Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës me vetëm 5 mjek pediatër në kujdesin parësor, në mungesë të spitalit, rastet serioze drejtohen në QKUK

Komuna e Prishtinës ka vetëm 5 mjek pediatër në gjithë stafin e kujdesit parësor shëndetësorë, të cilët nuk janë të shpërndarë në qendra të ndryshme, por vetëm në njësinë e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Drejtori i kësaj qendre, Bujar Gashi për KALLXO.com ka bërë të ditur se komunat nuk mund të rekrutojnë mjek të rinj pediatër pasi kështu e rregullon ligji.

“Mungesa e mjekëve Pediatër në Kujdesin Parësor është sepse ashtu e rregullon ligji, dhe komunat nuk mund të rekrutojnë mjek të rijnë. Numri i Pediatrave është gjithsej 5, Pediatër ka vetëm në njësinë e Pediatrisë në Qkmf”- është shprehur Gashi.

Sipas tij, me udhëzimin administrativ 04/2020 nuk është paraparë specialisti pediatër në kujdesin parësor shëndetësor.

Gashi tutje theksoi se specialisti i mjekësisë familjare (mjeku i përgjithshëm) është kompetent për shëndetin e qytetarëve nga lindja deri në vdekje.

“Sipas konceptit të mjekësisë familjare, specialisti i mjekësisë familjare është kompetent për shëndetin e të gjithë qytetarëve pa dallim që nga lindja  deri ne vdekje”- shtoi ai.

Sipas këtij udhëzimi administrativ, profesionistët shëndetësor që ofrojnë shërbime në kujdesin parësor janë: Specialisti i mjekësisë familjare, doktori i mjekësisë, doktor i stomatologjisë specialistë i pedodoncisë dhe preventivës, farmacist, specialist i biokimisë klinike, infermier, mami, teknik laborant, teknik i farmacisë, teknik asistentë i stomatologjisë, radiologu. Derisa, në QKMF ku funksionin materniteti, është i domosdoshëm Gjinekologu dhe Neonatologu ose Pediatri.

Pediatrja Vjosa Mulliqi-Kotori për KALLXO.com ka  thënë se sistemi i mjekësisë familjare është i paraparë në atë formë që mjeku i përgjithshëm të jetë në gjendje të trajtojë si fëmijët edhe të rriturit, pasi ka kaluar në këto trajnime.

Derisa, prezenca e pediatrit të jetë në nivelin sekondar, por Prishtina nuk ka spital të vetin ende dhe kjo, sipas saj, është problem.

“Për aq sa kam njohuri, nëpër ambulante sistemi i mjekësisë kur është zhvilluar ka paraparë që aty të jetë mjeku familjar, kurse pediatri të jetë vetëm në mjekësinë sekondare. Mjekësia familjare është zhvilluar në atë formë që mjeku familjar të jetë në gjendje të trajtojë edhe fëmijën edhe të rriturin, do të thotë e kanë kryer atë specializim”- tha Mulliqi-Kotori.

“Në rast kur kërkohet nivel më i lartë i trajtimit, dërgohen në nivel sekondar, por Prishtina nuk ka spital dhe kjo, është problem”- shtoi ajo.

Komuna e Prishtinës me ligjin për kryeqytetin ka të drejtë të ketë spital të vetin andaj prej këtij viti pritet të nisin procedurat e para për ndërtim të tij.

Komuna e Prishtinës kohëve të fundit është duke u përballur edhe me mungesë të mjekëve të përgjithshëm në kujdesin parësor.

Shumë punkte të ambulanteve në fshatra janë mbyllur, duke e bartur stafin mjekësor në qendra më të mëdha.

Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, komuna e Prishtinës nuk ka të drejtë të mbajë më shumë se 871 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor.

Aktualisht, në Prishtinë qytetarët shërbimet i marrin në nivelin parësor (QMF) dhe në raste më serioze drejtohen në nivelin terciar (QKUK).