Komuna me probleme në menaxhimin e bërllokut dhe kompletimin e kabineteve në shkolla

Me premtimin se do t’i kthejë dinjitetin arsimit, Bali Muharremaj fitoi zgjedhjet për të parin e Suharekës në vjeshtën e vitit 2017.

Nën drejtimin e Muharremajt janë mbajtur një numër i konsiderueshëm i premtimeve të dhëna për arsim, mirëpo të dhënat nga tereni tregojnë që edhe pse jemi në shekullin e 21 ende ka shkollë që nuk ka kompjuterë.

Nën qeverisjen e Muharremajt, Suhareka ka sfida në grumbullimin e bërllokut pasi disa fshatra të komunës nuk janë futur në sistemin e grumbullimit të bërllokut.

Rreziqet nga fatkeqësitë janë ende evidente, ndonëse komuna ka plan emërgjent në rast krizash e fatkeqësish, por nuk ka bërë studim ndaj tërmeteve. Tutje, janë 32 objekte shkollore të cilat nuk kanë dalje emergjente, e në anën tjetër janë 37 objekte pa leje.

Përballë këtyre sfidave, për të arritur deri tek vota e qytetarit, Muharremaj kishte premtuar kabinete të reja në shkolla, dy çerdhe në qytet dhe dy në fshatra. Shkollës së Mesme të lartë, Gjimnazi “Jeta e Re”, iu premtua se do të pajiset me kabinete të reja për fizikë dhe kimi. U premtua edhe parking te tregu javor për Gjimnazin dhe QKM-në, çerdhe në fshatin Samadraxhë dhe Mushtisht.

Se si funksionon qeverisja qytetarët mund ta shohin në realizimin e projekteve në ambient.

Në rrugën që të dërgon në fshatin Mushtisht, shihet se disa nga drunjtë dekorativë të mbjellë me paratë e buxhetit janë të mbushur me gjethe e disa të tjerë janë tharë.

Rruga që të dërgon në fshatin Mushtishtë-Drunjtë dekorativ pa gjethe

Gjatë vizitës të KALLXO.com në Suharekë mbeturina të gurmbulluara janë vërejtur në përballë tregut javor në qytet.

Mbeturina në rrugën përball tregut javor

Sipas të dhënave të ofruara nga komuna,  janë 7 fshatra të kësaj komune të cilat janë jashtë sistemit të grumbullimit të mbeturinave dhe qytetarët në këto zona nuk kanë vend të caktuar ku t’i hedhin mbeturinat.

Përpos fshatrave, mbeturina janë vërejtur edhe në hyrje të oborrit të QKMF-së në Suharekë.

Kurse në fshatin Mushtitsht, është vërejtur se lumi që kalon nëpër fshat është i ndotur dhe nuk mirëmbahet.

Por në gjendje të mirë nuk është lumi e as ura në fshatin Gelancë e cila të dërgon drejt lagjeve ku jeton komuniteti ashkali. Fshatarët thanë se komuna më parë i kanë vendosur rrethojat mirëpo janë dëmtuar.

Gjendja e urës dhe lumit për tek lagjia e minoritetit Ashkalinjë, fshati Gelancë

Gjithashtu në lagjen ku jeton ky komunitet, rruga “Kodra e Nurës”, e cila sipas fshatarëve konsiderohet njëra prej rrugëve të rëndësishme të fshatit pasi që lidh këtë fshat me fshatin Malësi e Re, nuk është shtruar deri në fund.

Gjendja e rrugës që kalon përgjatë lagjeve te minoriteti ashkalinjë dhe lidh me fshatin Malësi e re

Kurse në qendër të qytetit po vazhdojnë punimet për ndërtimin e sheshit, të cilat kanë shkaktuar kaos në komunikacion.

Punimet në sheshin e qytetit në muajin gusht 2020

Në gjendje të mirë nuk është as qendra zejtare në qytet. Hapësira ku edhe parkohen veturat është e pariparuar ndërsa në gjendje të keqe janë edhe objektet.

Për opozitën në Suharekë, komuna nuk i menaxhoi siç duhet fondet e dedikuara për ambient.

Sipas Arbër Kabashit nga VV, komuna e devijoi projektin e mbjelljes së drunjve të përkrahur nga Ministria e Ambientit.

Kabashi thotë se komuna ka devijuar projektin për hapësirat gjelbëruese.

