Komuna e Shtërpcës FOTO-KALLXO.com

Shtërpca, vendi i qytetarisë aktive dhe qeverisjes jo transparente

Komuna e Shtërpcës ka potencial për zhvillim e turizëm, por banorët e kësaj zone përballen me shumë telashe. Përveç problemeve të përditshme të jetesës që përfshijnë mungesën e infrastrukturës dhe punësimit, banorët e asaj zone është dashur të luftojnë edhe për mbrojtjen e ujit që rrjedh në atë anë e që po tentohet të futet në gypa të hidrocentraleve.

Megjithë ankesat e banorëve,  kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq nuk pranoi debatin “Jeta në Komunë.

Shtërpca është njëra nga komunat më të pasura me ujë madje uji synohet të përdoret për hidrocentrale. Kjo kishte nxitur edhe protesta të banorëve në fshatin Biti të Shtërpcës.

Disa investime së fundmi dëmtuan kanalizimin e fshatit Biti. Banorët e kësaj zone kanë kërkuar që komuna të rregullojë problemin  por ekzekutivi komunal ende nuk mori hapa.

“Kanalizimi e ujësjellësi është nderuar kohë më parë nga organizatat ndërkombëtare, por ndërtimet në hidrocentrale i kanë shkatërruar me ujësjellës e kanalizim, na kanë shkatërrua edhe jetën, s’kemi as ujë për ujitjen e mjedrave, sepse ne merremi me bujqësi. Ne kemi protestuar, por asnjëherë nuk kanë ndërmarr hapa”, ka thënë Muharrem Tahiri, banor i fshatit Biti.

Muharrem Tahiri, banor i fshatit Biti

Ankesa për qeverisjen lokale ka edhe banori tjetër i këtij fshati, Hamdi Rushiti.

“Uji është jetë, na kanë lënë pa ujë, pa kanalizim, ne s’po mund të merremi as me blegtori e ne ndryshe nuk mund të jetojmë”, thotë ai.

Në fshatin tjetër, Biti e Epërme banorët kanë nisur të shprëngulen. Komuna nuk ka siguruar transport publik ndërsa ata thonë se ekzekutivi komunal nuk u ndanë as subvencione për bujqësi.

“Problemet janë të shumta, por ne nuk kemi ujësjellës, s’kemi transport. Shkurt e shqip, njerëzit po shpërngulën, nga 70 shtëpi, kemi mbetë pesë shtëpi. Ne po kërkojmë me na ndihmua në bujqësi”, thotë Gafurr Baliu.

Problemet në shërbime publike kanë edhe ata që jetojnë në qendër të qytetit. Uji edhe pse është në tuba dhe arrinë në banesat e banorëve është i papijshëm.

“Kemi ujë të qytetit, por nuk është në rregull nga përbërja bakteriologjike. Ka qenë kështu që nga fillimi saqë nuk e kemi përdor aspak për pije por ashtu, sa për nevojat tona, për kafshët e kështu. Hiq nuk kemi kanalizim”, thotë Stalletoviq Jovica nga Shtërpca.

Stalletoviq Jovica, Shtërpca

Ai thotë se disa herë u drejtuan në komunë, por asnjëherë nuk morën përgjigje.

“Po, i jemi drejtuar. Nuk kanë dashtë as të na pranojnë. Fillimisht kemi pas problem mu në këtë kohë. Kishim mbet për 3 muaj pa ujë për shkak të këtyre që kanë gërmuar për hidrocentral. Askush nuk deshi të na pranonte nga Komuna. Vetëm na gënjenin, sot, nesër. Shkoni kërkoni burimin e ne do të ju sjellim. Kështu që nga ajo ditë deri në ditët e sotme”, deklaron ai.

Brezovica dhe malet e Sharrit janë në mesin e potencialeve të mëdha turistike në Kosovë. Zona ka një kompleks skijimi dhe pretendohet të shfrytëzohet për turizën malor. Mirëpo në mungesë kujdesi nga shërbimet komunale lumenjtë e zonës kanë nisur të ndoten nga bërlloku mbeturinat e ngurta dhe nga plastika.

Edhe për qytetarin tjetër serb që jeton në Shtërpcë problem i vazhdueshëm është uji i pijes.

“Problemi është se nuk kemi problem me ujë të pijes, sepse uji nga ujësjellësi është i pa përdorshëm. Rrjedha e ujit është prish nga tubet e hidrocentraleve dhe uji i pijes po përzihet me ujë të gypave…uji është i papastër…këtë problem e kanë edhe banorët e tjerë, jo vetëm këtu ë qytet”, thotë Sreqko Antiq.

Qeverisja e Shtërpcës është në mesin e qeverisjeve më të dobëta në raportin e performancës ndërsa në komunë opozita ka pak aktivitete pasi shumica e asamblesë është me kryetarin e komunës.

Vlerësimi i performancës nga qeverisja qendrore

Qeverisja lokale e Shtërpcës u rendit në fund të tabelës në Raportin e Performancës që përgatitet nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Nën udhëheqjen e Bratislav Nikoliqit nga Lista Serbe komuna është renditur e 34-ta nga 36 komuna sa janë vlerësuar në Raportin e Performancës.

Raporti tregon që nga 118 treguesit e matur gjatë 2019-tës, Shtërpca ka marrë zero pikë në 89 tregues.

Rezultatet zero janë në transparencë, infrastrukturë, ndërtim të kanalizimeve, barazi gjinore e menaxhim të mbeturinave.

Shtërpca ka një buxhet prej 4 milionë eurosh por gjysma e tij shkon në paga dhe mëditje, apo mbi 2 milionë e 100 mijë euro.

Me shumë pak të hyra nga taksat komunale buxheti për investime për Shtërpcën është rreth 1 milion euro dhe nuk arrin t’i adresojë problemet e ujit kanalizimit dhe pastërtisë në këtë komunë

Të dhënat tregojnë se Auditori gjeneral në vitin 2019 zbuloi disa parregullsi dhe dha 21 rekomandime.

Raporti i Auditorit konstaton se në këtë komunë nuk ka interesim të madh për të rregulluar të gjeturat e Auditorit pasi vetëm nëntë prej rekomandimeve ishin zbatuar, dy ishin në proces dhe dy nuk ishin zbatuar fare.

Vërejtjet kryesore të këtij institucioni mbikëqyrës ishin mbi pasqyrat financiare, të hyrat, investimet kapitale e pasuritë publike.