
Jeta në Komunë: Qeverisja e Atiqit në Mitrovicë të Veriut mes sfidave politike, problemeve komunale e punësimeve
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23.04.2023 të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, bën që në krye të Komunës së Mitrovicës së Veriut të jetë Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Erden Atiq në deklarimin e parë publik pas betimit si kryetar u zotua se do të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve në komunën që ai do të udhëheq.
Ai kishte thënë se bashkë me nënkryetaren e komunës, Katerina Axhançiq do të punojnë në një ekip dinamik dhe shpresëdhënës.
Përgjatë një viti e gjysmë deri sa është në pushtet, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq u krenua në debatin “Jeta në Komunë” me investimet në infrastrukturë rrugore, ndriçim publik e rekrutim të stafit.
Mes të tjerash, Atiq potencoi si investim edhe renovimin e objektit të kësaj komune.
“Projekte të infrastrukturës rrugore, shumica janë në “Lagjen e Boshnjakëve” për shkak se është me hapësirë, lagje më e madhe. E kemi në proces një tender për shkak se më herët ka dështu, jo për faj tonin. Tenderi rreth 750,000 mijë euro është shtrimi i rrugës në lagjen “Kodra e Minatorëve”, është procesi i tenderimit, në momentin që përfundon, do të përfundojë edhe ai projekt. Në hymje veç e keni pa katin përdhesë komplet jemi duke i renovu muret, me një stil më modern”- tha ai.
Në tre minutshin e rezervuar për t’i treguar investimet më të cilat krenohet me to, i pari i Mitrovicës së Veriut justifikohet se ka pasur mungesë të stafit për shkak të dorëheqjeve sipas tij nga qeverisja e kaluar.
Pse paratë për Shëndetësi e Arsim në Mitrovicë të Veriut do t’i kthehet buxhetit të shtetit?
Mitrovica e Veriut pritet t’i kthejë në buxhet të shtetit paratë që destinohen për Shëndetësi e Arsim, për shkak se këto dy dikastere nuk janë të integruara në Sistemin e Republikës së Kosovës
Arsimi e shëndetësia në këtë pjesë janë nën menaxhimin e Serbisë, sipas planit të Ahtisarit.
Sipas buxhetit në “letër” të kësaj komune, investimi më i madh është në shkolla dhe mjete shkollore.
Atiq thotë se ky është një “bllokim” me të cilën përballet komuna e tij.
“Sa i përket buxhetit, e kemi ende një hendikep shumë të madh për shkak se buxhetin vjetor që e kemi 6.3 milionë, diku 50% të këtij buxheti e kemi të bllokuar për shkak se janë të destinuara për shëndetësi dhe arsim dhe këto dy dikastere si e dini ende nuk kanë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovës. Pra, nuk kemi bashkëpunim me shkollimin universitar, të mesëm, fillor dhe parafillor, njëjtë me shëndetësinë primare dhe sekondare”- u shpreh Atiq.
Mitrovica e Veriut do t’i kthejë në buxhet të shtetit paratë që destinohen për Shëndetësi e Arsim konfirmon Drejtoresha për Financa, Buxhet dhe Zhvillim Ekonomik, Mevlyde Peci Shala.
“Këto grante specifike janë të dedikuara si për arsim ashtu edhe për shëndetësi. Në bazë të rregullave buxhetore na duhet me bo planifikimin e tillë. Sa i përket projekteve që i përmendet kur kemi ardhur na vitin e kaluar, ato kanë qenë projekte ekzistuese, nuk kanë dashtë me ardhë me bo buxhetin në bazë të kërkesave të tyre. Si vitin e kaluar, kthehen në Prishtinë. Vitin e kaluar diku 4 milionë janë kthy në Prishtinë”- tha drejtoresha Mevlyde Peci Shala.
Nxënësit në “Kodrën e Minatorëve” ende mësojnë në kontejnerë
Një paralele me 16 nxënës vijojnë mësimin e tyre në kontejnerë në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut.
Ndonëse para katër vitesh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kur e vizituan këtë objekt-shkollë, premtuan se do të bëhet zgjidhje për këta nxënës, por ende gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.
“Është në kontejnerë, nuk e kemi pa të arsyeshme me modifiku atë për shkak se jemi në përfundim, mundem me thanë për caktimin e parcelës për ndërtimin e një shkolle të re, në cilën lagje më së pari është diskutabile, sepse prej qytetarëve ka kërkesë për “Lagje të Boshnjakëve”- tha Atiq në debatin “Jeta në Komunë”.
