Komuna e Prishtinës do jap artikuj ushqimor në vlerë 300 euro si shujtë vjetore për punëtorët e saj

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot ka miratuar kërkesën e Sindikatës së shërbyeseve civil të komunës për pagesë të shujtave ushqimore për vitin 2020.

Kjo kërkesë kishte ardhur pas gjendjes me pandeminë gjatë këtyre dy viteve.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se Sindikata ka kërkuar deri në 500 euro, por komuna ka kapacitet të ndajë deri në 300 euro në vit për mbi 600 punëtorë të administratës.

Ahmeti potencoi se paratë për shujta nuk mund të alokohen si mjete financiare por si pako ushqimore.

“Ka ardhur kërkesë prej punëtorëve për pagesë të shujtave, ata i kanë kërkuar 500 euro, por e kemi një problem pasi kjo nuk mund të paguhet nga kategoria paga dhe mëditje sepse ajo është e drejtë e rezervuar e nivelit qendror. Kjo mund të paguhet vetëm përmes mallrave dhe shërbimeve (nuk mund të paguhen si para vetëm të blihen si artikuj ushqimor) në vlerë prej 300 euro në vit”, ka thënë Ahmeti.

Në Kuvendin Komunal u tha se Ligji nuk lejon që këto shujta të paguhen në formë të pagës për punëtoret e komunës.

Ahmeti potencoi se kanë arritur të gjejnë disa mjetë të lira nga drejtoria e shëndetësisë për të paguar këto shujta, derisa për mënyrën si do alokohen këto mjete, në Kuvend u propozua që të diskutohet më gjerësisht me përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të komunës.

“Ne për vitin 2020 e kemi bërë një zgjidhje ku i kemi gjetur disa mjete të lira nga drejtoria e shëndetësisë deri në 240 mijë euro për më shumë se 600 punëtorë. Është mirë të diskutohet me Sindikatën për mënyrën si do alokohen mjetet”, shtoi tutje Ahmeti.

Në Kuvendin Komunal u potencua se komuna ka shumë punëtorë nëpër kontrata të ndryshme me kompani private, prandaj u propozua që të paguhen ata që kanë kontratë me komunën (punëtor të rregullt të komunës) e jo kompanitë private.

Kërkesa e sindikatës ishte që të paguhen punëtorët civil në komunë, derisa në kuvend u tha se kanë edhe kategorinë e të punësuarve publik në shkolla e spitale, por pasi janë tjera objekte, kjo duhet të specifikohet edhe më tutje.

Derisa, punëtorët e sigurimit dhe pastrimit në objekte komunale, përfshirë bashkësitë lokale do futen në lista për të mos mbetur jashtë kësaj ndihme.

Komuna sot ka mbajtur mbledhjen e fundit të kësaj legjislature.