Mytaher Haskuka. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kërcënimet ndaj asamblistes Dafina Alishani, flet kryetari Haskuka
Asamblisjta e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Dafina Alishani dje raportoi se kishte pranuar një telefonatë pas pyetjeve dhe çështjes së ngritur në emisionit Jeta në Komunë, ku mysafir ishte kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.
Pas debatit, asamblistja Dafina Alishani Dafina Alishani, ka shkruar se është kontaktuar përmes telefonit nga burri i “ndërmarrëses” e cila ka fituar një lokal-pronë komunale në shfrytëzim, në zonën ‘Shatërvan’ të Prizrenit, dhe i është thënë që të mos e ngritë këtë temë më për diskutim: “Mos fol më për këtë temë”.
Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka lidhur me kërcënimet ndaj asamblistes Dafina Alishani ka shkruar se nëse ka pasur kërcënim të drejtpërdrejt atëherë Haskuka beson se asamblistja Dafina ka kurajo të denoncojë rastin në Polici dhe Prokurori.
“Unë personalisht do ta mbështes dhe kërkojë nga organet kompetente që të hetojnë rastin”, ka shkruar kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka për asamblisten Dafina Alisani e cila vjen nga radhët Lëvizjes Vetëvendosje.
Haskuka tutje ka shkruar se të gjithë duhet të jenë vigjilentë edhe kur kërcënohen dhe ofendohen drejtoreshat dhe drejtorët e Komunës së Prizrenit: “Vetëm pse i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi”.
Asamblistja e Vetëvendosjes në Komunën e Prizrenit Dafina Alishani, gjatë debatit Jeta në Komunë kishte ngritur për diskutim çështjen e pronave komunale, duke kërkuar llogari nga kryetari Haskuka se kush po i mbikqyrë shfrytëzimin e lokaleve që janë pronë e Komunës, për të shikuar se a po implementohen planet e biznesit me të cilat kritere janë marrë në shfrytëzim këto lokale.
Haskuka duke folur për rastin ka thënë se lidhur me këtë çështje është edhe një aktakuzë, dhe sipas tij aktakuza është lidhur me kriteret për gratë dhe numrin e punëtorëve në këto lokale, dhe sipas Haskukës për çështje administrative të vlerësimit 5 zyrtarë kanë përfunduar me aktakuzë.
Mirëpo KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë çështje dhe ngritjen e aktakuzës ku janë të përfshirë 3 ish drejtorë të Haskukës.
Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.
“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F. B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doqi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.
Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.
I dëmtuari Albert Doqi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.
Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.
Në aktakuzë sqarohet se pesë të akuzuarit si pjesë e Komisionit nuk e kanë përfillur vendimin e shkallës së dytë, që i ka dhënë të drejtë ankesës së Albert Doqit, dhe nuk e kanë rivlerësuar ofertën, por vetëm kanë qëndruar pranë njoftimit të parë.