Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari dhe opozita debatojnë për hallet e Rahovecit

Qyteti i Rahovecit është një ndër qytetet më të vjetra të Kosovës. Ky qytet që nga paslufta është udhëhequr nga LDK, PDK dhe AAK.

Por, qyteti i rrushit edhe pse ka dalur komuna e tretë më e mira në raportin e performancës komunale nga Ministria e Pushtetit Lokal, vazhdon të ballafaqohet me problemet elementare.

Problem në këtë qytet ka dalur edhe favorizimi i personave për të fituar tenderë në komunë për kryerjen e punimeve të ndryshme.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka tashmë mandatin e dytë si kryetar në këtë komunë. Herën e parë ai kishte fituar në vitin 2010, kurse në vitin 2017 mori besimin e qytetarëve për të dytën herë si kryetar komune.

Latifi në emisionin “Jeta në Komunë” u ballafaqua me problemet e qytetarëve të kësaj ane, përfshirë sfidën e pacientëve të hemodializës për të marrë këto shërbime, mungesën e ujit e kanalizimit, problemet e vreshtarëve si dhe me ato të mësimdhënësve të larguar nga puna, vetëm pse kanë bindje të ndryshme politike.

Jeta në Komunë, Rahovec. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përballë Latifit nga ana e opozitës ishte vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat ka qenë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i komunës, Fatmir Iska.

Zona Ekonomike dhe Muzeu i Qytetit

Komuna e Rahovecit në vitin 2018 i është bashkuar komunave që do të mund të krijojnë Zonë Ekonomike. Vendimi për krijimin e Zonës Ekonomike në Opterushë ishte marrë në qershor të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj nga AAK.

Tenderi për ndërtimin e kësaj Zone Ekonomike ishte dhënë më 28 tetor të vitit 2019 dhe vlera e kontratës është 68,460 euro. Krijimin e kësaj zone e kishte premtuar, kryetari Smajl Latifi në debatin zgjedhor të vitit 2017.

KALLXO.com ka vizituar këtë Zonë Ekonomike dhe deri më tani është vënë vetëm themeli i një muri që mbron këtë zonë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në emisionin “Jeta në Komunë” ka treguar se kur do të përfundojë ndërtimi i kësaj Zone.

“Kontrata vazhdon deri në vitin 2021 dhe është dyvjeçare. Puna s’është kry dhe kryhet në 2021-tën. Sigurisht kryhet në pranverë, sepse pa u alokuar buxheti nuk mundemi. Kanë mu vazhdu punimet nuk është përfunduar kontrata dhe nëse ky e ka bërë murin keq ka kush kujdeset për cilësinë dhe është menaxheri i projektit, nuk është kry kontrata dhe s’është përfunduar”, tha Latifi përballë Jeta Xharrës.

I pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në vitin 2017 kishte premtuar që do të krijonte kushte më të mira dhe do ta pasuronte muzeun e qytetit. Por, ky muze ende ka mungesë të artefakteve dhe monumenteve si dhe ciceroni është pensionuar.

Latifi në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës tha se në të ardhmen do të bëjë marrëveshje me individë që t’i sjellin artefaktet në muzeun e qytetit.

“Ka edhe individë që i ruajnë artefaktet dhe është një person në Drenoc që e ka një muze dhe jam i interesuar me bë një marrëveshje me të që ai me dorëzu artefaktet. I kam premtuar dhe ka një kosto”, tha Latifi.

Përfitimi i tenderëve në komunë dhe kritikat e opozitës

Në Komunën e Rahovecit, kompania “Age Group” i ka fituar 12 tenderë gjatë periudhës 2018-2020, e që kanë vlerën rreth 500 mijë euro për punë të ndryshme në këtë komunë.

Këta tenderë përfshijnë, investime në infrastrukturën kulturore, ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Çiflak, renovimi i QKMF-së, furnizim me gypa me PVC, ndërtimi i një shkolle fillore, riparimi i tregut të gjelbër, investimet në zonë ekonomike në Opterushë etj.

KALLXO.com ka gjetur se pronari i saj, Tahir Bala, në Facebook ka bërë fushatë për nënkryetarin e Komunës, Fatmir Iska, i AAK-së, kur kandidonte për deputet në vitin 2019.

Pronar i kompanisë “Age Group”, Tahir Bala duke shpërndarë thirrje për votimin e nënkryetarit, Fatmir Iska.

Bala i pyetur nga KALLXO.com për afërsinë e tij me partinë AAK, ai nuk e ka mohuar se ka qenë simpatizant.

