Stacioni i Autobuseve

Komuna e Prishtinës anulon konkursin për anëtarë bordi të Stacionit të Autobusëve

Komuna e Prishtinës ka anuluar konkursin për zgjedhjen e 4 anëtarëve të bordit të përhershëm të shpallur më 14 nëntor 2022 për ndërmarrjen lokale ‘Stacioni i Autobusëve’.

Kështu është vendosur nga komisioni komunal i aksionarëve në mbledhjen e mbajtur më 23 janar.

Sipas komunës, anulimi i konkursit u bë pas ngjarjeve të fundit të ndodhura gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të aplikantëve, që kanë rezultuar me mungesë të disa dokumenteve të aplikantëve.

Komuna në njoftim potencon se këto ngjarje po hetohen edhe nga policia e Kosovës.

Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës udhëzoi Komisionin Komunal të Aksionarëve për rishpallje të këtij konkursi në afat prej 15 ditësh.

“Anulimi i konkursit është mbështetur kryesisht nga takimet tona të përbashkëta si Komision Komunal i Aksinorëve, ngjarjet e fundit të ndodhura gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të aplikantëve, ngjarje këto që kanë rezultuar me mungesë të disa dokumenteve të aplikantëve, të cilat ngjarje janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Ky vendim mbështetet në opinionin nga Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës e cila në këto rrethana udhëzon Komisionin Komunal të Aksionarëve për rishpallje të konkursit të hapur në afat prej 15 ditësh kalendarike në kanalet publike”- thuhet në vendimin e Komunës.