“Sipas kësaj kontrate, kanë pasur me u mbjellë 2 mijë e 500 blinj. Të gjithë blinjtë që janë mbjellur, vlera e të cilëve është shumë marramendëse, 92 euro për një blinj. Ky projekt përpos që është i shtrenjtë është edhe i devijuar. Sepse kanë pasur me u mbjell nëpër qytet por që është shpërnda nëpër fshatra. Gjysma e këtyre blinjëve janë tharë”, ka thënë Kabashi.

Uji dhe kanalizimi në Suharekë

Nga të dhënat e ofruara nga Komuna, thuhet se 80 % e Komunës së Suharekës është e përfshirë në kanalizim. Mirëpo si në shumcën e komunave të vendit, kanalizimet derdhen në lum duke ndotur ujërat e pastra të lumenjve.

Suhareka përpos kanalizimit vazhdon të ketë probleme edhe me furnizim me ujë të pijes. Vetëm 60 %e fshatrave janë të përfshira në ujësjellës, disa prej tyre janë të menaxhuara nga kompania Hidroregjioni, kurse tjerat janë të furnizuar individualisht.

Urbanizmi dhe infrastruktura

Në kohën kur të gjithë flasin për frikën nga tërmetet, Suhareka ende nuk ka bërë studim mbi zonat e sigurta dhe sigurinë e ndërtesave nga tërmetet.

Komuna ka një plan për Reagim Emergjent në rast të krizave dhe katastrofave natyrore ndërsa plani është testuar më 15 dhe 16 gusht 2018 me rastin e vërshimeve të cilat kanë ndodhur në Komunën e Suharekës.

Të dhënat nga terreni tregojnë se një shumicë e objekteve shkollore nuk kanë dalje emergjente.

Nga 44 objekte shkollore, 32 tyre nuk kanë dalje emergjente.

Komuna tregon se ende është nën ‘tytën’ e rrezikut ndaj vërshimeve. Meqenëse është bërë ndërtimi i kanalit të ujërave atmosferikë (Kanali Dybiqakit), ende është rreziku prej vërshimeve dhe katastrofave natyrore, si vërshimet nga ana tjetër e lumenjve në komunën e Suharekës.

Sa i përket planit, komuna e Suharekës është mbuluar 100% apo plotësisht me plan zhvillimor komunal dhe atë urban përderisa 1.2 përqind e komunës ka plan rregullues. Gjithashtu komuna është në proces të hartimit të planit të ri zhvillimor dhe atij të hartave zonale të Komunës.

Por komuna vazhdon të mos krijojë hapësira të qasshme për të gjithë.

Ismajl Bylykbashi është qytetar me aftësi të kufizuara ai tregon se në objektin e komunës, përveç në katin e parë, nuk ka qasje për personat me nevoja të veçanta.

“Qasja jo vetëm në qytetin tonë por në gjithë Kosovën është problem. Personat me nevoja të veçanta në radhë të parë, pastaj nënat me fëmijë me karroca, por edhe pleqtë”.

Bylykbashi ka treguar se vetëm pasi ai ka reaguar, gjatë punimeve në Parkun e Qytetit, është ndërtuar edhe ‘pjerrina’ për personat me aftësi të kufizuar.

“Kjo pjerrina këtu rastësisht vitin e kaluar, kam dalë në qytet dhe ja shkallët janë aty dhe si janë aty mbajtëset në atë formë kanë tentu me e rregullu pjerrinën. Po bisedoj me punëtorët dhe më thanë  ‘jo valla neve na kanë thonë’. I thirra edhe ata dhe erdhën dhe në fund u ndërpre. E fillun prapë dhe e rregullun, tash nuk kaloj vetëm unë, por edhe plot të tjerë”, ka thënë Bylykbashi.

Ai ka treguar se bashkë me një zyrtar të komunës, para se të shfaqej virusi COVID-19, i kishin caktuar pikat nëpër qytet, për personat me aftësi të kufizuar, por shkaku pandemisë ka mbetur pa u realizuar.

Ndërsa Bylykbashi ka rrëfyer se vetmën një ‘frizer’ në komunën e Suharekës ka qasje për personat me nevoja të veçanta.

Qytetari me karrocë, Ismajl Bylykbashi

Ai më tej shtoi se është sfidë për të t’i shkojë në zyre kryetarit për shkak të mungesës së ashensorit. Vështirësi ka edhe kur shkon në banka.

