Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës planifikon të subvencionojë një student të Harwardit, opozita kërkon sqarim për mënyrën e përzgjedhjes

Ndarja e subvencioneve të administratës për kategori të ndryshme ku përfshihet edhe propozim-vendimi për subvencionim me 5 mijë euro të një studenti të Prishtinës në Universitetin e Harvardit, ka nxitur reagime të shumta tek asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunen e Prishtinës.

Në mesin e këtyre subvencioneve në vlerë 360 mijë euro bëjnë pjesë këto kategori: OJQ Handikos me 10 mijë euro, Teatri i të rinjëve të qytetit me 7 mijë euro, kërkesa për ndihmë e zotri G.L. për djegje të shtëpisë si pasojë e rrufesë, 10 mijë euro, Shoqatat e Pensionistëve 35 mijë euro, studentit për studime jashtë vendit, 5 mijë euro, Klubit të Ping Pongut 4 mijë euro, Federatës së Karatesë 4 mijë euro, Plisat dhe Dardanët nga 3, 500 euro, OJQ Space Intex – 9 mijë euro, Federata e Xhudos – 4 mijë euro, KF Hajvalia – 4 mijë euro, ndihma për dru për raste sociale – 1,045 famije nga 250 euro.

Kryetari Përparim Rama tha se këto ndarje janë bërë në bazë të kërkesave që kanë marr.

Asamblistja e LVV-së, Rita Zeqiri kërkoi të dijë nëse këto kanë qenë kërkesat e vetme për subvencione.

“Është mirë t’i sqarohet opinionit nëse këto janë kërkesat e vetme që u janë drejtuar dhe nëse ka ndonjë prioritet në ndarje të tyre”- tha ajo.

Gëzim Sveçla, po ashtu asamblist i LVV-së kërkoi të dijë nëse ka pasur thirrje publike për këto subvencione dhe a ka pasur komision për përzgjedhje.

“Kemi nevojë për sqarime shtesë, si ka ardhur deri te këto subvencione, a ka pas thirrje publike, a është formuar komision për ndarje të këtyre mjeteve dhe cilat kanë qenë kriteret. A lejohet që me taksa të qytetarëve të paguhen federata të nivelit qendror. Neve nuk na është prezantuar kurrfarë kërkese. Kush është ky student”- ka thënë ai.

Lidhur me këto komente, kryetari Përparim Rama tha se kërkesa e këtij studenti për ndihmë ka qenë e vetmja, andaj e kanë parë të arsyeshme t’i ndihmojnë.

“Emri i studentit është E. R., i cili studion në Harward, ka qenë e vetmja kërkesë e studentëve për ndihmë, kërkesë urgjente për pagesë të një pjese të studimeve në Harward. Meqenëse ka qenë i vetmi, e kemi parë të arsyeshme t’i ndihmojmë”- ka thënë Rama.

Asamblistja Berna Saraqi potencoi se nëse do kishte pas thirrje publike për këto subvencione me siguri do kishte më shumë studentë që kanë nevojë për ndihmë.

“A ka pas thirrje të hapur për këto subvencione apo qytetarët vetëm kanë dërguar kërkesë për ndihmë sepse ka shumë studentë që duan të aplikojnë, por nuk ndihen të mirëpritur nga komuna”- tha ajo.

Derisa, Arianit Beqiri po ashtu nga LVV deklaroi se si do veprohet nëse tani vijnë edhe studentë të tjerë pasi të shohin se ne ndajmë para.

Sipas tij, më këtë veprim krijojmë precedent se ndajmë para pa kritere.

“Si do trajtohen tani nëse vijnë studentë tjerë apo qytetarë që kërkojnë këso mbështetje sepse mund ta shohin sot që po ndahen para dhe vijnë thonë që janë duke studiuar jashtë apo në Kosovë dhe kanë nevojë për para ose po krijojmë precendet se po ndajmë para pa kritere”- tha ai.

Ai kërkoi të dijë se si e kanë marr vesh këta qytetarë për këtë aplikim pasi nuk ka pas thirrje publike.

Osman Bllaca, auditor në Komunën e Prishtinës tha se mjetet janë prej kategorisë së kryetarit dhe kërkesat kanë qenë specifike, derisa për studentin theksoi se nuk ka gjendje të mirë ekonomike.

“Kuvendi është përgjegjës për politika, kryetari e ka të drejtën e ndarjes së subvencioneve, mjetet janë prej kategorisë së kryetarit, kërkesat janë specifike, vendimet i bëjmë për secilën kur t’i dërgojmë në MAPL. Studenti nuk ka kushte të mira ekonomike, kjo ka qenë kërkesë e tij”- deklaroi Bllaca.

Për shkak të këtyre kërkesave për sqarime, kryetari Rama propozoi që kjo temë të vihet si pikë e fundit e rendit të ditës.