Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kryetari i Gjilanit: Të gjithë drejtorët e shkollave i kam politik

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në vitin 2013 kur kandidonte përballë Qemajl Mustafës së PDK-së për t’ia marrë postin e të parit të komunës, pati premtu qëarsimtarët më të mirë, më të drejtë dhe më profesionistë kanë me qenë drejtorë të shkollave”.

Por KALLXO.com ka gjetur që disa prej drejtorave të shkollave janë anëtarë të LDK-së, të njëjtit nuk hezitojnë ta pranojnë që janë anëtarë të LDK-së, e as të publikojnë fotografi me kryetarin Haziri e të postojnë në Facebook foto të LDK-së.

KALLXO.com ka gjetur se Florim Maloku, drejtori i Shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, është kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen “Dardania II”, Agim Elezi – drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Poshtëm është anëtar i Kryesisë së LDK-s në këtë fshat, Arsim Bejtullahu – drejtori i shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan është kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen Deremahalla dhe Rashit Sahiti – drejtori i shkollës “Abdullah Tahiri” në Malishevë është anëtar i LDK-së.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka deklaruar se të gjithë drejtorët e shkollave i ka të partive politike.

“Jam ithtar me qenë të depolitizum por krejt drejtorët e shkollave i kam të partive politike. Kam kërku që mos me pru politikën në shkollë. Këta që janë pa parti, nëse gjejmë diku vështirë është me gjet nuk konkurrojnë shpesh nëpër shkolla”, ka thënë Haziri.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe drejtorët e shkollave të cilët janë përmendur në emisionin “Jeta në Komunë”.

Drejtori i shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, Florim Maloku ka thënë se partia nuk ka ndikuar që të jetë drejtor i shkollës.

“Nënkryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen Dardania jam që 1 vjet. Jo, nuk ka ndiku partia se unë jam qe 6 vite jam drejtor, nuk ka lidhje kjo me pozicionin tim politik”, është shprehur ai.

Edhe drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Poshtëm, Agim Elezi është shprehur se partia nuk e ka ndihmuar që të bëhet drejtor shkolle, madje ai është dashtë që të ketë pozita më të larta.

“Po, (jam anëtar), tash jam anëtar i Kryesisë të LDK-së në fshat, por aktiv nuk jam fort, edhe pse jam ndër të parët që e kam themelu Forumin Rinor të LDK-së në Gjilan. Jo (nuk më ka ndihmu), unë është dashtë me pas pozita më të larta”, ka thënë Elezi për KALXLO.com.

Drejtori i shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan, Arsim Bejtullahu ka thënë se partinë e ka pasur vetëm pengesë për me u emëru drejtor i kësaj shkolle.

“Jam kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen “Deremallaha”. Partinë e kam pas pengesë me u bo drejtor. Drejtor i shkollës kam qenë qe 4 vjet. Përkatësinë nuk e fshehi por merre sigurt që më ka pengu. Unë nuk jam bo drejtor pse jam i LDK-së”, ka deklaruar Bejtullahu.

Ndërsa drejtori i shkollës “Abdullah Tahiri” në fshatin Malishevë, Rashit Sahiti ka theksuar se të gjithë janë nëpër subjekte politike.

“Krejt jemi dikah nëpër subjekte. Po, jam anëtar i LDK-së. Unë kam qenë drejtor edhe në pushtete e tjera. Unë qe 20 vjet komplet jam drejtor i shkollës. Së fundmi jam qe 6 vjet drejtor”, ka përfunduar Sahiti.

 

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’i përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.