Komuna e Prishtinës shpenzon mijëra euro në lule e fidanë dekorativë, shumica dëmtohen

Para disa ditësh Ndërmarrja Lokale ‘Hortikultura’ ka bërë mbjelljen e fidanëve dhe luleve në Prishtinë nëpër qendër të qytetit.

Për këta fidanë dhe lule dekorativë, Komuna ka ndarë 170 mijë euro.

Komuna në mars të këtij viti kontraktoi blerjen e 12 llojeve të fidanëve që do mbilleshin në pjesë të ndryshme të qytetit.

Në mesin e tyre janë fidanë si: Salix, Ilex Verticillata, Festuca Glauca, Hibiscus, Confiern mix, Rhodondedron mix, caocephalus, Acer palmatum, etj.

Por, përkundër faktit që shpenzohen mijëra para në blerje të këtyre luleve e fidanëve, një pjesë prej tyre nuk kanë jetë të gjatë, pasi dëmtohen nga qytetarët dhe makinat.

Kështu ka deklaruar Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve në Prishtinë, për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se dëmtimi dhe largimi i tyre, nuk vjen nga mosmirëmbajtja, por nga shkelja.

“Dëmtimi eventual i shkurreve të mbjellura në rrugën ‘Xhorxh Bush’, ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe vende tjera, nuk vjen si pasojë e mosujitjes ose neglizhencës nga punëtorët përgjegjës për mirëmbajtje, por në shumicën e rasteve si pasojë e qytetarëve të papërgjegjshëm që e kalojnë rrugën e shkelin dhe zhvendosin rrënjën, në shumë raste tjera dëmtimi i saj ndodh edhe për arsye të kalimit të veturave”, ka thënë Hajdari.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për raste të ngjashme si tharja e pishave tek shkallët e lagjes ‘Arbëria’ për të cilët komuna i ka lënë fajin kompanisë që kishte rikonstruktuar shkallët dhe kishte pasur përgjegjësi edhe mbjelljen e pishave.