Komuna e Junikut

Komuna me potencial turizmi por me halle të varrezave e stacionit të autobusëve

Komuna e Junikut është një nga komunat me potencialin më të madh në Kosovë për të zhvilluar turizmin.

Falë pozitës gjeografike, peisazheve natyrore si dhe kullave të vjetra historike kjo komunë mund të tërheq vizitorë e investime. Megjithatë, Juniku  ende përballet me probleme infrastrukturore, përfshirë edhe mungesën e një stacioni modern për autobusët ndërurban.

Kryetari Agron Kuçi nga radhët e AAK-së fitoi mandatin në zgjedhjet e vitit 2017 duke premtuar investime në projekte kapitale e mirëmbajtje të infrastrukturës rrugore.

Por, në vitin 2019 komuna e Junikut për investime kapitale kishte në dispozicion vetëm 590 mijë e 691 euro, ndërsa shumica e buxhetit shkonte për paga dhe mëditje.

Kjo komunë e vogël me rreth 6 mijë banorë në kufi me Shqipërinë, ka probleme të theksuara me menaxhimin e mbeturinave dhe kjo ilustrohet më së miri me  deponinë që gjendet shumë afër rrugës kryesore në vendin e quajtur ‘Shkozë’.

Arsimi

Në shkollat e komunës së Junikut mesatarja e nxënësve nëpër klasë është 21.

Në këtë komunë janë dy shkolla, një fillore dhe një  gjimnaz.

Në shkollën fillore të mesme e ulët ‘Edmond Hoxha’ punohet me dy ndërrime, ndërsa në gjimnazin ‘Kuvendi i Junikut’ punohet me një ndërrim.

Kryetari i komunës, Agron Kuçi, në debatin komunal përballë Jeta Xharrës në vitin 2017, kishte premtuar ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore ‘Edmond Hoxha’.

Ndërtimi i këtij objekti ka filluar me 2 dhjetor të vitit 2019, por punimet janë ende duke vazhduar.

Objekti në ndërtim e sipër i shkollës ‘Edmond Hoxha’

Një tjetër premtim që e kishte bërë kryetari Kuçi në debatin për komunat, ishte edhe ndërtimi i palestrës sportive në gjimnazin ‘Kuvendi i Junikut’.

Por ekipi i KALLXO.com ka vizituar këtë gjimnaz dhe aty nuk është parë që është ndërtuar ndonjë palestër sportive.

Mungesën e palestrës sportive për gjimnazin, e ka konfirmuar edhe vetë drejtori i kësaj shkolle, Naim Kuqi.

Gjimnazi ‘Kuvendi i Junikut’

Kryetari Agron Kuçi për të fituar mandatin e tretë të radhës kishte premtuar edhe ndërtimin e çerdheve, pasi gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2017, ishte ngritur ky shqetësim nga qytetarët e Junikut.

Por, përkundër premtimit, komuna e Junikut ende nuk e ka një çerdhe publike për fëmijë, ndërsa funksionon një klasë në kuadër të shkollës fillore, si çerdhe. 

“Komuna e Junikut nuk ka çerdhe publike, por ka një klasë në kuadër të shkollës ‘Edmond Hoxha’, në kuadër të programit Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët 3 deri në 5 vjeç dhe shkollimi parafillor 5 deri në 6 vjeç”, thuhet në përgjigjen e komunës për KALLXO.com.

Shëndetësia

Në komunën e Junikut koha mesatare e reagimit të amulancës në secilin cep të komunës është 8 deri në 10 minuta.

Gjatë vizitës të ekipit të KALLXO.com në muajin gusht në  Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Junik, u pa që banjot e këtij institucioni në kohë pandemie i mungojnë dezinfektuesit.

Për më tepër, në banjo nuk kishte as sapun e as letër higjenike.

Banjo e QKMF-së në Junik

Por në muajin tetor gjendja në banjon e QKMF-së.

Gjatë vizitës së KALLXO.com për herë të dytë në këtë QKMF, aty ishte vendosur edhe sapuni edhe dezinfektuesi. 

Banjo e QKMF-së, tetor 2020

Juniku me problemin e Stacionit të Autobusëve

Qytetarët e Junikut ka shumë vite që përballen me problemin e mungesës së një Stacioni adekuat të Autobusëve në qytet.