“Në objektin e komunës, për me shku te kryetari, nuk kemi qasje, sepse në të gjitha komunat, nuk kemi ashensorë. Kemi qasje vetëm në katin e parë. Kemi qasje te palestra, te biblioteka, aty është një problem i vogël, por kalohet disi. Bankat kanë problem, personalisht në një bankë kam pas problem.”, tha ai.

“Por çfarë bën kur don të shkoj në bankë?”. Bylykbashi thotë se i ndihmojnë punëtorët ose qytetarët, por më shumë qytetarët.

Përfaqësimi e grave në Komunë

Komuna e Suharekës numëron gjithsej 194 persona staf total komunal ku 48 janë gra. Ndërsa disa janë në disa pozita udhëheqëse: Nënkryetarja, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria e Inspekcionit, Drejtoria e Urbanizmit.

Gjithashtu janë punësuar edhe 2 persona me nevoja të veçanta.

Arsimi

Komuna e Suharekës numëron mesatarisht 21 nxënës për një klasë. Ndërsa 90 % të shkollave punohet me një ndërrim.

Një tjetër premtim që e kishte bërë kryetari Muharremaj ishte edhe kabinete të reja nëpër shkolla.

Por KALLXO.com ka gjetur se ka shkollë në Suharekë që vazhdon të ketë problem me pajisje nëpër kabinete.

Destan Berisha, ushtrues detyre i drejtorit të shkollës profesionale, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ka mungesë të pajisjeve në kabinetin e informatikës.

“Realisht për çdo vjet po na ndryshon gjendja, por kemi kabinete të informatikës, por nuk i kemi të pajisura se sa kemi nevojë ne, por që kabineti funksion dhe i kemi rreth 15 kompjuterë. Mesatarja e nxënësve nëpër klasë është diku 19-20”, ka thënë Berisha.

E drejtori i Gjimnazit ‘Jeta e Re’, Fadil Elshani ka thënë se janë duke punuar për kompletimin e kabineteve.

“E kemi kabinetin e informatikës, jemi duke e përgatitë edhe një tjetër. Ndërsa edhe këto shkencave si Fizikë dhe Kimi jemi duke i përgatitur. Jemi në rrugë të mirë me i siguru deri sa të fillojë mësimi”, ka thënë Elshani.

Kurse drejtori i shkollës teknike, Hamdi Byqyi për KALLXO.com ka thënë se për momentin nuk kanë kamera të sigurisë në objektin e shkollës.

“Kamerat e sigurisë i kemi jashtë funksionit, për shkak se janë demolu të vjetrat dhe jemi në proces të instalimit të kamerave të reja, rrjeti është shtri komplet. Ndërsa kabinetet i kemi të kompletuara”, ka thënë Bytyqi.

Kurse drejtori i shkollës ‘Dëshmorët e Kombit’ në fshatin Vraniq, Bajram Rraçi, ka thënë se shkolla e tij nuk e posedon asnjë kompjuter në kabinetin e informatikës.

“As edhe një kompjuter në kabinetin e informatikës nuk e kemi. Kemi bo kërkesë, por jemi duke prit që me u ndërtu objekti i ri i shkollës, që të pajisemi komplet”, ka thënë Rraçi.

Tutje janë 3 çerdhe publike funksionale në Suharekë, Duhël dhe Mushtisht. Bëhet e ditur se do të ndërtohen edhe çerdhe të tjera këtë vit si në Suharekë, Studençan, Samadraxhë, Sopijë dhe Gjinoc.

Kryetari Bali Muharremaj kishte premtuar që në vitin e parë të qeverisjes do të bëhen dy çerdhe në fshatra. Këtë premtim e kishte mbajtur.

Përveç kësaj, vlen të përmendet se kryetari kishte realizuar premtimin edhe ne fusha tjera. Kryetari Muharremaj kishte përmbush premtimin lidhur me ndërtimin e shtegut të çiklizëm, vrapim dhe ecje. Ai gjithashtu realizoi premtimin edhe në ndërtimin e vend-pritjeve moderne apo mini-stacioneve për autobusë, në pastrimin e hapësirave publike ndonëse në disa lokacione janë vërejtur mbeturina.

Për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, koha mesatarisht e reagimit të ambulancës është 7 minuta. Ndërsa, komuna ka 5 laboratorë Hematologjik dhe Biokimik (1 QKMF dhe 4 QMF) dhe të gjithë laboratorët janë funksionalë.

Por komuna ka probleme të gjej staf mjekësor. Komuna kishte hapur konkurs për të punësuar një gjinekolog mirëpo po nuk pati asnjë aplikant.

