Kontejnere te mbeturinave, ILUSTRIM

Kundërmimi nga kontejnerët në kryeqytet problem i vazhdueshëm

Gjatë sezonit veror rriten ankesat e qytetarëve lidhur me kundërmimin e hapësirave ku ndodhen kontejnerët e mbeturinave.

Kjo vjen edhe si shkak i rrjedhjes së tyre që shpesh shkaktohet edhe nga kamionët jo cilësor të kompanisë ‘Pastrimi’.

Nga drejtoria e shërbimeve publike në komunën e Prishtinës për KALLXO.com është thënë se, gjatë stinës së verës përpos largimit të mbeturinave kanë edhe planin për larjen dhe dezinfektimin e kontejnerëve dhe hapësirave përreth.

Sipas komunës, kjo gjë bëhet 5 ditë në javë.

“Në planin e menaxhimit të mbeturinave, për sezonin veror, përveç grumbullimit, largimit dhe transportimit të mbeturinave nga kompania ‘Pastrimi’, kemi caktuar edhe planin për larjen dhe dezinfektimin e kontejnerëve dhe hapësirave përreth tyre. Larja dhe dezinfektimi i kontejnerëve bëhet pesë ditë në javë, gjatë ndërrimit të natës, por edhe më shpesh sipas kërkesave dhe gjendjes në terren”, thuhet nga kjo drejtori.

Tutje nga kjo drejtori është potencuar se kanë bërë kërkesë që të ri funksionalizojnë kontejnerët nëntokësor.

“Ne si drejtori e kemi propozuar ri funksionalizimin e kontejnerëve nëntokësor dhe këtë propozim  e kemi proceduar në instancat përkatëse për procedure të mëtejme”, thuhet tutje nga komuna.

Kontejnerët nëntokësor nëpër Prishtinë janë vendosur para tetë viteve por kanë mbetur jashtë funksionit pasi kompania ‘Pastrimi’ nuk ka makineri me të cilat mund të nxjerrë mbeturinat prej tyre.

Sipas tyre, komunikimi me kompaninë ‘Pastrimi’ për mënyrën e mirëmbajtjes është në baza ditore.

“Komunikimi me Kompaninë ‘Pastrimi’ lidhur me mënyrën se si mblidhen mbeturinat është ditor, Po ashtu kemi edhe takime të përbashkëta lidhur me problemet, ankesat, të arriturat dhe propozime nga të dyja palët”, thuhet tutje nga drejtoria e shërbimeve publike.

Kontejnere te mbeturinave

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.