droni i lëshuar në Beograd

Ishte nisur si ndeshje futbolli, në të cilën Serbia dhe Shqipëria takoheshin për herë të parë, por një ndodhi aty kah fundi i pjesës së parë bëri që loja në fushë të kalojë në plan të dytë dhe vëmendja e opinionit të përqendrohej krejt diku tjetër.

Sot u bënë gjashtë vjet që në stadiumin e Beogradit u lëshua droni që bartte një pamflet me një hartë të trojeve të banuara me shqiptarë dhe anash hartës me figurat e Ismail Qemalit e Isa Boletinit.

Ndeshja luhej në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit 2016 që do të mbahej në Francë.

Por ndeshjen që kishte  filluar me tensione e ndërpreu shfaqja e një droni që valonte një flamur me hartën e trojeve etnike shqiptare dhe me dy figura historike si Ismail Qemali e Isa Boletini.

Droni me gjithë flamurin ranë në mesfushën e stadiumit të Partizanit në mes të kryeqytetit serb, Beograd.

Kaq mjaftoi që situata të eskalojë në sulme fizike e fyerje ndaj lojtareve të Kombëtares së Shqipërisë.

Ndeshja u ndërpre në rezultatin 0:0, ndërsa për fatin e saj vendosi Komisioni Disiplinor i UEFA-s i cili fillimisht fitoren ia dhuroi Serbisë me rezultat 3:0 por një panel apeli e përmbysi këtë vendim duke ia dhënë fitoren Shqipërisë e cila në fund të garave u kualifikua në kampionat evropian për herë të parë në histori.

Ideatori dhe personi që telekomandoi dronin ishte Isamil Morina i njohur me nofkën ‘Ballisti’.

Ballist Morina, ishte arrestuar në Dubrovnik të Kroacisë pas urdhër arrestit të lëshuar nga Serbia.