Kryetari i Prishtinës pritet të bëhet me veturë të re

Komuna e Prishtinës po planifikon të blejë një veturë elektrike për nevoja të kryetarit Përparim Rama.

Për këtë blerje përmes procedurës së Prokurimit, Komuna e Prishtinës ka ndarë 45 mijë euro.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, kabineti i kryetarit ka mungesë të mjetit motorik për transport dhe është nevojë emergjente për furnizim me autoveturë.

Në disa përgjigje të drejtorisë së Financave të Komunës së Prishtinës për KALLXO.com bëhet e ditur se vetura do blihet sipas standardeve që plotëson kriterin e sigurisë për një kryetar kryeqyteti apo komune.

Tutje, theksohet se aktualisht kabineti i kryetarit ka një makinë të trashëguar nga qeverisja e kaluar që është dhuratë nga UNMIKU.

“Për blerjen e veturës për kryetarin e Kryeqytetit janë ndarë 45,000 euro në vitin 2023. Vetura do të blihet sipas standardeve që plotësojnë kriterin e sigurisë për një kryetar të Kryeqytetit apo Komunës! Vetura që është trashëguar nga qeverisja e kaluar është dhuratë /donacion nga UNMIKU” – thuhet në përgjigjet e Komunës për KALLXO.com.

Në specifikat e dosjes së tenderit, komuna ka kërkuar që makina të ketë garancion për 3 vite dhe të ketë vit të prodhimit 2021/22.

Derisa, kërkohet që makina të ketë 5 ulëse, peshë 2,660 kg, bosht 2.771mm, kapacitet bagazhi 543 litër, shpejtësi maksimale 160km/h dhe kohë të mbushjes 07:30h.

Në të dhënat tjera të tenderit bëhet e ditur se operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme për furnizim në vlerë minimale prej 45,000,00 euro, në 3 vitet e fundit.

Ekzekutimi i këtij tenderi është duke u bërë përmes procedurës së hapur, derisa kriter për dhënie të kontratës është operatori ekonomik që ofron çmimin më të ulët.

Sipas të dhënave, afati i fundit për dorëzim të aplikacioneve/tenderëve është më 27 mars.

Në vitin 2013 gjatë fushatës zgjedhore ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti premtoi se do shiste makinën Audi Q7 që e kishte përdorur Isa Mustafa gjatë qeverisjes së tij.

Ahmeti atë kohë pati deklaruar se do udhëtonte me autobusë dhe nuk i nevojitej një makinë e tillë.

Përkundër këtij premtimi, makina kishte mbetur e pa shitur deri në vitin 2017 kur kjo makinë kishte dal në ankand.

Vetura ishte blerë 76 mijë euro derisa në ankand ishte shitur në vlerë rreth 23 mijë euro nga Shtëpia e Ankandeve ‘Kosova’.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2023 është 105 milionë euro.