“Jo, s’ka lidhje kjo, unë kam tender edhe në Malishevë, gjithkund kam tender. Partia s’ka ndiku se me pasë ndiku partia s’kisha marrë tender as në Suharekë. Nuk kam raporte me AAK, ma herët kam qenë vetëm simpatizant i partisë, asgjë tjetër, s’ka ndiku asgjë”, ka thënë Bala.

Por, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në emisionin “Jeta në Komunë” tha se nuk e di se sa tenderë ka fituar Tahir Bala.

“Unë nuk e di se i ka fitu 12 tenderë, unë nuk them që s’ka fituar “Age Group”. Jo s’i kam ngjeh, nuk është çështje e ime. Çështja e ime është të kujdesem për realizimin e suksesshëm në përputhje me planin dinamik të kontratës, të garantohet cilësia maksimale dhe jam përgjegjës për këtë koncept”, tha Latifi.

Ai shtoi se beson se kjo çështje është në rregull dhe se është në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.

“Mendoj që Ligji i Prokurimit Publik i rregullon këto çështje edhe përgjegjëse për dhënien e kontratës e ka Zyra e Prokurimit dhe besoj që auditorët i kanë dhënë vlerësimet e veta edhe ata të brendshëm edhe ata të jashtëm dhe organizata USAID dhe besoj që çdo gjë është sipas Ligjit të Prokurimit Publik”, tha Latifi.

Përballë Latifit nga ana e opozitës ka qenë vetëm asamblisti nga LVV, Ali Zhuniqi, i cili reagoi në lidhje me këtë temë dhe tha se personat të afërt me AAK-në fitojnë tenderë në Rahovec.

Ali Zhuniqi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Për sa i përket gjelbërimit, kryetari tha se 18 deri 25% jo është 30% e drunjëve që janë tha. Për më tepër është prapë i afërt me drejtorin e Urbanizimit personi që e ka fitu tenderin. 30% të drunjëve janë tha dhe e njëjta kompani pak para emisionit ka fillu me i zëvendësu disa drunj aty-këtu”, tha Zhuniqi.

Ai theksoi se tenderë në Komunë marrin edhe ish-kandidatët për Asamble Komunale. Sipas tij, një komplet vezësh e kanë tenderuar me 4 euro.

Për këtë reagoi kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se nuk ka njohuri për këtë.

“Qe 15 vite e njëjta kompani e merr dhe nuk e di kush e ka marrë. Edhe mandatin e parë e njëjta kompani i ka mbajtur këto furnizimet  për pije dhe ushqim dhe janë kontrata të rregullta vjetore dhe se di për çmimin e vezëve po përdoren për çerdhen në Rahovec, jo për komunë”, tha Latifi.

Mos funksionalizimi i hemodializës

Në Rahovec që nga fillimi i mandatit të kryetarit, Smajl Latifi nuk është mbyllur asnjë shërbim shëndetësor, por as nuk u hapë ndonjë i ri.

Me vite, mbi 20 paicentë të hemodializës udhëtojnë për të marrë këtë shërbim në Prizren, pavarësisht se në qytetin e tyre, Rahovec në vitin 2017 është ndërtuar ky repart me taksat e tyre.

Reparti i dializës në Rahovec është i ri dhe në të janë investuar rreth 200 mijë euro, mirëpo nuk është funksional dhe arsyet janë mungesa e koordinimit në mes Komunës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në lidhje me këtë çështje, i pari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se ka bërë presion tek të gjithë ministrat e Shëndetësisë ndër vite që ta funksionalizojë, por  sipas tij, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“ Ju kam bërë presion prej ministrit të parë që ka qenë deri tek Armend Zemaj, vërtetë ne jemi të gatshëm, por ata duhen me bë stafin. Ne s’kemi të drejtë sepse është përgjegjësi dhe kërkon veprime të tjera që janë jashtë kompetencat ligjore të qeverisjes lokale dhe është përgjegjësi e Ministrisë dhe e Spitalit Rajonal të Prizrenit me rekrutuar stafin dhe ne jemi të gatshëm”, tha më tej Latifi.

Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Latifi ka sqaruar se kjo nuk po realizohet pasi që se është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Rajonal të Prizrenit.

“Është e vërtetë që është një plagë e hapur, por ne kemi një numër të madh të rasteve me hemodializë dhe i kryejnë shërbimet në Spitalin e Prizrenit. Investimet kanë ndodhë nga Komuna e Rahovecit dhe është në fushëveprimtarinë e nivelit sekondar, ata le të bëjnë stafin dhe ne jemi gati”, tha Latifi.

Komuna e tretë me performancën më të mirë

Sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësimin e performancës së komunave, Rahoveci në shumë fusha të ndryshme listohet si një ndër komunat më të mira dhe ka zënë vendin e tretë.

