Kundërshtimet e Komunave pasi qeveria planfinikon t`ua marr mjetet vetanake të pa-shpenzuara

Qeveria e Kosovës më 17 nëntor ka votuar në parim projektbuxhetin për vitin 2023 i cili parashihet të jetë 3.2 miliardë euro.

Mirëpo kryetarë të komunave po e kundërshtojnë paragrafin 6 të nenit 9 të këtij projektligji për buxhetin ku thuhet se ‘të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’.

Ndër të parët që reagoi lidhur me këtë pikë ishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas tij, të hyrat vetanake të Prishtinës i takojnë vetëm qytetarëve të Prishtinës e jo institucioneve të nivelit qendror e komunave tjera.

Rama tha se një veprim i tillë është kundërligjor dhe kundër kushtetues.

“Shpreh shqetësimin lidhur me tendencën e qeverisë për të ri destinuar mjetet financiare nga buxheti i kryeqyteti. E kundërshtojmë pjesën e paragrafit 6 të nenit 9 të projektligjit për buxhetin e vitit 2023 i cili përcakton se“ Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Sipas Përparim Ramës, miratimi i buxhetit në këtë formë (sipas leximit të parë) paraqet shkelje të Kushtetutës e cila specifikon se “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, mbledhin dhe shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga qeveria qendrore, në pajtim më ligjin”.

I pari i Prishtinës bëri të ditur se janë 38 milionë euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës, të cilat nuk mund të tjetërsohen dhe shpërndahen institucioneve dhe komunave tjera pasi i duhen qytetet për projekte.

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal parasheh që: “Për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi Komunal dhe zyrtarët kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm”.

Lidhur me këtë projektligj ka reaguar edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Në një deklarim për Kalllxo.com ai bëri të ditur se ky vendim i qeverisë është i padrejtë dhe bie ndesh me ligjin për menaxhim të financave publike dhe atë për menaxhim lokal.

“Vendimi i qeverisë që t’u merren komunave mjetet nga të hyrat vetanake është i padrejtë, antiligjor sepse bie ndesh me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe lokale. Shpresojmë që parlamenti do intervenojë në nenin 9 dhe në vitin e ardhshëm si gjithmonë, komunave të mos u merren këto të hyra, sepse me legjislacionin në fuqi kanë të drejtë ta bëjnë bartjen nga viti në vit”- ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, të hyrat vetanake janë të taksapaguesve të komunave dhe nuk ka të drejtë ligjore që ato të barten diku tjetër.

Ibrahimi shtoi se nëse  projekbuxheti aprovohet pa ndryshime edhe në leximin tjetër, kjo do jetë hera e parë që po tentohet të merren mjete vetanake të komunave nga niveli qendror.

“Ato të hyra janë paguar nga taksapagues të komunave përkatëse, nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të merren këto mjete dhe të transferohen diku tjetër, përndryshe do jetë diçka që ndodh për herë të parë në Kosovë ku niveli qendror t’i marr mjetet vetanake”- tha ai.

Lidhur me projektbuxhetin e vitit 2023 ka reaguar edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili ka thënë se e cenon autonominë financiare të komunave të Kosovës.

“Në këtë rast është cenuar diçka që komunave u jepet me ligj, që janë taksat që i marrin nga qytetarët”- shtoi ai.

Ramosaj tha se hapi i parë që e kanë ndërmarr si AAK është apeli që po i bëhet Kuvendit e Qeverisë, kurse ka paralajmëruar se nëse nuk respektohet kjo ftesë do të ndërmarrin hapa ligjor deri te adresimi në Gjykatën Kushtetuese.

Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.