Përballja e Haskukës me hulumtimet për tenderët e Prizrenit

Shfrytëzimi kontravers i buxhetit publik të Komunës së Prizrenit ishte kryefjala e debatit mbi performancën e komunës që udhëhiqet për herë të parë nga Vetëvendosja.

Mytaher Haskuka, në vitin e tretë të udhëheqjes së komunës që ishte tradicionalisht e PDK-së, u përball me pasqyrën e punës së tij pak para përfundimit të mandatit.

Haskukës në debatin “Jeta në Komunë”  iu kërkua llogaridhënie për hulumtimin që zbuloi se komuna kishte dhënë gjashtë tenderë për biznesin e familjes së asamblistit të Vetëvendosjes.

Biznesi i familjes së asamblistit të LVV-së i ka fituar gjashtë kontrata nga viti 2018.

Së bashku, këto kontrata kishin një vlerë prej 366 mijë e 678 euro ndërsa kontratat e fituara kanë të bëjnë me asfaltim dhe mirëmbajtje të rrugëve urbane e malore, si dhe me shtrim të rrjetit të kanalizimit. 

“N.N.T Shabanaj” ka fituar pesë tenderë në bashkëpunim me operatorë të tjerë ekonomik, ndërsa vetëm një tender e ka fituar si operator i vetëm.

Haskuka ka thënë se 6 kontrata nga 250 projekte të komunës nuk janë shumë edhe nëse janë fituar nga kompania e asamblistit të partisë së tij.

“Janë disa kompani kështu. Deri më tani, për tre vite i kemi 250 projekte të cilat kanë pas kompani që i kanë implementu, dhe prej 250, 6 me i fitu “Shabanaj” s’janë shumë. S’janë shumë edhe në aspektin statistikor edhe kështu dhe s’jam i sigurt që është vetëm e asamblistit tonë sepse është edhe një kompani tjetër “Shabanaj”, mundet me qenë edhe ajo kompania tjetër. Prej 250 projekteve që i kemi, vetëm gjashtë! Ka kompani që kanë ka 15-20 kontrata nga Komuna e Prizrenit dhe s’kanë lidhje me Komunën e Prizrenit”, ka thënë Haskuka në emision.

I kontaktuar nga KALLXO.com asamblisti i LVV-së, Adem Shabanaj ka thënë nuk e ka favorizuar kompaninë e babait për fitimin e gjashtë tenderëve.

“Jo me vjedh nuk di, nuk e kam favorizuar, unë në prokurim nuk punoj, punoj në asamble, në komunë. Lënda është në prokurori dhe nuk po e di pse po i jepni zor kaq shumë! E keni obligim nëpër emisione me i përmend apo? Nëse keni gjetë diçka ju ftoj me i çu në prokurori dhe me u marrë me prokurorinë e jo në publik, nëse veç ka diçka”, ka thënë Shabanaj për KALLXO.com.

Haskuka është përballur edhe me hulumtimin e Drejtësia në Kosovë rreth blerjes së karrigeve dhe shtyllave elektrike.

Drejtësia në Kosovë ka gjetur se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Loja e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.

Komuna e Prizrenit ka blerë shumë më pak produkte se ato që ishin planifikuar.

Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.

Hulumtimi ka zbuluar se e njëjta ka ndodhur edhe me shtylla elektrike. Janë planifikuar të vendosen 230 shtylla nëpër qytet me një kosto prej 100 mijë e 320 euro. Ne kemi gjetur se deri më tani janë vendosur vetëm 143 shtylla e janë shpenzuar 128 mijë euro. Pra, janë vendosur 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi, ndërsa janë shpenzuar 27 mijë euro më shumë.

Haskuka në emision ka thënë se në rastet kur janë kontratat për blerje të tilla shikohet totali i kontratës, ndërsa nuk shikohen çmimet e produkteve.

“Po Jeta në raste si këto kërkohet totali i kontratës më të lirë. Unë personalisht kam kërkuar të blihen të gjitha produktet dhe të vendosen, ato janë bërë. I kemi bërë dhjetë parqe me ulëse e me shtylla elektrike”, ka deklaruar ai.

Prizenasit ende në hall me ujin e kanalizimin

Komuna që udhëhiqet nga Haskuka ka problem me ujë të pijshëm, kanalizim, mbeturina e pagesa të punëve të papërfunduara në komunë.

Për shumë nga problemet e prizrenasve u deklarua Haskuka në përballje me asamblistët e kësaj komune.

KALLXO.com ka raportuar se banorët e fshatit Zhuri i Ri kanë probleme disa vjeçare me kanalizimin dhe ujin e pijshëm. 

Fshati Zhuri i Ri, Prizren FOTO-KALLXO.com

Në fillim të debatit, Haskuka në debat ka thënë se projekti i rregullimit të këtij problemi është në procedura dhe do të zgjidhet shumë shpejt.

Haskuka fillimisht shpalosi projektet me të cilat krenohet dhe i konsideron si të arritura të mëdha.

“Njëra ndër sukseset me të cilat mund të krenohem është parku i inovacionit, aty shumë biznese do të koncentrohen për zhvillimin e veprimtarisë. Ne aty do t’i ruajmë pjesët e gjelbra. Janë më shumë se 20 biznese që kanë kërkuar hapësira”, ka thënë Haskuka.

