Komuna e Mitrovicës së Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Komuna e Mitrovicës së Veriut obligon qytetarët ta regjistrojnë pronën, paralajmëron shqiptim të gjobave
Përmes një letër kujtese për “Regjistrim të pronës së paluajtshme” Komuna e Mitrovicës së Veriut njofton se brenda tridhjetë ditëve kalendarike nga data kur është bërë njoftimi publik (10.12.2024) apo nëse qytetarët kanë pranuar këtë letër kujtese janë të obliguar të paraqiten në: Zyrën e Tatimit në Pronë nё Komunёn e Mitrovicёs Veriore, nё katin pёrdhesë me adresën “Lagja e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut. Në të kundërtën siç njoftojnë komunarët qyterarëve do t’u shqiptohen gjoba.
“Nëse nuk i përmbaheni letër kujtesës në afatin e paraparë ligjor do të ju shqiptohet gjobë në një shumë që është e barabartë me tridhjetë përqind (30%) të tatimit të vlerësuar në vitin pasues”- thuhet në njotim.
Sipas komunës, për tatimpaguesit që refuzojnë inspektimin, shqiptohet gjobë në vlerë 30% të tatimit të vlerësuar në vitin pasues, po ashtu gjobë do të shqiptohet edhe për tatimpaguesit që nuk deklarojnë ndryshimet në pronën e palujtshme.
“Për tatimpaguesit që nuk deklarojnë ndryshimet në pronën e palujtshme, shqiptohet gjobë në vlerë që është e barabartë me dyfishin e tatimit të vlerësuar që rrjedh nga diferenca midis vlerës së re të vlerësuar dhe vlerës së vjetër”- thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ndërsa 100 euro gjobë do t’i shqiptohet tatimpaguesit i cili deklaron dy apo më shumë njësi rezidencale si vendibanimin i tij primar.
“Tatimpaguesi i cili deklaron dy (2) apo më shumë njësi rezidenciale të objektit si vendbanimin e tij parësor i shqiptohet gjobë prej 100 eurosh. Tatimpaguesi i cili nuk paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë përqind (10%) të këstit të tatimit të papaguar”- theksohet në njoftim.
Njoftimi paraprak i Komunës së Mitrovicës së Veriut për këtë çështje ishte bërë më 09.10.2024.