Komuna merr vendim për inicimin e hartimit të planit rregullues për Lagjen ‘Kalabria’, fokus - ndikimi i rritjes së koeficientit

Me 47 vota për është miratuar vendimi për fillimin e hartimit të planit rregullues të hollësishëm për Lagjen “Kalabria” në kryeqytet.

Lidhur me këtë vendim, kryetari i Prishtinës Përparim Rama bëri të ditur se plani i mëhershëm është procesuar ad-hoc, sidomos në pjesën e rritjes së koeficientit nga 1.8 në 2.4

Sipas Ramës, kjo rritje do ndikojë edhe në dendësinë e banorëve në atë zonë.

“Procesin të cilin po e nisim është në të mirën e qytetit, më herët është procesuar koeficienti ad-hoc nga 1.8 në 2.4. Sot po flasim për ngritjen e koeficientit dhe ndikimi që e ka në lagje. Një koeficient 2.4 në atë lagje sjellë dendësi mbi 200 mijë banorë. Duhet të merret parasysh nevoja për shkolla, rrugë, kanalizime”- ka thënë Rama.

Tutje, ai potencoi se komuna nuk ka ndaluar dhënien e lejeve në atë lagje pasi aty është ende plani ekzistues.

“Komuna nuk ka ndalur lejet në atë lagje, ekziston një plan rregullues që është në fuqi dhe secili investitor mund të marr leje”- shtoi Rama.

Gjatë shqyrtimit të kësaj pike, në sallën e Kuvendit të pranishëm ishin edhe banorë të kësaj lagjeje të cilët iu gëzuan nisjen të hartimit të këtij plani. Qytetarë të kësaj zone kanë protestuar disa herë me kërkesën e tyre për mos shfuqizim të vendimit për rritje te koeficientëve.

Drejtori i Urbanizmit Arbër Sadiki tha se në planin që është shfuqizuar ka pas raste kur janë dhënë leje ndërtimore e më pas janë ridestinuar zonat.

Sipas tij, nuk ka qenë e përcaktuar as mënyra si do kompensohen banorët që kanë prona tek kolektori i ujërave të zeza.

Gëzim Sveçla, asamblist nga radhët e LVV-së tha se ky vendim nuk do duhej të vinte në Kuvend për votim pasi është vetëm inicim i hartimit të grupit punues. Ai shtoi se kjo gjë është edhe presion për banorët e lagjes.

“Kjo  është hera e tretë që po flasim për Kalabrinë, sot po bëhet një veprim që nuk ka nevojë të vij në Kuvend  pasi është inicim plani dhe presion për banorët e lagjes. Nuk dihet as si do përfundojë kjo pasi neve po na kthehen planet nga ministritë përkatëse”- tha ai.

LVV madje akuzoi Ramën se ai u kishte thënë banorëve që plani do jetë gati në tetor, derisa sot u bë vetëm inicimi.

Kurse Gëzim Mehmeti nga AKR tha se ky plan nuk do mund të përfundojë deri në vitin 2023 duke i bllokuar kështu edhe banorët.

“Më vjen keq që edhe në vitin 2023 nuk do rregullohet kjo çështje. Ne kemi përvojë që në kohën e fundit po na kthehen përgjigje negativisht nga MMPI për shumë vendime. Çfarë nëse prapë ndodhë diçka e tillë, qytetarëve u humbin edhe dy vite”- tha ai.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kishte kthyer për rishikim në Kuvend Komunal planin paraprak pasi nuk përputhej me hartën zonale dhe Planin Zhvillimor Urban dhe komuna po ashtu e pa si të jashtligjshëm procedurën e miratimit.

Punimet në panin rregullues për këtë lagje kanë nisur që nga viti 2015 nga Kuvendi Komunal si dhe ka kaluar të gjitha procedurat duke mbajtur edhe shqyrtimin publik.

Në vitin 2019 është bërë edhe një plan i hollësishëm brenda tij për segmentin e kolektorit të ujërave të zeza që ka mbetur i papërfunduar dhe projekti për rrugën A.

Si pjesë të këtij plani, ish kryetari Shpend Ahmeti vendosi që të ketë barazi në pronat ku ka ndërtim të lartë dhe banim, pra barazim në koeficient të ndërtimit.

Anëtarët e Kuvendit Komunal gjatë seancës së sotme kishin vënë shallë ngjyrë portokalli në kuadër të ditëve për vetëdijesim kundër dhunës në baza gjinore.

 

Banorët e lagjes ‘Kalabria’ protestojnë para MMPHI, kërkojnë mos-shfuqizimin e planit rregullues