Siç mund të shihet edhe nga fotografitë, në Junik shfrytëzohet një hapsirë me një mbulesë të vogël, si Stacion i Autobusëve, ndërsa aty nuk ka as objekt.

Kryetari Agron Kuçi kishte premtuar në debatin komunal për zgjedhjet e vitit 2017 se brenda dy viteve junikasit do të kenë një Stacion të Autobusëve modern.

“Sa i përket Stacionit të Autobusëve, do të ketë dhe po aty do të thotë brenda dy viteve do të kemi stacion modern dhe me një aneks për taksitë e qytetit”, kishte premtuar kryetari Kuçi.

 Por që Stacioni nuk është ndërtuar ende. Fotografitë tregojnë se hapësira ku udhëtarët presin autobusin është e pa mirëmbajtur, aty nuk ka mbulesë dhe duket e pashfrytëzueshme.

Një i moshuar që ishte duke e pritur për tu nisur për Gjakovë tha se është mjaft problem për të që të presë në atë gjendje, sidomos gjatë muajve të verës kur janë temeperaturat e larta.

“Është problem këtu, sepse siç po e shihni nuk ka as mbulesë, bërllok ka gjithandej. Ne pleqtë e kemi bukur vështirë me qendru këtu në këto temperatura të larta”, tha i moshuari, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Gjendja e Stacionit të Autobusëve në Junik

Urbanizmi dhe Infrastruktura rrugore

Në debatin përballë Jeta Xharrës, kryetari Agron Kuçi kishte premtuar se në qershor të vitit 2018 do të fillonte asfaltimi i rrugës Junik – Jasiq – Gjocaj.

 “Në qershor të vitit të ardhshëm ( 2018)  do të fillojë asfaltimi i rrugës, JUNIK-GJOCAJ, do të kryhet po këtë vit”, kishte premtuar Kuçi.

Por, ky projekt ka filluar tek më 24 korrik 2019.

Projekti financohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe komuna e ka cilësuar si një projekt që i hap rrugë zhvillimit të projekteve tjera me bazë në eko-turizëm.

“Asfaltimi i rrugës Junik-Jasiq-Gjocaj është parakusht për zhvillimin e hovshëm të turizmit, indikator në zhvillim ekonomik dhe krijim të kushteve për investime në bjeshkët e Junikut”, thuhet në njoftimin e komunës, kur ka filluar projekti.

Gjatë vizitës së ekipit të KALLXO.com në muajin gusht , është vërejtur se rruga për në Gjocaj është asfaltuar, por rruga për në Jasiq nuk është asfaltuar ende por po vazhdojnë punimet.

Së fundmi është nënshkruar kontrata për asfaltimin e rrugës Junik-Gjeravicë.

Kontrata është nënshkruar me 21 tetor dhe ka vlerën e 4.4 milionë eurove dhe financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Rruga për në fshatin Jasiq

Sipas të dhënave të ofruara nga komuna, Juniku nuk ka studime të kryera për tërmetet. Sipas përgjigjes, tërmetet janë trajtuar në Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin e rrezikshmërisë të miratuar në Kuvendin e Komunës.

Kjo komunë ka rrezik edhe nga vërshimet.

“Po, komuna e Junikut ka rrezik prej vershimeve të lumit Erenik, mirëpo këtë rrezik e kemi zvogëluar shumë me investimet në ndërtimin e shtratit të këtij lumi”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Kjo komunë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare se sa ndërtime pa leje janë bërë që nga viti 2017, që sipas tyre janë ende në identikim të tyre dhe krijimit të databazës. Si pasojë, nuk ka pasur as rrënim të ndonjë objekti nga inspektoriati komunal.

Komuna gjithashtu nuk ka ofruar të dhëna për listën e uzurpatorëve të pronave komunale, pasi sipas tyre, kjo listë është në Prokurorinë e Shtetit.

Sipas të dhënave të ofruara nga komuna, gjatë këtij mandati janë mirëmbajtur dhe mbuluar shpenzimet komunale për objektet kulturore si Qendra Rajonale të Turizmit “n’Dukagjin”, bibliotekën ‘Din Mehmeti’, Muzeun Komunal dhe është ndërtuar Valavicën e cila është funksionale dhe shfrytëzohet nga organizatat rinore për aktivitete të ndryshme.

