
Parkingu Nentokesor
Kur do të përfundojë parkingu nëntokësor në Prishtinë? Flasin nga kompania
Në vjeshtën e vonë të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës njoftoj se kanë filluar punimet për ndërtimin e projektit të “Parkingun Nëntokësor tek Fakultetit Filologjik në Prishtinë”.
Sipas të dhënave, ky parking pritet të ketë kapacitet deri në 700 vende për vetura.
Ndërsa, kostoja e punëve për këtë projekt pritet të shkojë nga 12 deri në 15 milionë euro.
Gazmend Haxholli nga Kompania ‘Parking Center’ që po kryen punimet, tha për KALLXO.com se deri në fund të këtij viti pritet të përfundojnë punët kryesore.
Sipas tij, ka pas pak ndryshime në planin dinamik pasi vetëm para tre muajve kanë marr qasje të plotë në vend punishte, kjo si rezultat vonesës në largim të shtëpizave dhe banorëve në atë zonë.
“Punimet janë duke u zhvilluar konform planit dinamik sipas zhvillimeve dhe progresit gjithëpërfshirës në terren nga fillimi deri më sot dhe konform planit të punës në Kontratë. Këtë vit do të përfundojnë punët kryesore në parking”, tha Haxholli.
Sipas tij, për shkak të vonesave për t’i larguar shtëpizat e banorëve, ka pasur vonesa në kryerjen e punëve.
“Ndryshime në plan dinamik si rezultat i vonesave të largimit të shtëpizave dhe banorëve tek para pak muajsh, pra qasje të plotë në tërë vend punishten kemi marr vetëm para 3 muajsh. Të tjerat janë ndryshime të vogla dhe projekti në tërësi nuk ka ndryshime nga projekti bazë”, tha mes tjerash Hoxholli për KALLXO.com.
Sipas tij edhe temperaturat e larta gjatë verës po u paraqesin probleme, pasi që po aplikohet puna me orare të shkurtuara.
“Temperaturat paraqesin problem për ekipin e angazhuar, duhet angazhuar personel shtesë dhe aplikohen orare te shkurtuara, shëndeti dhe siguria mbeten prioritet. Gjithashtu ndonjëherë reshjet e rrëmbyeshme momentale krijojnë vështirësi dhe gjithsesi lokacioni i ndjeshëm i punishtes duke përfshirë trafikun rrugor, lëvizjen e makinerive, pastrimin në hyrje dalje”, u shpreh tutje Haxholli.
Ai tregoi se në këtë zonë ende nuk kanë nisur të punojnë kompanitë e tjera si KEDS, Ujësjellësi, Posta.
Kryetari i Komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se hapja e parkingut do të bëhet në fund të vitit 2021.
“Me kontratë punimet janë për 18 muaj, por mendoj se do jemi më aktivë dhe do e përfundojmë më shpejtë, nëse nuk na shfaqen probleme tjera. Në fund të vitit të ardhshëm do bëhet hapja, pas zgjedhjeve e bëjmë hapjen e parkingut, mos të mendojnë se po bëhemi gati për ndonjë fushatë”, kishte thënë Shpend Ahmeti në tetor të vitit të kaluar.
Sa i përket hapësirës publike mbi parking që përfshinë 13 mijë e 990 metër katrorë, pritet të ketë: Hapësirë për pushim, hapësirë komerciale, lojë dhe rekreacion, hapësirë për këmbësorë dhe biçikleta, hapësirë edukative dhe për aktivitete kulturore, dhe mbledhja e 150 trungjeve të reja.
Ndërsa, në hapësirën e parkingut nëntokësor me sipërfaqe 23 mijë e 651 metër katrorë pritet të ketë: 700 vend parkingje, prej tyre 600 standarde, 41 për makina elektrike, 33 për persona me nevoja të veçanta dhe 26 për motoçikleta po ashtu do ketë edhe hapësirë afariste.
Më poshtë gjeni disa pamje si pritet të duket parkingu dhe hapësira publike: