Mirembajtja e varrezave, foto: Hortikultura/Facebook

Komuna e Prishtinës hap varret vetëm në qytet, në fshatra duhet të organizohen vetë banorët

Ndërmarrja publike ‘ Hortikultura’ e komunës së Prishtinës bënë hapjen e varreve vetëm brenda kryeqytetit, por jo edhe në zonat rurale.

Kjo ka bërë që banorët e fshatrave të komunës të bëjnë vetë hapjen e varreve apo me ndihmë të fqinjve në raste të vdekjeve.

Problemi më i madh i zonave rurale është që janë braktisur në masë si shkak i emigrimit apo shpërnguljes në zona urbane.

Azem Gashi nga fshati Dabishevc për KALLXO.com ka deklaruar se u është dashur të paguajnë një bagerist për hapje të varrit pasi nuk ka pas njerëz që do ta ndihmonin në atë proces.

“Vëllai im ka vdekur në muajin maj dhe jemi detyru të paguajmë një bagerist për të bërë hapjen e varrit. Vëllai ka vdekur jashtë vendit, por trupi i është sjellë këtu. Sigurisht, tradita e ka që nëse një shtëpi ka vdekje, fqinjët ndihmojnë në varr mihje, por nuk ka mbetë askush në këtë pjesë fshati ”, ka thënë Gashi.

Ndërmarrja komunale ‘ Hortikultura’ përpos varrmihjes ka në përgjegjësi edhe mirëmbajtjen e varrezave (ku po ashtu hyn vetëm qyteti).

Gjithashtu, ndërmarrja bënë edhe mirëmbajtjen e parqeve dhe mbjelljen e drunjve e luleve dekorative.

Altin Kukaj nga ndërmarrja ‘Hortikultura’ për KALLXO.com ka bërë të ditur se në kontratën me komunën e Prishtinës nuk e kanë të cekur mirëmbajtjen jashtë qytetit.

“Ne jemi kontraktues me Komunën e Prishtinës dhe në kontratën e mëparshme nuk e kemi pasur të cekur të bëjmë hapjen dhe mirëmbajtjen e varrezave jashtë qytetit të Prishtinës”, ka deklaruar Kukaj.

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga drejtoresha e parqeve në komunë, Donika Çeta, lidhur me këtë çështje, por nuk është dhënë ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Kurse, për të njëjtën çështje, ish- drejtoresha e parqeve në komunë Fatime Hajdari në vitin 2021 pati deklaruar se akiviteti i ‘Hortikulturës’ jashtë qytetit do kishte kosto të madhe për komunën.

“Drejtoria e Parqeve ka kontratë vjetore me NPL “Hortikultura” ku ndër tjerash përfshihet edhe mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe hapjen e varreve. Sa i përket fshatrave të Komunës së Prishtinës, organizimi dhe mirëmbajtja e varrezave bëhet nga vetë banorët dhe lagjet në bazë të organizimit që ka fshati. Mbulueshmëria e fshatrave nga NPL “Hortikultura” do të kishte një kosto jashtëzakonisht të lartë,” kishte deklaruar Hajdari për KALLXO.com

Në anën tjetër komuna e Prishtinës pritet të ketë buxhet në vlerë 105 milionë euro për vitin 2023.

Nënkryetari i komunës Alban Zogaj ka bërë të ditur se 40 milionë euro do alokohen për investime kapitale.