Barazia gjinore në udhëheqësinë komunale

“ Minimumi tre drejtoresha”, kishte thënë Agron Kuçi, se do të kishte në kabinetin e tij gjatë mandatit të ardhshëm, në Debat Pernime në vitin 2017. 

Por duket se gjatë rrugës, ky zotim  ka ndryshuar.

Në Komunën e Junikut aktualisht vetëm dy gra udhëheqin me drejtoritë e këtij qyteti, nga shtatë sa i ka në total.

Leonita Jasiqi, Drejtoreshë për Administratë dhe Kosovare Gacaferi, Drejtoreshë për Buxhet dhe Financa janë dy gratë nga 7 burrat që janë në krye të drejtorive në Junik

Përqindja e grave në pozita udhëheqëse në Junik  është 28 % nga 50% sa është e caktuar me ligj.

Ndërkaq në institucionet komunale përqindja e grave që punojnë është rreth 41

 

Shpenzimet në karburante dhe dreka e darka

Sipas të dhënave të ofruara nga komuna e Junikut, totali i karburanteve të shpenzuara për vitin 2019 është 24 mijë e 230 euro.

Prej tyre, 14 mijë e 270 janë shpenzuar për vetura të adiminstratës komunale, zjarrfikësve, shëndetësisë dhe të veturës për pastrimin e deborës.

8 mijë e 436 janë shpenzuar për derivate për ngrohje për objektin e komunës, Qendrës për Punë Sociale dhe të QKMF-së.

Ndërsa për 8 institucionet komunale janë shpenzuar 1 mijë e 525 euro për derivate për gjenerator.

Totali për shpenzime në dreka zyrtare për vitin 2019 është 2 mijë e 566 euro.

Komuna e Junikut posedon gjithsej 7 vetura zyrtare të adiminstratës, përfshirë këtu edhe veturën e kryetarit, të autoambulancës, 3 kamiona të zjarrfikësve,

Sa i përket shpenzimeve të telefonisë mobile, komuna e Junikut ka shpenzuar 10 mijë e 446 euro ku në këto shpenzime përfsihen Zyra e Kryetarit, që i ka 8 zyrtarë të tjerë përveç kryetarit, nënkryetari, kryesuesi i Kuvendit Komunal si dhe të gjithë drejtorët e komunës, si dhe zyrtarët e drejtorive. Po ashtu, në këtë shumë janë të përfshirë kryeshefi i QKMF-së dhe drejtorët e shkollave.

“Komuna e Junikut gjatë vitit 2019 iu ka përmbajtur një kontrate kornizë në mes MAP-it dhe operatorit Vala, që obligonte institucionet publike që të marrin shërbimet e telefonisë mobile nga operatori Vala, ku Komuna e Junikut ka vlerësuar që tarifat e kësaj kontrate ishin të larta duke pasur qëllim shfrytëzimin racional të buxhetit të limituar komunal ka ndërprerë kontratën me operatorin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

 

Ambienti

Komuna e Junikut me vendim të Kuvendit Komunal e ka të formuar një deponi për hudhjen e mbeturinave të ngurta. Deponia gjendet në vendin e quajtur ‘Shkozë’ dhe është e monitoruar nga kamerat si dhe nën mbikëqyrje të inspektorëve komunalë.

Sipas komunës, deponi ilegale nuk ka fare.

KALLXO.com gjatë vizitës në Junik në muajin gusht ka hasur në një deponi mjaft të madhe në vendin të quajtur ‘Shkozë’

Fotografitë tregojnë një gjendje shqetësuese, ndërsa deponia gjendet shumë afër rrugës kryesore, çka ka ndikuar që mbeturinat të përhapen për gjatë gjithë rrugës.

Deponia në ‘Shkozë’, gusht 2020

Kjo deponi më pas është pastruar nga ana e komunës, më 4 shtator dhe aty janë të vendosura kamerat të sigurisë.

Deponia pas pastrimit nga komuna

Por, gjatë vizitës tjetër të KALLXO.com në këtë lokacion, aty është parë që prapë ka filluar të mbushet me mbeturina.

 Sipas komunës, ka mbulueshmëri të shërbimit të mbeturinave deri në 100%.

“Komuna e Junikut ka mbulueshmëri në shtrirje të shërbimit sa i përket menaxhimit të mbeturinave 100% dhe për këtë vit është identifikuar nga GIZ si komuna me 0 deponi ilegale”, thuhet në përgjigjen e komunës. 

