Kryetari i Prishtinës dhe qytetarët nënshkruajnë kontratë sociale për kryeqytetin - Detaje

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe pjesëtarë nga shoqëria civile kanë nënshkruar zotim për kontratën sociale për kryeqytetin.

Agjenda e Kontratës Sociale është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive.

Objektivat e kësaj agjende janë të mbështesë bashkëpunimin e hapur mes zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve.

I pari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se me anë të kësaj kontrate sociale do marrin parasysh kërkesat e qytetarëve në çdo zonë, jashtë atyre që është zotuar në programin qeverisës.

“Ideja e kësaj kontrate është që përpos premtimeve që i kemi bërë, t’i marrim parasysh edhe elementet shtesë, në mënyrë që çdo vit të kemi një buxhet të dedikuar për ato marrëveshje që i lidhim direkt me qytetarët. Do marrim propozime dhe për një numër të tyre do ketë buxhet”- tha Rama.

Ai tutje theksoi se faza e parë veçse ka nisur ku përfshihen projekti për zhvillimin e shtigjeve të ecjes në Gërmi dhe Malësisë së Gollakut si dhe projekti tjetër fitues ai i përmirësimit të kushteve për kopshtin ‘Botanika’ në Matiqan.

Nga muaji shkurt 2023, komuna do nis dëgjimet publike sa i përket hartimit të shtigjeve të Gërmisë, si një prej projekteve që do përkrahen, lokacionet për shtigje përfshijnë edhe zonat Mat, Hajvali, Kodra e trimave (Vranjevc) dhe Mramor.

Përmes kësaj kontrate, komuna do bëjë disa zotime në koordinimn me qytetarët ku përfshihen objektivat si:

Përdorim më i madh i kanaleve digjitale të komunikimit

Për këtë objektiv, zyrtarët e kryeqytetit do përdorin më mirë platformat e mediave sociale, por edhe mjetet më konservatore për të moshuarit që nuk përdorin faqet e internetit.

Organizatat e Shoqërisë Civile po ashtu do jenë të përfshirë, derisa platforma Prishtina Online do transformohet në aplikacion për telefon, me integrim të aplikacioneve tjera si ‘Trafiku Urban’, ‘Prishtina Parking’ dhe Platforma Digjitale ku do ketë edhe hartë çiklizmi dhe seksioneve për komente të ndryshme të qytetarëve.

Përmes kësaj kontrate sociale, kryeqyteti zotohet të trajtojë emailet si kërkesa zyrtare dhe t’u përgjigjet me kohë.

Fuqizimi i këshillave lokal

Zotim tjetër në kontratë është Fuqizimi i Këshillave Lokal, në këtë dokument potencohet se kryeqyteti do marrë parasysh kërkesat e këshillave lokal të diskutura gjatë dëgjimeve buxhetore si dhe organizimin të takimeve me qytetarë për opinionet e tyre lidhur me projekt propozimet e ndryshme.

Sipas komunës, këshillat lokal do njoftohen me email për projektet e planifikuar në zonat e tyre.

Kryeqyteti po ashtu zotohet se do prezantojë shpërblime ndaj komunitetit si ‘Lagjia më e pastër’, ‘Grupi i lagjes më aktiv’.

Dëgjimet publike gjithë përfshirëse

Përmes kësaj kontrate sociale, kryeqyteti zotohet që të organozjë takime me grupe të popullësisë që rralllë marrin pjesë në diskutime publike siç janë rinia, personat me nevoja të veçanta, të moshuarit.

Rritja e informimit publik dhe promovimi i komunikimit përfshirës

Përmes kësaj kontrate, kryeqyteti zotohet të zhvillojë strategji më të detajuar të komunikimit, ku do ketë konferenca mujore për gazetarë, ku kryetari pritet të sqarojë proceset për planet nëpër lagje të ndryshme. 

Agjenda e Kontratës Sociale u dakordua nga zyrtarët e kryeqytetit dhe 23 përfaqësues të komunitetit në një proces të lehtësuar dhe mbështetur nga Aktiviteti i USAID-it “Kontrata Sociale” gjatë periudhës gusht-nëntor 2022. Përmes kësaj kontrate, zyrtarët e komunës dhe përfaqësuesit e komunitetit zotohen të zbatojnë veprimet e lartpërmendura brenda 18 muajve. Po, ashtu, zyrtarët dhe grupet e qytetarëve zotohen të takohen në baza tre mujore për të monitoruar progresin e kësaj Agjende të Kontratës Sociale.