Kriza me mbeturinat - Kryetari Përparim Rama e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci përmes një Konference për media janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për ‘Pastrimin’ e cila, sipas tyre, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.

Rama theksoi se votimi në Asamblenë komunale nga PDK-LVV në dhjetor 2024 për ndryshim të një Rregulloreje që mundësonte kyçjen e sektorit privat u bë me qëllim që të dëmtoheshin tentativat e Komunës për një qytet të pastër.

“Na është dashur të shpallim gjendjen emergjente në mars 2024, kemi angazhuar Kompani private të cilat i kanë ndihmuar Kompanisë ‘Pastrimi’ për arsye se, për fat të keq Kompania ‘Pastrimi’ nuk ka qenë në gjendje të mundësojë këtë. Kjo tash duket se dikujt i ka penguar, pra kemi pas formim të Koalicionit PDK-LVV, ku në një seancë (dhjetor 2024) kanë votu të heqin Pikën nga Rregullorja, që janë munduar të pamundësojnë angazhimin e sektorit privat për pastrimin e qytetit.” – u shpreh Rama.

Rama theksoi se edhe pse ka përkeqësim të gjendjes, nuk do të bien pre e tentativave politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit.

“Tash jemi në një pikë ku vetëm po shihet se përkeqësimi prapë ka filluar. Pra, edhe zonat të cilat Kompania ‘Pastrimi’ i ka menaxhuar. Ne nuk biem pre e këtyre tentativave puro politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit dhe duhet të vazhdojmë me gjendjen emergjente, ta përdorim tash për angazhimin e Kompanive private që t’i ndihmojmë Kompanisë ‘Pastrimi’, t’i ndihmojmë Kryeqytetit në pastrimin e mirëfilltë.” – shtoi më tej Rama.

Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve publike në Komunë, shtoi se angazhimi i Kompanisë private në 2024 dhe përmirësimi i gjendjes në terren duket se dërgoi sinjal negativ te kundërshtarët politik, të cilët në fund të vitit që lamë pas, vepruan sipas tij, kundërligjshëm – duke shfuqizuar një Rregullore që i mundësonte Komunës kyçjen e sektorit privat.

“PDK-LVV janë munduar të shfrytëzojnë të gjithë mekanzimat për ta penguar një qasje të tillë ndaj një problemi i të madh dhe kanë marrë veprime që fatbardhësisht bien ndesh edhe me Ligjet për plotësim-ndryshim të Rregullores, e cila do të mundësonte kyçjen e Operatorëve privatë – gjë që nuk e lejon asnjë Ligj në fuqi.” – tha Brestovci.

Sipas tij, mund të ketë gjendje të rënduar edhe në zonën qendër, pasi nuk kanë më Operator privat të kontraktuar.

“Kemi vullnetin t’i dalim ballë problematikës, pasi kemi keqësim të gjendjes. Sidomos në sektorin që ka menaxhuar ‘Pastrimi’, frika jonë është që do të kemi gjendje të përkeqësuar edhe në zonën qendër, aty ku operon ‘Pastrimi’. Pjesa që e ka menaxhuar Operatori privat është e pakontraktuar.” – shtoi më tej Drejtori.

Brestovci theksoi se edhe përkundër që kanë siguruar kontejnerë e kamionë shtesë, ‘Pastrimi’ nuk ka kapacitete për shpërndarje të tyre.

“Edhe pse kemi mbi 2,500 kontejnerë të rinj, ‘Pastrimi’ për shkak të mungesës logjistike nuk e kanë bërë shpërndarjen. I kemi ofruar ‘Pastrimit’ kamionë të ri të cilët qe disa javë ende nuk po arrijnë të bëjnë regjistrimin e  tyre”.

Drejtori theksoi se nuk do të lejojnë një situatë të tillë.

“Do të vazhdojmë me të gjitha veprimet për të marrë mekanzima shtesë për menaxhim të mbeturinave.” – shtoi ai.

Shpallja e një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për menaxhim të mbeturinave në nëntor 2024 nxiti protesta nga “Pastrimi”, të cilët shfaqën shqetësimin e tyre se ky hap i Komunës do t’i çojë drejt falimentimit.

Derisa ditë më vonë opozita LVV-PDK në Kuvendin Komunal ndryshuan Rregulloren që i mundësonte Komunës angazhim të Kompanive private për menaxhim të situatës me mbeturina.

Shfuqizimi i kësaj Rregulloreje ndërpreu edhe procedurën për tenderin 16 milionësh për 5 Kompani private.

Kompania “Pastrimi” përkrahet financiarisht nga 7 Komunat e regjionit të Prishtinës, ku ushtron veprimtari.

“Pastrimi” disa herë është përballur me borxhe edhe ndaj Kompanisë për menaxhimin e deponive, KMDK, e cila në vitin 2022 ia kishte ndaluar qasjen në deponinë në Mirash të Obiliqit.

Veprimtaria e Kompanisë “Pastrimi” përfshin regjionin e Prishtinës me Komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë. Largimi i Prishtinës si financuese do të shkaktojë jostabilitet, por edhe përgjegjësi shtesë për Komunat e tjera.

Plani për delegim të pastrimit të kryeqytetit edhe te kompani të tjera ‘alarmon’ “Pastrimin”