Në muajin mars të vitit 2018, KALLXO.com raportoi se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë është vendosur aparati për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të punëtorëve. Sipas njoftimit të komunës, tani e tutje punëtorët sa herë vijnë dhe dalin nga puna do të regjistrohen përmes aparatit elektronik të kartelave personale.

Dyshimet për parregullsi  dhe nepotizëm

Në muajin  shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se Blerim Kuçi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në prag të zgjedhjeve, ka fituar tender në vlerë prej 1.7 milionë euro nga Komuna e Suharekës që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Bali Muharremaj.

Kompania “Hidroterm” që është pronë e Blerim Kuçit është rekomanduar për kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.

Kompania e nënkryetarit të AAK-së nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender. Kanë qenë të paktën edhe dy oferta më të lira. Oferta më e lirë e dorëzuar për këtë projekt ishte në vlerë prej 1,5 milionë euro, apo 200 mijë euro më e lirë se sa oferta e kompanisë së Blerim Kuqit. Ofertat më të lira ishin eliminuar nga gara nga Komuna e Suharekës. Në pozitën e zyrtarit ligjor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë është punësuar Faton Kabashi. Ai është nipi i ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja, Blerim Kuqi. tashmë ministër i Ekonomisë dhe Ambientit.

Në muajin shtator të vitit 2018, KALLXO.com raportoi se Muharremaj punësoi vëllain e ish drejtorit të arsimit Remzi Bytyqi.

Komunarët e Suharekës, paratë e shtetit i shpenzojnë në verë

Në kuadër të projektit “Sa han Kryetari”, KALLXO.com ka publikuar faturat e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve dhe zyrtarëve tjerë të komunave të Kosovës. “Varësia” e zyrtarëve shtetërorë për të pirë alkool me para të buxhetit të shtetit i ka kapur edhe zyrtarët e komunës së Suharekës.

Në faturat të cilat i posedon KALLXO.com, zyrtarët e kësaj komune nuk kanë ngurruar që t’i shpenzojnë paratë e buxhetit të Komunës për të pirë shishe verërash të ndryshme. Në drekën zyrtare të shtruar me 17 korrik të vitit të kaluar, zyrtarët e Komunës së Suharekës kishin pirë 3 shishe verë, secila ndryshe nga tjetra.

Në shenjë falënderimi ndaj doktorëve amerikanë të cilët dhuruan ofruan vizita dhe barna falas, iu shtrua darkë në vlerë 950 eurosh.

Ndërsa nga të dhënat e siguruara nga Komuna, thuhet se  drejtorët e drejtorive shpenzime vjetore të telefonisë mobile konform vendimeve ligjore të kryetarit kanë nga 30 euro në muaj. Kryetari mesatarisht për një vit shpenzon rreth 600 euro dhe Nënkryetari/ja kanë shpenzime vjetore mesatarisht 480 euro.

Ndryshe, nga Komuna bëjnë të ditur se janë blerë llaptopa për asambleistët e Komunë së Suharekës  në vitin 2019.

Auditori

Në vitin 2019, buxheti i Komunës së Suharekës ishte 15,5 milionë euro, ku për paga dhe mëditje u shpenzuan mbi 8.2 milionë euro apo më shumë se gjysma shprehur në përqindje mbi 50 përqind, pastaj investime kapitale mbi 5.3 milionë euro mbi 30 për qind, mallra dhe shërbime mbi 1.4 milion euro ndërsa pjesa tjetër në shërbime komunale, subvencione dhe transfere.

Përgjatë viteve 2017-2019, Komuna e Suharekës pati një buxhet të realizuar në mes 13,6 deri në 16.6 milionë euro.

Në dy vitet e fundit, në përjashtim të vitit 2017, Auditori për komunën e Suharekës ka dalë me opinon të pamodifikuar me theksim të çështjeve.

Vonesa në realizimin e pagesave ndaj borxhlinjve, ku detyrimet e komunës deri në fund të 2019-ës ishin në vlerën e 73,597 euro por sfidë mbetet edhe menaxhimin i atyre që i kan borxhe komunës ku vlera e tyre është 4,674,508 euro.

Përderisa për vitin 2018, auditori në mes tjerash kishte evidentuar vonesa në realizimin e tri projekteve. Komuna e Suharekës ka vonuar për tetë muaj realizimin e kontratës “Instalimi dhe sanimi i ndriçimeve publike në Shirokë, Sopijë, Mushtisht, Bllacë, Studenqan dhe Samadraxhë”.