Komuna e Prishtinës planifikon të zhvendosë laurën tek Stacioni i Autobusëve

Komuna e Prishtinës ka në plan që të zhvendosë laurën që ndodhet brenda stacionit të autobusëve në lagjen ‘Kalabria’.

Kështu ka bërë të ditur përmes rrjetit Twitter, nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj.

Ai ka thënë se një veprim i tillë do lidhte lagjet ‘Dardania’ dhe ‘Kalabria”.

“Laurën tek Stacioni i Autobusëve po mendojmë ta zhvendosim, shumë shpjet. Lidhet lagja Emshiri me Dardaninë”, ka shkruar Zogaj.

Banorët e këtyre dy lagjeve kanë bërë kërkesë edhe më herët për largim të kësaj laure ose lirim nga pagesa për makinat që kalojnë andej.

Laura shfrytëzohet nga autobusët për t’u futur në stacionin ndër urban të Prishtinës, por kjo rrugë nuk mund të shfrytëzohet nga qytetarët, pa pagesë, pasi është në brendësi të stacionit.

Pagesa në këtë laurë kushton 1 euro.

Arianit Grezda, ushtrues i detyrës së kryeshefit në Stacionin e Autobusëve për Kallxo.com ka bërë të ditur se janë në bisedime me komunën për këtë proces, por që nuk ka ende diçka konkrete.

Ai deklaroi që fokus i bisedave është fakti që si ndërmarrje të mos kenë humbje.

“Jemi ende në bisedime me komunën për zhvendosje të laurës, për neve është e rëndësishme që të mos kemi humbje pasi mbi 80% të të hyrave në NPL SAP shfrytëzohen për shpenzime të pagave” ka thënë Grezda.

Ai shtoi se komuna ka në plan që të bëjë një korsi të veçantë për qarkullim të makinave që do lidhin lagjet ‘Kalabria’ e ‘Dardania’.

“Ende nuk ka kohë të caktuar kur do bëhet zhvendosja, por me aq sa kemi biseduar, plani është që komuna të bëjë një korsi për qarkullim të makinave që do lidhte ato dy lagje dhe do ndikonte në lirim të trafikut. Derisa, laura do zhendoset pak metra më tej”, shtoi Grezda.