Foto: KALLXO.com

Komuna e Lipjanit lëshon pëlqim për ndërtimin e një ashensori, MMPHI-ja ndalon punimet pasi investitori nuk kishte leje ndërtimore

Një pëlqim është lëshuar nga ana e Komunës së Lipjanit në gusht të vitit të kaluar për ndërtimin e një ashensori në ish ndërtesën e Ferronikelit në këtë qytet, mirëpo ky ndërtim ka mbetur në gjysmë.

Kjo pasi punimet janë ndaluar nga ana e Inspektoratit të kësaj komune, të cilët për të bërë një veprim të tillë kanë pasur kërkesë nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kjo kërkesë ishte bërë pasi Komuna e Lipjanit, sipas MMPHI-së, ka lëshuar vetëm pëlqim për ndërtimin e këtij ashensori e jo leje ndërtimore.

“Inspektorati i Komunës ka lëshuar Vendim për ndalimin e punimeve për ndërtimin e ashensorit për arsye se për ndërtimin e ashensorit kërkohet që investitori të pajiset me leje ndërtimore e jo vetëm pëlqim”, ka thënë MMPHI-ja për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Lipjanit.

Këta të fundit kanë konfirmuar se Drejtoria për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit kanë lëshuar pëlqim për zhvillim të punimeve nga ana e investitorit, e i cili është Banush Fazliu, përfaqësues i kompanisë “Vllëzrit e Bashkuar”.

Ndërtimi i këtij ashensori ka qenë e mbetet problem edhe për banorët e kësaj ndërtese.

Është Igballe Aliu ajo që vazhdimisht ka dërguar kërkesa në institucione kompetente për t`u ndërprerë punimet nga ana e investitorit.

Ajo ka thënë për KALLXO.com se në 2017 është bërë banore e kësaj ndërtese dhe qysh atëherë është duke u marr me probleme të tilla.

“Këtë problem si banore e kam prej kur kam fillu me banu këtu, në 2017, mirëpo një problem i tillë qysh më kanë thanë banorët është qysh pas lufte”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Sipas saj pos vendosjes së ashensorit, edhe hyrjet e banesave që janë private janë shfrytëzuar nga ana e Fazliut.

Ajo tha se ky i fundit në hyrjet e banesave ka vendosur disa dyer, të cilat sipas saj investitori mendon që t’i shfrytëzoj në të ardhmen.

“I është lënë një pjesë e kulmit e ndërtesës banesore në shfrytëzim, flitet se do të hap restorant ku na nga kjo do të kemi çdo herë probleme. Nëse hapet restorant na nuk kemi më as të njetun në këtë banesë”, ka thënë ajo.

Edhe për vendosjen e këtyre dyerve, njëjtë si për vendosjen e ashensorit është bërë ankesë në institucione përkatëse.

“E kemi njoftu Policinë, kemi tentu me ndalu mos me i vendos dyert brenda, por në prezencë të Policisë e të Inspektoratit të Komunës së Lipjanit i ka vendos dyert”, ka thënë Aliu.

Madje Aliu më 12 janar të këtij viti ka kërkuar në komunë që të bëhet mbyllja e këtyre dyerve.

Për këtë kërkesë, sipas Aliut, Drejtoria i Inspektoratit më 18 janar të 2022-ës i ka kthyer përgjigje kësaj kërkese.

Në përgjigjen e tyre është treguar se inspektorët e ndërtimit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se në bazë të pëlqimeve të lëshuara më herët, pronari ka të drejtën e renovimit, gjegjësisht ndërrimit të dyerve dhe dritareve.

“Drejtoria e Inspektoratit nuk ka Autoritet të dalë jashtë asaj që është e paraparë me Ligj”, është thënë në përgjigjen e tyre.

Në disa përgjigje për KALLXO.com zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyqi ka thënë se hapjet tjera të cilat ndikojnë në hapësirën e përbashkët të Ndërtesës se banimit, e që sipas saj janë korridoret e përbashkëta, nuk do të lejohen.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj dhe me Banush Fazliun, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga ana e tij.

I njëjti nuk iu është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të KALLXO.com.

Foto: KALLXO.com, pjesa ku është vendsosur ashensori