E-kiosku

Komuna e Prishtinës: Mosfunksionimi i E-kiosqeve vjen si shkak i ndryshimeve në certifikata nga MPB

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se mosfunksionimi i E-kiosqeve është problem që po përballet i gjithë vendi si shkak i disa ndryshimeve në certifikata nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Mosfunksionimi i E-kiosqeve është një problem me të cilin nuk po përballet vetëm Komuna e Prishtinës, por i gjithë vendi dhe vjen si rezultat i disa ndryshimeve që janë bërë në certifikata nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Në njoftim tutje potencohet se komuna ka probleme edhe me ndërprerje të sistemit që po shkakton radhë të gjata në sportele.

“Po ashtu, për arsye të sigurimit të të dhënave në sistemin elektronik, jemi duke pasur edhe ndërprerje të njëpasnjëshme të sistemit në periudha të ndryshme kohore, gjë kjo që po i shkakton edhe radhët e gjata të pritjes në sportelet e Komunës”, thuhet më tej nga komuna.

Komuna kërkon mirëkuptim nga ana e qytetarëve, pasi sipas tyre, nuk kanë kompetencë të ndërmarrin ndonjë veprim konkret.

“Kërkojmë mirëkuptim nga ana e qytetarëve deri në zgjidhjen e këtij problemi, duke marrë parasysh se Komuna nuk ka kompetencë të ndërmarrë ndonjë veprim konkret, veçse të vazhdojë ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve brenda Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftim.