FOTO KALLXO- autobuset e linjave private

Kompanitë private të transportit publik edhe pas 6 muajve ende nuk i kanë marrë paratë nga Komuna e Prishtinës

Në muajin mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka ndarë një subvencion prej 400 mijë eurove për kompanitë private të autobusëve në linjat e transportit publik.

Këto mjete u ndanë për shkak të gjendjes financiare që kishin këto kompani pas situatës me pandeminë COVID-19.

Komuna atë kohë deklaroi se procedurat për ndarjen e mjeteve për kompanitë do të fillojnë me krijimin e një komisioni i cili do bëjë ndarjen e mjeteve.

Rreth 6 muaj nga ndarja e këtyre mjeteve, nuk është formuar ende ky komision dhe rrjedhimisht as kompanitë ende nuk i kanë marrë paratë.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com, Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave në Komunën e Prishtinës.

Ajo tha se kriteret janë përcaktuar, por nuk është formuar ende komisioni për ndarjen e këtyre subvencioneve.

“Caktimi i kritereve për aplikim është, kurse komisioni për ndarje të këtyre subvencioneve nuk është formuar ende”, ka thënë Makolli.

Tutje Makolli potencoi se pas formimit të komisionit, ku do ketë edhe përfaqësues të shoqatës, pritet të fillojë aplikimi dhe vlerësimi i kompanive.

“Kur të bëhet caktimi i komisionit do fillojë aplikimi dhe vlerësimi i kompanive, këto aplikime më pas sillen të protokolluara dhe të nënshkruara në zyrën e financave për procedim të tyre”, shtoi tutje Makolli.

Ndërsa Ismet Haliti nga shoqata e autobusëve të kompanive private për KALLXO.com ka deklaruar se këto subvencione nuk i kanë marrë ende dhe se gjërat po ecin shumë ngadalë.

Ai potencon se të ardhurat i sigurojnë vetëm nga biletat, e që në këtë rast dëmtohen edhe nga kombibusët dhe taksitë ilegale.

“Paratë nuk i kemi marrë ende, po na thonë që një komision i formuar nga ekzekutivi duhet të merret me këtë punë, por gjërat po ecin shumë ngadalë. Ne jemi në gjendje të rëndë, si sektor privat të ardhurat i sigurojmë nga biletat, pastaj kemi dëme edhe nga taksitë dhe kombibusët ilegalë”, ka thënë Haliti.

Në shoqatën e autobusëve privat janë rreth 100 autobusë, kurse linjat më të mëdha janë ato që kanë qarkullim në zonat urbane.

Në mesin e këtyre kompanive bëjnë pjesë linjat e autobusëve si: 10 ( Hajvali), 7A, 7B, 3A, 2,  dhe linja më të vogla.

Kurse, linja 5 e trasportit publik ka disa muaj që ka ndalë qarkullimin pasi nuk plotësoi kushtet që kërkoheshin gjatë masave të pandemisë.

Sipas kësaj shoqate, vetëm në vitin 2020, si shkak i pandemisë, kanë humbur mbi 1.4 milionë euro dhe rreth 100 punëtorë.