Dizajn i projektit te kurrizit ne lagjen 'Dardania'
Komuna e Prishtinës ndan 1.2 milion euro për renovimin e tunelit të kurrizit në ‘Dardani’
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 1.2 milion euro për “renovim artistik dhe infrastrukturor” të tunelit të kurrizit në lagjen ‘Dardania’.
Operatori ekonomik që do kryejë punimet në tunel është ‘EING COM SH.P.K’
Nga zyra për media e komunës së Prishtinës është bërë e ditur për Kallxo.com se projekti parasheh edhe instalim të sistemeve të ventilimit dhe filtrimit të ajrit.
“Projekti për tunelin në Kurriz ka parashikuar instalimin e sistemeve të ventilimit dhe filtrimit të ajrit për të menaxhuar çdo ndotje të shkaktuar nga lokalet përreth. Këto masa do të sigurojnë që cilësia e ajrit brenda tunelit të ruhet dhe muret të mbrohen nga ndotësit”- thuhet nga komuna.
Derisa, në disa pamje të animuara për atë se si pritet të duket tuneli, shihet se ka plane për hapësira për pushim por edhe biznese brenda tunelit.
Ka disa vite që qytetarë të kësaj zone kërkojnë që tuneli i kurrizit të ngjyroset dhe rinovohet, por edhe të ketë ndërhyrje në sistem ajri për shkak të ndotjes që vinte nga lokalet përreth.
Vite më parë, komuna bëri rekonstruktim të platosë së këtij kurrizi, derisa pjesa brenda kishte mbetur e paprekur.