Komuna e Prishtinës miraton planin rregullues të hollësishëm për lagjen 'Kalabria', vendos barazi në koeficient të pronave

Në mbledhjen e fundit të kësaj legjislature, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar Planin rregullues të hollësishëm për lagjen ‘Kalabria’.

Ky plan është nisur që nga viti 2015 nga Kuvendi Komunal si dhe ka kaluar të gjitha procedurat duke mbajtur edhe shqyrtimin publik.

Në vitin 2019 është bërë edhe një plan i hollësishëm brenda tij për segmentin e kolektorit të ujërave të zeza që ka mbetur i papërfunduar.

Kryetari Shpend Ahmeti tha që do të ketë barazi në pronat ku ka ndërtim të lartë dhe banim.

“Të kemi barazi për të gjithë, pronat ku ka ndërtim me koeficionet 1.8 të bëhen 2.4 pasi shumica e lagjes karakterizohet me ndërtim të lartë. Ankesat më të mëdha të kësaj lagjeje kanë qenë që tokat në afërsi me njëra-tjetrën janë me koeficiente të ndryshme, disa 1.8 e disa 2.4”, ka thënë Ahmeti.

I pari i Prishtinës tutje potencoi që, te blloqet ku ka Tregti, Administratë dhe Hoteleri nga P+3 të bëhen në P+5 dhe të shtohet mundësia për banim në këto blloqe.

“Pronat ku ka ndërtim dhe banim të bëhen me të njëjtin indeks të shfrytzueshmërisë, njëjtin koeficionet dhe etazhitet”, shtoi tutje Ahmeti.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e fundit të kësaj legjislature.