Ramiz Lladrovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur do të ndërtohet tramvaji në Drenas?

Projekti i ndërtimit të tramvajit është një nga temat që u pyet kryetari Ramiz Lladrovci në debatin “Jeta në Komunë”, përballë gazetares Jeta Xharra.

Ky projekt u përmend në janar të vitit 2019 nga takimi mes Lladrovcit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Lladrovci ka prezantuar disa ideja të itinerarit të tramvajit për të cilin thotë se ka nevojë për bashkëpunim edhe me komunat e tjera.

“Unë hajgare me asnjë send nuk kam bë deri sot. Tramvaji kemi thanë që bahet në 7-8 vjet, sepse tramvaji nuk bëhet për një ditë. Na kemi thanë që i kemi tri opsione e na duhet me bashkëpunu edhe me komunat tjera. Opsioni i parë është prej xhamisë së Llapit në Prishtinës nëpër qendër të Prishtinës, sheshin Ibrahim Rugova – Skenderbeu – Zahir Pajaziti – Dardani – Fushë Kosovë – Sllatinë – Aeroport. Prej Aeroporti me shku tani në park të Biznesit ose të stadiumi nacional”, u shpreh ai.

Lladrovci tha se për realizimin e projektit nevojitet fillimisht studimi i fizibilitetit. Ai tha se në fund të muajit nëntor do të zhvillojë takime lidhur me disa projekte përfshirë edhe tramvajin, për të cilin thotë se ka interesim që të jetësohet.

“Është projekti tjetër që mundet me u bë është prej stacioni hekurdhor të Prishtinës, Fushë Kosovë, Bellaqefc e me hy në aeroport e pastaj në park të biznesit. Dhe projekti tjetër është prej stacionit të Drenasit, në Komoran e në park të biznesit. Pa plan zhvillimor asnjë shtet nuk vjen me investu. Kam biseda për këtë çështje me Hungarinë, me 29 nëntor e kemi vizitën e sekretarit të shtetit ku do të takohen edhe ministrat dhe unë. Do të bisedojmë për liqenin e Verbocit, stadiumin, për impiantin e ujërave të zeza dhe për tramvaj. Për tramvaj ka shumë interesim, po sigurisht që do të bëhet fizibiliteti se nuk mund të behet ku nuk ka fitim”, u shpreh i pari i Drenasit.

KALLXO.com ka raportuar në janar planet e kryetarit Lladrovci për ndërtimin e tramvajit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në takim presidentin e Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, më të cilin diskutuan për ujëmbledhësin e fshatit Vërboc, për Stadiumin Nacional dhe tramvajin që pritet të fitoj financimin nga Hungaria.