Komuna e Prishtinës identifikon pronat e uzurpuara në zonën industriale, së shpejti merren masa
Komuna e Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme ka shqyrtuar raportin për shfrytëzim të pronave komunale në zonën industriale të kryeqytetit.
Një komision i komunës i ka ndarë këta shfrytëzues të pronave në katër kategori për të cilët janë dhënë edhe rekomandime.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se një pjesë e madhe e bizneseve në zonën industriale kanë shfrytëzuar pronat pa ndonjë kompensim për komunën.
“Kemi krijuar tri komisione që kanë përgatitur raporte për rregullim të shfrytëzueshmerisë së këtyre pronave brenda ligjit. Një pjesë e madhe janë shfrytëzuar pa kompensim për komunën”- u shpreh Përparim Rama.
Behar Mehana, anëtar i komisionit për vlerësim të pronave në zonën industriale ndau detaje të shfrytëzueseve në këtë zonë.
Komisioni ka gjetur 37 shfrytëzues të 15 parcelave me sipërfaqe 9 hektarë.
“Komisioni që unë udhëheq për verifikim të shfrytëzimit të pronës komunale ka bërë vizita në teren dhe ka identifikuar 37 shfrytëzuar që shfrytëzojnë 15 parcela në zonën industrial me sipërfaqe prej 9 hektarë”- tha ai.
Këta shfrytëzues janë klasifikuar në katër kategori: Kategoria e parë janë shfrytëzuesit që parcelat i shfrytëzojnë në bazë të kontratave që nuk i kanë afatet e përcaktuara, por në bazë të disa vendimeve të vitit 2000 të nxjerra nga bordi administrativ i komunës së Prishtinës. U përmenden dy biznese, si shfrytëzuese.
Këtyre dy bizneseve me vendim të vitit 2000 fillimisht u është ndarë një sipërfaqe prej 3,949m2, të njëjtit shfrytëzojnë 1 hektar, njëri biznes shfrytëzon mbi 9,912 metra katror, derisa një biznes tjetër 4,200 metra katror.
Për këto kategori komisioni ka rekomanduar që të zbatohet dispozita e nenit 5 për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës.
Dhënie në shfrytëzim e këtyre sipërfaqeve pra mbi 3,900 metra katror të jetë për 1 vit dhe në dakordim me palën të bëhet pagesa e qirasë për tokën e dhënë në shfrytëzim.
Rekomandimi i dytë për sipërfaqet e tejkaluara që është mbi 5000 metra katror është që drejtoria e pronës dhe ajo e inspekcionit ti marrin veprimet për lirim të tyre.
Kategoria e dytë janë shfrytëzuesit me afate të caktuara ku janë 16 të tillë, secili prej tyre shfrytëzon më shumë sipërfaqe se që u është dhënë. Shumica e këtyre kontratave kanë qenë në afat për tre vite e skadim në vitin 2012.
Sipërfaqja totale që u është ndarë këtyre bizneseve është 2.2 hektarë por shfrytëzojnë diku 2.9 hektarë, pra 70 ari më shumë.
Nga viti 2012 ku kanë skaduar këto kontrata komuna ka humbur 366 mijë euro.
Edhe për këtë kategori rekomandohet neni i lartpërmendur, pra të jepen në shfrytëzim për një vit dhe të paguhet renta për komunën vetëm për pjesën që është lëshuar vendimi në fillim. Derisa pjesa e uzurpuar të lirohet.
Kategoria e tretë janë shfrytëzuesit pa dokumentacion që shfrytëzojnë pronë komunale pa ndonjë bazë ligjore, pra 4.4 hektarë.
Meqenëse këta persona nuk kanë ndonjë bazë ligjore për shfrytëzim të merren veprime të menjëhershme për lirim të pronës komunale.
Kategoria e katërt është sqarim i çështjes së pronësisë, 1 shfrytëzues i një objekti me sipërfaqe 1184m, konsiderohet se parcela është e komunës, kurse objekti i AKP.
Lidhur me këtë raport, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nora Kelmendi tha se meqë këto kontrata kanë skaduar, duhet të shkëputen.
“Meqenëse janë kaluar afatet shfrytëzimit me kontratë, kryetari i komunës duhet të marr vendim për shkëputje të kontratës dhe të njoftoj Kuvendin për këto shkëputje”- tha ajo.
Derisa, Gëzim Sveçla po ashtu nga LVV tha se rekomandimi i komisionit të komunës për vazhdim edhe një vit duke marr parasysh se edhe janë shkel afatet, ligjërisht nuk është në rregull.
Diskutimet dhe të dhënat u thanë gjatë një seance në Kuvendin Komunal të Prishtinës të premten.