Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshje për ndërtim të 5 shkollave të reja

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare për Financa (IFC) për ndërtim të pesë shkollave të reja me partneritet publiko-privat.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë, Besianë Musmurati është shprehur se shkollat do jenë model sa i përket cilësisë dhe standardeve të ndërtimit.

“Modelin e partneritetit publiko-privat të filluar më herët për ndërtimin e shkollave, po e zgjerojmë edhe për 5 shkolla të reja. Nënshkruam marrëveshjen e re me IFC, dhe shkollat e reja do të jenë model sa i përket cilësisë dhe standardeve të ndërtimit”- ka shkruar Musmurati.

Lokacionet preliminare të shkollave të reja janë në lagjet: Arbëria, Mati 1, Veternik, Kalabri dhe Qendër.

Ditë më parë komuna ka vënë themelin për ndërtimin e shkollës në lagjen ‘Qëndresa’ si pjesë e një tjetër partneriteti publiko-privat të komunës për ndërtim të tri shkollave.