Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Mitrovicës infektohet për herë të dytë me COVID-19

I pari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo është hera e dytë që është infektuar me coronavirus.

“Edhe pse i vaksinuar me dy dozat e vaksinës, pas shfaqjes së disa simptomave të lehta, jam testuar dhe kam rezultuar për herë të dytë pozitiv me Covid-19”, ka thënë Hamza.

Tutje ai ka treguar se është në vetizolim dhe se aktivitetet është duke i vazhduar nga shtëpia, në koordinim me nënkryetarin dhe drejtorët komunalë të Mitrovicës.

“Ju lutem kujdesuni për shëndetin tuaj”, ka qenë mesazhi i Hamzës në këtë postim.

Rastet me COVID-19 në Kosovë gjatë ditëve të fundit janë rritur.

Vetëm sot 2 mijë e 50 qytetarë kanë rezultuar të infektuar me coronavirus brenda 24 orëve në nivel vendi nga 9 mijë e 194 mostra të testuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përderisa nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjeve me COVID-19.