Kërkesat e banorëve për qeverisjen e Ranillugut

Me mungesë të ujit të pijes, kanalizimit e infrastrukturës, banorët e Komunës së Ranillugut po kërkojnë përgjegjësi nga qeverisja lokale.

Kjo komunë qeveriset nga Vladica Aritonoviq, i Listës Serbe ndërsa raportet që masin menaxhimin e punëve komunale tregojnë mangësitë e ekzekutivit lokal.

Për problemet në qeverisjen lokale nuk pranoi të përballet në një debat televiziv i pari i Ranillugut. Intervista me të edhe pse ishte dakorduar nuk u mbajt për shkak se kryetari u arsyetua se kishte çështje familjare.

Megjithatë, Ranillugu është komuna me qeverisjen më të mirë në mesin e komunave me shumicë serbe. Kështu të paktën e vlerësoi Raporti i Performancës që hartohet nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Ky raport e nxjerr atë në vendin e 27-të, disa pikë para Graçanicës, Shtërpcës e Novobërdës.

Qeverisja është vlerësuar që në 42 indikatorë nuk i përmbush kriteret dhe në to ka marrë zero pikë.

Raporti i Performancës

Sipas të dhënave, komuna nuk ofroi shërbime administrative në formë elektronike, nuk i publikoi kontratat dhe dokumentet e prokurimit publik. Madje, kryetari nuk e diskutoi as raportin e Auditorit të Përgjithshëm në Kuvendin Komunal.

Raporti i Performancës e kritikon komunën për barazinë gjinore. Të dhënat tregojnë se nga gjashtë drejtori ekzekutivi komunal ia besoi vetëm një të tillë grave.

Komuna e Aritonoviq ka një buxhet prej 2 milionë euro ku gjysma e tyre shkon në paga dhe mëditje.

Kjo komunë shpenzoi vetëm 581 mijë euro për investime kapitale. Komuna e Ranillugut nuk pati më shumë se 88 mijë euro të hyra gjatë vitit 2019. Të hyrat, kryesisht janë nga tatimi në pronë, të hyrat nga lejet e ndërtimit, të hyrat nga bartja e mbeturinave, të hyrat nga veprimtaritë biznesore.

Në anën tjetër, probleme në menaxhim gjeti edhe Raporti i Auditorit. Nga gjashtë rekomandime, dy ishin zbatuar e një tjetër ishte në proces gjatë vitit 2019. Dy të tjera nuk ishin zbatuar fare ndërsa një ishte mbyllur.

Gjatë procesit të vlerësimit të qeverisjes  auditori gjeti se Komuna nuk ka arritur ti verifikoj të gjitha pronat që i ka në emrin e saj.

Prej 1 mijë e 353 pronave të regjistruara  komuna ka arritur të kryej verifikimin e vetëm 12 objekteve apo më pakë se 1% të pronave të paluajtshme.

Ekzekutivi kishte dhënë një shpjegim se, në këtë sektor është i punësuar vetëm një person dhe nuk kishte arritur që t’i përfundonte të gjita punët për shkak të vëllimit të tyre.

Në anën tjetër, banorët kanë kërkesa në adresë të qeverisjes lokale. Ata ankohen për mungesë e investimeve në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizim e ndriçim.

Në fshatin Ropotovë në dy lagje të ndryshme jetojnë rreth 20 familje shqiptare.

Banorët thonë se komuna i la pas dore pasi nuk investoi në ujësjellës e në ndriçim.

Përparim Smirqi nga Ropotova thotë se niveli lokal la pas dore kujdesin ndaj banorëve. Ai thotë se kanë probleme me ujë të pijes, kanalizim e ndriçim publik.

“Si shqiptar që jemi në Ranilluk diku 20 familje kemi ndihmesa shumë pak, na mungojnë ujësjellësi, na mungon kanalizimi e ndriqimi. Këto shtëpi tona nuk kanë ndriçim, ujësjellës e ndërsa as rrugët nuk kryposën dimërit”, thotë ai.

Përparim Smirqi, Ropotovë

Për këto telashe, banorët thonë se shkuan disa herë në komunë, por u injoruan nga pushteti lokal.

“Kemi problme me kanalizime, me rrugë e me rrymën…nëpër fshatrat serbe komuna i ka rregulluar të gjitha, infrastrukturën, por te ne jo…kemi bë shumë ankesa. Unë personalisht e kam dërguar një listë me kërkesa por kur e kanë pa në komunë kanë qeshë, më thënë që janë shumë kërkesa”, thotë Shaqir Rudi.

Ai thotë se, kryetari i komunës duhet t’i vizitoj ata e të bëj më shumë rreth shërbimeve publike

Në Ranillug banoret kanë ujë të pijes mirëpo ankohen se ka nisur të ketë reduktime.

“Kanalizime kemi, ujë e kemi rregullur para shumë viteve, ujë ka nis me u paku, kush do që po mundet me hapin bunare. Këtu nuk ka perspektiv as për të rinjt, ata po ikin cdo ditë”, thotë Zhivko Arsiq, një banor i fshatit Ropotova.

Në komunë gjenë edhe banorë që kanë më shumë shpresa.  Ata thonë se qeverisja është duke ua rregulluar të gjitha, anise ngadal.

“Jemi të kënaqur, rrugëet janë duke u rregullura, ambulanca është duke u rregulluar po punohet. Presim që kjo të vazhdoj edhe më tej”, thotë Igor Mitiq nga Ranillugu.

Përfaqësuesi i Kuvendit Komunal thotë se po punojnë që qytetarët të kenë një jetë më mirë. Këtë, ata thonë se e bëjnë bashkë me shqiptarët.

“Jena tu bashkëpunua shumë mirë, jemi tu mbajtë takime bashkë me Fatmirin, ai është përfaqësuesi i shqiptarëve nga një lagje dhe bashkëpunojmë shumë ngushtë….jemi tu u mundu disa projekte me i rregullu, po punojmë që t’i rregullojmë disa rrugë e shkolla”,  Dejan Jovanoviq, asamblist në Kuvendin Komunal të Ranillugut.

Në këtë komunë gjenden edhe njerëz të vullnetit të mirë dhe të cilët u shëndruan në shembuj gjatë pandemisë.Marko Jovanoviq ndërmori një nismë që ti mbledhë të rinjët e fshatit dhe së bashku ti ndihmojnë të prekurit nga COVID 19.

Marko Jovanoviq, kyetar i Shoqatës së Rinisë së Ranillukut

“Katër muaj kemi punuar për t’i ndihmuar qytetarët e komunës me barna dhe gjëra ushqimore….kanë vizituar të gjitha fshatrat…kanë ndihmuar familjet në nevojë, kryesisht të vjetër dhe ky ka qenë qëllimi”, deklaroi Marko Jovanoviq, kryetar i Shoqatës së Rinisë së Ranillukut.