Foto: Bekim Ramku/Facebook

Komuna e Prishtinës do ndërtojë sallë sportesh afër stacionit të autobusëve - FOTO

Në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë, afër Stacionit të autobusëve pritet të ndërtohet një sallë sportesh.

Për këtë projekt komuna e Prishtinës në buxhetin e këtij viti ka ndarë 5 milionë euro.

Kjo sallë që do zërë hapësirë prej 2.5 hektarësh pritet të shërbejë për të gjithë qytetarët e komunës.

Fitim Rexha, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës ka deklaruar se punimet për këtë sallë do nisin gjatë vitit të ardhshëm.

“Nga ajo se si po shkojnë procedurat deri më tani unë vlerësoj se punimet do të mund të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Rexha.

Sipas tij, për këtë projekt do nevojiten më shumë para nga sa ka paraparë komuna.

“Është vlerësuar nga arkitektët ndërkombëtarë dhe ata vendor se kostoja e këtij projekti do të jetë më a madhe. Kjo do të jetë salla më e bukur, më funksionale dhe me një infrastrukturë moderne më e mira në rajon”, tha ai.

Rexha shtoi se përpos sallës kryesore, në projekt përfshihen edhe salla ndihmëse për sporte të ndryshme, lokale argëtimi për shikues dhe numër të madh parkingjesh.

“Në këtë projekt është paraparë çdo gjë që duhet të përmbajë një sallë moderne e sporteve: Salla ndihmëse për sporte të ndryshme, lokale argëtimi për shikues, parkingje të mjaftueshme”, shtoi tutje Rexha.

Lidhur me deklarimet e mëhershme të kryetarit Shpend Ahmeti se tek ajo zonë do ndërtohet një qendër tregtare, Rexha ka thënë se ky është një projekt i veçantë.

FOTO: Komuna e Prishtinës
Foto: Bekim Ramku/Facebook

Foto: Bekim Ramku/Facebook