'Biçikletat e Qytetit'. foto: Alban Zogaj/Facebook

Komuna e Prishtinës ndan 500 mijë euro për blerje të 100 biçikletave inteligjente për kryeqytetin

Komuna e Prishtinës po planifikon të ndajë 500 mijë euro për blerje të biçikletave inteligjente për kryeqytetin, të cilat do mund të merren me qira deri në 24 orë nga ana e qytetarëve.

Shpallja e njoftimit të tenderit është bërë më 24 mars 2023 dhe do të zgjas deri më 25 prill.

Procedurat e këtij tenderi janë të përshpejtuara. Ndërkaq, kriter i dhënies është çmimi më i ulët.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunë për KALLXO.com bëjnë të ditur se do blihen përafërsisht 100 biçikleta të cilat do jenë me kyçje elektronike inteligjente.

“Do blihen përafërsisht 100 copë​ me kyçje elektronike inteligjente (që do të mundëson sigurimin e biçikletës pranë ose jashtë stacionit, alarmin e sigurisë, pozicionimin e saj nëpërmjet komunikimit GPS, GSM, GPRS, BLE, zhbllokimin dhe kyçjen nëpërmjet aplikacionit mobil, terminalit dhe kartës së përdoruesit dhe kodit QR)”- thuhet në përgjigje.

Biçikletat do jenë në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Përmes këtij tenderi do ndërtohen 10 stacione për këto biçikleta, derisa pagesa për marrje me qira nuk është caktuar ende.

“Pas implementimit të kontratës do të shqyrtohet edhe kostoja për një orë apo një ditë”- thuhet më tej nga kjo drejtori.

Drejtoria thekson se shërbimi  do jetë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë ku sistemi lejon përdoruesit të marr me qira një biçikletë për  kohëzgjatje prej 1 minutë deri në maksimum 24 orë.

Derisa, në dosje të tenderit bëhet e ditur se më këto para përpos furnizimit me biçikleta klasike inteligjente do bëhet edhe;

-Montimi i stacioneve për biçikleta;

-Montimi i stendave për parkimin e biçikletave;

-Instalimi i Softuerit për menaxhimin e sistemit publik të biçikletave;

-Licenca për sistemin publik të biçikletave për 36 muaj.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë se qeverisja në kryeqytet po planifikon të furnizohet me biçikleta që do jenë në dispozicion të qytetarëve.

Për realizimin e këtij projekti, organizata joqeveritare holandeze ‘Dutch Cycling Embassy’ gjatë kwsaj javës kanë qëndruar në Prishtinë të ndihmuar komunën në dizajnimin e këtij sistemi.

Ndërtimi i shtigjeve të ciklizmit nëpër qytet është pjesë e planit 12 vjeçar të mobilitetit.

Komuna e Prishtinës ndan çdo vit buxhet të veçantë për implementim të këtij plani i cili përfshinë kryesisht infrastrukturën rrugore dhe transportin.

Viteve të fundit, komuna ka ndërtuar shtigje të çiklizmit në lagjen ‘Dardania’, ‘Aktash’,  ‘Mati 1’ derisa ka plane për zgjerim edhe në zona tjera.

Prishtina pritet t’i ketë rreth 100 biçikleta të saj, do të shfrytëzohen nga qytetarët