Foto: Adeline Sahiti/Facebook

Kështu pritet të duket pushimorja për pensionistët e Prishtinës në Istog (Pamje)

Komuna e Prishtinës është duke investuar 70 mijë euro për renovimin e pushimores për të moshuarit në Istog.

Pushimorja e cila ndodhet në Banjë të Istogut, është pronë e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, me kërkesë të cilëve po kryen këto renovime nga ana e Komunës së Prishtinës.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në komunë Adelinë Sahiti ka thënë se pushimorja po merr formë pas renovimeve që po bëhen në të.

“Pushimorja për pensionistët po merr formë tashmë. Vizituam nga afër zhvillimin e punimeve në renovimin e objektit i cili do të shërbejë si pushimore për pensionistët e Prishtinës”, është shprehur Sahiti.

Sahiti potencoi se sapo të përfundojë renovimi, do të fillojnë me inventarizimin e saj dhe kësisoj të jetë e gatshme për përdorim.

Drejtoresha u shpreh se do punojnë më shumë për të pasuruar programin për të moshuarit.

“Me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës u dakorduam se në vazhdën e aktiviteteve e Qëndrimeve Ditore në Prishtinë do të zhvillojmë e pasurojmë edhe më shumë programin e projektet për të moshuarit”, shtoi më tej Sahiti.

Kjo pushimore nuk është në funksion që nga viti 2005, për shkak të kushteve jo të mira.

Komuna e Prishtinës  gjatë viteve të fundit ka hapur katër qendra për qëndrim ditor për të moshuarit në disa lagje të qytetit.

Foto: Adelinë Sahiti/Facebook
Foto: Adeline Sahiti/Facebook
Foto: Adelinë Sahiti/Facebook
Foto: Adelinë Sahiti/Facebook

Prishtina ndan rreth 70 mijë euro për renovim të pushimores për të moshuarit në Istog