Ilustrim

Komuna e Prishtinës do përzgjedh drejtorët dhe zëvendës-drejtorët në bashkëpunim me ambasadën britanike

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës planifikon të bëjë përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve në bashkëpunim me ambasadën britanike.

Drejtoresha e Arsimit Besianë Musmurati përmes rrjetit Facebook bëri të ditur se me këtë iniciativë do i japin fund punësimeve partiake në shkollat e Prishtinës.

“Do t’iu japim fund punësimeve partiake në shkollat e Prishtinës! Jam e lumtur që për herë të parë në historinë e Komunës së Prishtinës, me kërkesën dhe iniciativën e Drejtorisë së Arsimit, drejtorët dhe zëvendës-drejtorët e shkollave tona do të përzgjedhen në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë. Me këtë, ne do të vendosim një vijë të qartë mes qeverisjes sonë në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjeve të kaluara”, ka shkruar Musmurati.

Musmurati potencoi se procesi i emërimit të drejtorëve është çështje e rëndësisë parësore për t’u bërë sa më transparent.

“Menaxhimi i shkollave është jetik për funksionim të mirëfilltë të arsimit. Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të Prishtinës lidhet ngusht me mënyën e funksionimit dhe menaxhimit të shkollave dhe çerdheve. Prandaj, e konsideruam çështje të rëndësisë parësore që procesin e emërimit të drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të shkollave ta bëjmë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës”, shtoi Musmurati.

Sipas saj, punësimet jo meritore do i’a lënë të kaluarës.

“Duke ua lënë udhëheqjen profesionistëve, të ardhmen ua japim nxënësve, kurse punësimet jo-meritore të kaluarës”.