Mirëmbajtja e varrezave

Një problem tjetër i qytetarëve të Junikut janë edhe varrezat.

KALLXO.com ka vizituar 2 varreza në 2 lagje të Junikut dhe fotografitë aty tregojnë se ato janë të pa mirëmbajtura.

Kryetari Kuçi kishte premtuar ofrimin e zgjidhjes për varrezat.

“Në atë lokacion ne e kemi projektin për katër hektarë, ne kemi fillur për fazën e parë, sepse është kosto e madhe. Vitin e ardhshëm (2018) do të funksionalizohet. Ne kemi mbi 10 varreza të lagjeve”, kishte thënë Kuçi në debatin komunal.

Varrezat në lagjen ‘Hoxhaj’

Varrezat e ndërtuara me financimin e Bashkimit Evropian gjithashtu janë të pamirëmbajtura dhe thuajse të pa përdorura, edhe pse kryetari Kuçi kishte premtuar se gjitha varrezat nëpër lagje, do të transferohen atje.

Raporti i Auditorit

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka gjetur lëshime në komunën e Junikut për çështjet e përbashkëta për mallrat dhe shërbimet, si dhe investimet kapitale.

Sipas Auditorit, në katër rastë në investime kapitale dhe pesë raste në kategorinë e mallarave dhe shërbimeve zotimi i mjeteve dhe procedimi i urdhërblerjeve ishte bërë me vonesë, pas datës së faturave.

“Kjo ka ndodh si rezultat i kontrolleve të brendshme jo efikase në procesin e menaxhimit dhe ekzekutimit të pagesave”, thuhet në Raport.

Sipas ZKA-së, zotimi i mjeteve financiare dhe procedimi i urdhërblerjeve me vonesë vështirëson zbatimin e drejtë të kontratave dhe krijon paqartësi rreth urdhëresave për furnizim, shërbime apo fillim të punëve.

“Kryetari të sigurojë përmirësimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që procesi i ekzekutimit të pagesave të bëhet në harmoni me proceduarat e përcaktuara me LMFPP dhe rregullat financiare për shpenzimin e parave publike”, thuhet në rekomandimin e Auditorin për Komunën.

Një tjetër gjetje që ka bërë Audtiori në komunën e Junikut është edhe për detyrimet e papaguara.

“Pasqyra e detyrimeve në fund të vitit 2019, ishte 35,634 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020”, thuhet në Raport.

Detyrimet e papaguara kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e automjeteve, shpenzimet e telefonit, ujit dhe rrymës, derivateve të naftës dhe shpenzime të tjera.

Sipas Auditorit, nga testimet rezulton se dy fatura në vlerë prej 20,359 euro nuk ishin paguar brenda afatit kohor të por, Auditori ka gjetur disa parregullësi.

Për shembull ka gjetur dobësi në procesin e rekrutimit. Sipas Ligjit, në një konkurs publik nëse për një pozitë nuk i plotësojnë kriteret së paku tre kandidatë, atëherë ky konkurs duhet të rishpallet. Por Auditori ka gjetur se në tri pozita në sektorin e Arsimit, gjatë procesit të rekrutimit, Komuna e Junikut nmuk ka rishpallur konkursin, edhe pse kishte vetëm nga një kandidat për atë pozitë.

Raporti i Auditorit ka gjetur parregullësi edhe tek tenderët në komunën e Junikut.

Për shembull, në kontratën për ‘Nërtiimin e qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes’, në vlerë 69 mijë e 900 euro, tek punët e realizuara, është identifikuar se çmimi për pozicionin 1.3 të paramasës për punimin e tabelës sinjalizuese për informatat e projektit dhe të investitorit. Për vendosjen e dy tabelave të tilla janë paguar plotë 20 mijë euro. Auditori thotë se për këtë projekt për këto dy tabela, ishte kontraktuar çmimi me vlerë 700 euro.

Po ashtu, tek pagesa në vlerë 30 mijë euro tek e njëjta kontratë, është identifikuar se te çmimi për pozicionin 1.1 të paramasës për përgatitjen e vend punishtes, mobilizimin dhe furnizimin me makineri, është paguar 26 mijë e 783 euro, ndërsa në paramasë ishte përllogaritur në vlerë 500 euro.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).