Komuna e Prishtinës del me sqarim për krasitjen e drurëve në shesh

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ndërmarrja komunale “Hortikultura” me kërkesë të Drejtorisë së Parqeve ka përfunduar pastrimet sanitare në gjithë qytetin e Prishtinës.

Përmes një komunikate, komuna thekson se në kuadër të këtij pastrimi, është dhënë forma e drurëve dekorativ, gjegjësisht kurorës së tyre.

“NPL “Hortikultura” me kërkesë të Komunës së Prishtinës përkatësisht të Drejtorisë së Parqeve, deri me tani ka përfunduar pastrimet fito sanitare në të gjithë qytetin e Prishtinës. Në kuadër të pastrimit fito sanitar është edhe dhënia e formës së drunjëve dekorativ gjegjësisht kurorës se tyre, prerja e degëve të thara, dhe të thyera si dhe degëve potencialisht të sëmura”, thuhet nga komuna.

Sipas tyre, gjatë këtij procesi, rëndësi e veçantë i është dhënë kërkesës së komunës që degët e krasitura të barten në lulishten e ndërmarrjes.

Qëllimi i kësaj krasitje, sipas komunës, është ruajtja e ekuilibrit të bimëve.

“Qëllimi i krasitjes është bazuar në aspektin sanitar-estetik, ruajtja e ekuilibrimit të organeve nëntokësore dhe mbitokësore të bimëve, që konsiston në baraspeshimin e marrjes se ujit dhe materieve ushqyese dhe shpenzimit të këtyre materieve nga vetë bima. E gjitha kjo bëhet në drejtimin e ruajtjes se gjendjes se përgjithshme shëndetësore të vet bimës”, thuhet tutje nga komuna.

Në komunikatë theksohet se secila bimë i ka kërkesat dhe nevojat sipas gjendjes se vet habitusit të saj, e konform kësaj kryhen edhe operacionet e krasitjes.

Gjatë ditës së djeshme pati shumë reagime nga ana e qytetarëve lidhur me krasitjen e drurëve dekorativ në sheshet e qytetit.

Lidhur me këtë, profesorë dhe njohës të botanikës deklaruan se është ‘krasitje e ashpër’ por jo jashtë rregullave.

Nga ‘Hortikultura’ bënë të ditur se këta drurë është dashur të krasiten para dy viteve por ka pasur vonesa. Për këtë shkak, drurët kanë nisur të humbin formën origjinale.

Sipas tyre, procesi i krasitjes ka filluar nga muaji nëntor në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe ka vazhduar deri tani, kur vegjetacioni është aktiv.

Në muajin nëntor të vitit 2021, ndërmarrja ‘Hortikultura’ me pëlqim të Komunës së Prishtinës nisi procesin e pastrimit fotosanitarë në rrugën ‘Agim Ramadani’ ku po ashtu pati kritika për prerje të tepërt të degëve.

Pastrimi fitosanitarë përfshinë dhënien e formës së bimëve dekorative, largimin e degëve të thata, largimin e gjetheve të rëna në sipërfaqe dhe në fund rikultivimin e sipërfaqeve gjelbëruese.

Hortikultura, njohësi i botanikës e opozita deklarohen për krasitjen e drunjve në Prishtinë (PAMJE)