Performanca e Komunës së Rahovecit për vitin 2019 është vlerësuar me Rahoveci me 75.20% nga Ministria e Pushtetit Lokal, e cila ka publikuar raportin e performancës komunale për 33 komuna të Kosovës që kanë ofruar të dhëna.

Fushat me performancën më të lartë në Rahovec janë: Menaxhimi i fatkeqësive me 100%, shërbimet e mira administrative me 96.50% dhe transparencë komunale me 98.95%, si dhe përgjegjshmëria komunale me 85.01%, derisa më e ulëta qëndron tek planifikimi hapësinor me 30.22% dhe tek parkingjet publike me 44.5%.

Rahoveci së bashku me komunën e Skenderajt, Obiliqin, Prizrenin, e disa komuna të tjera mbajnë primatin prej 100% për performancë në fushën e menaxhimit të fatkeqësive.

Rahoveci pavarësisht se në disa fusha ka performuar më së miri se disa komuna, ka disa fusha që nuk ka performuar mjaftë mirë, sic është ajo e planifikimit hapësinor, hapësirave publike e infrastrukturë rrugore e 6-ta me 69.50%, që para saj janë Vushtrria, Zvecani, Kllokoti, Parteshi e Hani i Elezit me performancën më të mirë.

Edhe menaxhimi i mbeturinave në këtë komunë është sfidë. Rahoveci sipas performancës së MPL-së radhitet e 15-ta me 81.23% , kurse mbrojtja e mjedisit e ka radhitur si komunën e 11 prej 33 komunave me 89.9% të performancës.

Konkurset për mësimdhënës, polemika mes kryetarit dhe opozitës

Në komunën e Rahovecit janë të punësuar 745 mësimdhënës. Sipas komunës, në vitin 2017 janë punësuar 47 mësimdhënës, në vitin 2018 janë punësuar 43 mësimdhënës kurse në vitin 2019 janë punësuar 40 mësimdhënës.

E shpallja e konkursit për një mësimdhënës të Gjeografisë në shkollën “Isa Boletini” në Rahovec ka qenë temë diskutimi në emisionin “Jeta në Komunë” , mes kryetarit, Smajl Latifi dhe asamblistit të LVV-së, Ali Zhuniqi.

Mësimdhënësi Gazmend Hajda ishte ankuar tek ‘Zëri i qytetarëve’ se atij i është bërë e padrejtë nga ana e Komunës.

Mësimdhënësi, Gazmend Hajda.

“Pas dy vitesh punë mua krejt padrejtësisht ma shpallin konkursin, pa paralajmërim, pa vendim, vetëm kur e shoh konkursin në ëeb-faqen e Komunës. Nuk ka pasur arsye pse me shpallë konkursin, unë nuk kam pasë ankesa prej nxënësve, nuk kam pasur ankesa prej mësimdhënësve, jam i kualifikuar, jam i licencuar dhe kam trajnime”, kishte thënë ai.

Hajda pretendon se ishte diskriminuar pasi, sipas tij, konkursi është hapur vetëm për të.

“Pyetja ime për kryetarin e Komunës është pse vetëm mua ma shpallin konkursin e punës edhe e dyta është le të ma gjen vetëm një rast që pas dy vitesh e largon dikënd prej punës”, ka deklaruar Hajda.

Latifi u pyet nga Jeta Xharra se pse i është shpallur konkursi mësimdhënësit të Gjeografisë në shkollën “Isa Boletini”, Gazmend Hajdës. Por, ai tha se ai nuk është larguar, por se Hajdës i ka skaduar kontrata.

Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ky ka aplikuar në konkurs, s’e ka fituar të drejtën me fitu përsëri vendin e punës dhe ka qenë edhe atëherë në VV. DKA e ka punësuar edhe atëherë dhe tash i ka përfunduar kontrata. Edhe ky ka konkurru prapë, nuk mundet me thënë dikush se dikënd e largoj prej punës. Ky ka bërë ankesë në Inspektorat dhe vendimi thotë se është i pabazuar”, tha Latifi.

Për këtë reagoi asamblisti i LVV-së, Ali Zhuniqi, i cili tha se në Rahovec ka shumë mësimdhënës me kontrata të skaduara, por nuk ua ka shpallur konkursin.

“S’ka ndonjë rast tjetër sepse vetëm Gazit iu ka shpallë konkursi, ndërsa 100 arsimtarët të tjerë i ka kontrata me të tilla”, tha ai.

Ndërsa, i pari i Rahovecit tha se nuk ka njohuri se sa mësimdhënësve u është shpallur konkursi i vendit të punës.

“Për besë nuk po e di ndonjë rast tjetër”, tha Latifi.