Derdhja e kanalizimit në lum te kazerma e FSK-së në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Kur do të largohet era e kanalizimit në fshatrat e Gjilanit?

Kur Lutfi Haziri e kishte marrë mandatin si kryetar i Gjilanit në vitin 2013, ai kishte premtuar që gjatë mandatit të tij do të realizohet projekti për ujëra të zeza.

Por jemi gati në vitin 2020 dhe banorët në qendër të qytetit dhe në fshatrat e Gjilanit ende përballen me kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit.

Rreth 80% e Komunës së Gjilanit ka kanalizim, por që i njëjti derdhet në lumenj dhe përrocka.

Ankesa për derdhjen e ujërave të zeza në lumenj dhe kutërbimin e tyre kanë banorët e fshatrave Livoç i Poshtëm, Zhegër, Bresalc, Malishevë, Uglarë dhe të tjerë që jetojnë afër lumit Mirusha në Gjilan.

“Jo vetëm Zhegër, edhe Livoçi, edhe Bresalci, Malisheva, Uglari,… Malisheva, Uglari dhe Bresalci janë në gjendje të tmerrshme sepse shtrati i lumit Morava i çon krejt ujërat e zeza atje”, ka thënë Haziri.

Por kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se me miratimin e marrëveshjes financiare me Bankën Botërore, ky problem do të marrë fund.

“Nëse në tetor aprovohet marrëveshja financiare me Bankën Botërore në Kuvendin e Kosovës e që besoj që ka me u ratifiku se nuk ka arsye me u pengu menjëherë fillon implementimi i kolektorëve të ujërave të zeza. Kolektorët e ujërave të zeza është hapja e kanaleve dhe tretmani i ujërave të zeza nëpër fshatra dhe pjesën urbane të qytetit”, ka përfunduar Haziri.

Në muajin korrik, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas disa tentimeve “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan”.