Pas kësaj, Haskuka u përball me KRYPOMETRI-n, i cili ka matur disa nga premtimet e fushatës zgjedhore të vitit 2017.

KRYPOMETRI ka gjetur se Haskuka nuk ka bërë blerje të telefonëve mobilë ashtu siç kishte premtuar në debat, mirëpo Haskuka nuk ka mbajtur disa premtime për Qendrën Historike të Prizrenit. 

Gjithashtu, Haskuka nuk ka mbajtur premtimin se brenda dy vjetëve të para të qeverisjes do të largonte çdo deponi ilegale të mbeturinave si dhe do të fillonte menjëherë ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Nashec.

“Kam komente për të gjitha këto sepse mendoj se në të gjitha kemi punuar”, tha Haskuka.

Haziz Hodaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-partneri i koalicionit në Komunën e Prizrenit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar kryetarin se nuk ka nisur dhe as përfunduar asnjë projekt në komunë qysh nga marrja e mandatit.

Haziz Hodaj nga kjo parti ka thënë se Komuna e Prizrenit është kampion për pagesa përmes përmbaruesve, lëndëve në OShP dhe aferat në konkurset e arsimit.

“A mund të më thoni se cilin konkurs në Drejtorinë e Arsimit e keni filluar dhe përfunduar pa ndonjë aferë?”, ka pyetur Hodaj.

Mytaher Haskuka duke replikuar ka renditur  projektet e përfunduara komunale në arsim e shëndetësi.

“Në Drejtorinë e Arsimit kemi filluar, unë e kam qit gurthemelin edhe e kam përfunduar çerdhen e parë publike, ndërtimin e objektit të ri shkollor në Lukinje të Hasit, ndërtimin e objektit të ri shkollor në fshatin Grënqare, shkolla “Dëshmorët e Hasit”, në Billushë, në Krajk, 8 renovime i kemi nisë dhe i kemi përfunduar shkollat më të mëdha në Prizren, dy salla të sportit i kemi përfunduar. Në shëndetësi edhe në Gjonaj edhe në Romajë i kemi përfunduar Qendrën e Mjekësisë Familjare, me laboratorë e  me të gjitha që në Has kurrë s’kanë qenë”, ka thënë Haskuka.

Më tej Haskuka ka thënë se Prizreni e ka ndriçimin më efiçient dhe është bërë zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në të gjitha fshatrat.

Rreth ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit për të cilat Hodaj tha se Prizreni është kampion, Haskuka deklaroi se kjo ndodh për shkak se Komuna nuk i ndalon operatorët e asnjë komune të aplikojnë e më pas të ankohen.

Gjithashtu Haskuka ka thënë se komuna ka depolitizuar mënyrën e selektimit të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, kur u përball me gjetjen se 5 drejtorë shkollash në Prizren janë persona me të kaluar politike.

“Ne e kemi depolitizuar mënyrën e selektimit të personave. BIRN ka qenë i ftuar si monitorues dhe e kemi hapur sistemin e monitorimit të drejtorëve të shkollave. Normal kemi probleme. Tani na duhet vendimi i Asamblesë Komunale që të hapen konkurset e reja. Munden me qenë, tash ata nëse kanë kontrata unë nuk kam çka me bë. Ne jemi duke e politizuar dhe politizimi nuk bëhet brenda natës. Nëse veç pesë drejtorë janë të Vetëvendosjes, atëherë ne i kemi në Prizren 36 shkolla me paralele të ndara i kemi diku 84 ndërtesa”, tha kryetari i Prizrenit.

Megjithatë, partia që kishte udhëhequr Prizrenin për disa mandate, ka pranuar në emision se faji që Prizreni nuk ka ende asnjë çerdhe publike është edhe i PDK.

Sherife Balaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblistja e Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë Komunale të Prizrenit, Sherife Balaj, ka thënë se Komuna ka dështuar të përfundojë ndërtesat e banimit social si dhe shtëpinë e të moshuarve, projekte këto të filluara në mandatin e partisë së saj.

“Ne po flasim për tri vite, përderisa milionat e qeverisjes në Prizren shkojnë në deficit, ne ende i kemi banesat sociale të papërfunduara, njëra është mbet ashtu siç e kemi lënë ne në lagjen Petrova. Shtëpia e të moshuarve është një dështim sepse ka filluar qe katër- pesë vjet… çerdhja ka qenë e planifikuar në buxhetin  para se me ardh në mandat dhe mund të themi se është një dështim qoftë i PDK e i kujtdo sepse ende nuk ka çerdhe në Prizren, por edhe kjo çerdhe me çmimin prej 80 euro nuk e di qysh kanë me mund me ia dalë familjet”, ka thënë Balaj.

Kryetari Mytaher Haskuka ka thënë se Komuna ka kërkuar nga niveli qendror 30 kode buxhetore për stafin, por të cilat nuk i janë miratuar dhe nuk kanë hyrë në buxhet.

“Ne tash duhet ta bëjmë me bashkëfinancim. Në të njëjtën kohë disa kategori kanë lehtësira në çmimin e çerdhes, më mirë të kemi një çmim që mund ta zbresim se sa një që do të na krijojë mundësi të rritjes”, ka thënë Haskuka.