Komuna e Prishtines, Foto: Atdhe Mulla.
Komuna e Prishtinës sqarohet për tenderin për gjeneratorë
KALLXO.com ka raportuar më 17 janar 2023 se Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kontratë në vlerë 50 mijë euro më shumë se sa vlera e parashikuar për furnizimin dhe montimin e gjeneratorëve për institucionet edukativo-arsimore dhe nevojat tjera komunale.
Nga Komuna e Prishtinës për KALLXO.com kanë sqaruar se vlera e parashikuar ka qenë 300 mijë euro, por pas hapjes së ofertave kanë pasur vetëm një ofertues, i cili, sipas tyre, ka përmbushur të gjitha kriteret konform kërkesave në dosjen e tenderit.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati ka thënë se asnjë dispozitë e LPP dhe të LMFP nuk e ndalon nënshkrimin e kontratës nëse ka tejkalim të vlerës së parashikuar, dhe se kontrata nënshkruhet vetëm atëherë kur të sigurohen mjetet.
“Duke marrë parasysh nevojën për pajisjen me këta gjeneratorë, edhe pse çmimi ka qenë mbi vlerën e parashikuar, ne si Institucion dhe si Autoritet Kontraktues kemi bërë zotimin e mjeteve shtesë dhe kemi kryer të gjitha procedurat konform ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës”- ka thënë Kastrati.
Kontrata me kompaninë fituese ka vlerën 349,890 euro apo saktësisht 49 mijë e 890 euro më shumë se vlera e parashikuar.
“CONTANTI GENERATORS” Sh.p.k., është e vetmja kompani që ka ofertuar.
Procedura e hapur është përdorur në këtë tender ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Përmes këtij tenderi, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar 19 gjeneratorë me fuqi të motorit 26 kW dhe me peshë 680 kilogramë. Vlera e këtij është 135,850 euro.
11 të tjerë janë kërkuar me peshë 1335 kilogram, me kapacitet maksimal i rezervuarit deri në 240 litra. Sipas dosjes, këto e kapin vlerën 93 mijë e 280 euro.
Më tej, kontrata përfshin edhe 4 gjeneratorë me kapacitet maksimal të rezervuarit deri 200 litra. Vlera e këtyre të katërtave është gjithsej 33,920 euro.
Gjithashtu janë blerë dy gjeneratorë me kapacitet të motorit minimum 240 kW – 300 kWa. Të dy kanë vlerën 47,700 euro.
Ndërsa 4 mijë euro kanë kushtuar 40 bateri – akumulator 100 ampera.
31 mijë e 140 euro ka kushtuar montimi i gjeneratorit me të gjitha pajisjet shtesë, bazamentin për vendosjen e gjeneratorit, kabllot për kyçje, gjenerator – rrjet – objekt (kyçje automatike) siguresa dhe të gjitha materialet e nevojshme për montimin dhe funksionalizimin e gjeneratorit.