Tregu i makinave, Prishtinë

Komuna e Prishtinës do t`i shesë 113 vetura të konfiskuara për 15,670 euro

Komuna e Prishtinës planifikon të shes mbi 113 makina të konfiskuara në vlerë prej 15 mijë e 670 euro përmes një ankandi publik.

Makinat që do dalin në ankand janë të konfiskuara në territorin e Prishtinës dhe komuna është duke pritur vetëm vendimin nga gjykata që t’i shes ato dhe të lirojë këtë hapësirë për parking.

Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, nënkryetari i komunës, Muhedin Nushi.

“113 makina janë të aprovuara nga Kuvendi Komunal për ankand publik. Të gjitha automjetet që konfiskohen nga Policia e Kosovës ose Gjykatat, fillimisht rrethohen me shirit të kuq. Në momentin kur Gjykata vendos (i liron) për procedurë të metejme, ato automjete rrethohen me shirit të verdhë (që nënkupton se mund të iniciohet procesi i ankandit publik). Prandaj, këto mjete pikërisht janë ato të cilat janë të rrethuara me shirit të verdhë”, ka thënë Nushi.

Sipas Nushit, vlera e këtyre makiniave në bazë të komisionit vlerësues shkon deri në 15 mijë e 670 euro.

Nënkryetari potencoi se gjendja e këtyre makinave nuk është aspak e mirë dhe se ato mund të shërbejnë vetëm për pjesë shtesë ose skrap.

“Sipas komisionit vlerësues, gjendja e tyre nuk është aspak e mirë dhe pjesa dërmuese e tyre mund të shiten në ankand vetëm për pjesë rezervë ose skrap”, shtoi tutje Nushi.

Komuna e Prishtinës deri tani ka organizuar katër ankande të tilla, ndërsa më i famshmi ka qenë ai i vitit 2017 kur është shitur vetura Q7 e komunës që ishte përdorur nga ish kryetari Isa Mustafa, pasi atë kohë kryetari aktual, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se nuk i nevojitet një makinë e shtrenjtë pasi do udhëtojë me autobus.