Ndonëse nuk ka as parcelë të përcaktuar për këtë shkollë, i pari i komunës premton se vitin e ardhshëm do të ndërtohet një shkollë në Mitrovicë të Veriut.
Por me një zgjidhje të tillë nuk po pajtohet zëvendës-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku, i cili potencon se në këtë komunë ka objekt shkollor.
“Jemi duke iu ngja, duke kriju segregacion, nuk guxojmë të ndërtojmë shkolla etnike. Objekte shkollore ka, unë shkollën e kam kry në “Sveti Sava”, tash kështu quhet. Duhet me u akomodu, objekti ekziston. Ata duhet me shku në shkollën “Sveti Sava”, shkollë e cila është në qytet të Mitrovicës. Ekzistojnë dy shkolla që kanë qenë, e që janë për momentin të akorduara në jug. Duhet komunikimin me pasë. Në këtë vend kryetari Erden Atiq është i të gjithëve edhe i komunitetit serb” – tha Sadiku.
E çështjen e bashkëpunimit me komunitetin serb, të cilin e ngriti Sadiku, e kundërshtoi kryetari Atiq, duke thënë se i kanë dërguar ftesë të gjithë drejtorëve të shkollave në Komunën e Veriut, secilit dhe sipas këtij të fundit nuk kanë pranuar të takohen.
Erden Atiq potencoi se edhe QKMF-të janë me sistem paralel përveç njërës që gjendet afër “Shkollës së Kontenjerëve” e që është e ndërlidhur me Drejtorinë e Shëndetësisë në Jug.
Pse ministrat Sveçla e Krasniqi nuk po e mbyllin “Vodovodin” e Serbisë?
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ujësjellësi në këtë komunë funksionon ende me sistem paralel.
Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq tha se ujësjellësi ende menaxhohet nga ndërmarrja “Vodovodi” e Serbisë.
“Ujësjellësi i Komunës së Mitrovicës së Veriut është ende me sistem paralel, nuk është hy në sistem të Kosovës. Normal mua më kish konvenu me marrë prej ditës së parë nën kontroll, nën udhëheqje, mirëpo për shkak të gjendjes politike, jemi ku jemi. As nuk paguhet uji, e as nuk e kemi në menaxhim ndërmarrjen. Ndërmarrja që e menaxhon ujësjellësin quhet “Vodovod”- theksoi kryetari.
Ujësjellësi ende po funksionon me sistem paralel, edhe pse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se, më 30.08.2024, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Atiq u pyet se pse ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Lokal nuk e kanë mbyllur edhe këtë ndërmarrje, siç kishin deklaruar se i kanë mbyllur strukturat paralele.
“Ma merr menja që e dinë. Është pyetje që duheni me ia drejtu atyre. Tash unë si kryetar i komunës, unë po të kallxoj për pasojat të cilat i kam si ekzekutiv”- ishte përgjigja e kryetarit Atiq.
Kryetari shtoi se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” e cila operon në jug mirëpo iu ka dal në ndihmë Komunës së Veriut kur ka qenë e nevojshme.
Pse Erden Atiq jeton në Fushë Kosovë e jo në Mitrovicë të Veriut?
Dushan Radakoviq nga organizata ACDC nga Mitrovica e Veriut në debatin “Jeta në Komunë” pretendoi se kryetari Erden Atiq është nga Fushë Kosova.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Radakoviq pretendon se ka të punësuar zyrtarë nga komuna të tjera, e sipas tij, 80 për qind të punonjësve nuk janë nga Mitrovica e Veriut.
“Nga informatat që kam, Atiq është me banim nga Fushë Kosova. Si është e mundur me ligj që dikush që është nga Fushë Kosova të jetë kryetar i komunës tonë?”- tha Dushan Radakoviq nga organizata ACDC.
Kryetari hedh poshtë pretendimet se është nga Fushë Kosova dhe thekson se në vitin 2,000 është përzënë nga Mitrovica e Veriut.
“Ma së pari, unë jam qytetar i Mitrovicës se po e kuptoj ku e ka dhimbjen. Unë jam lindur dhe jam rritur këtu, në Mitrovicë, s’jam unë i Fushë Kosovës. Pse unë i Fushë Kosovës, është për shkak të politikës fashiste të Serbisë dhe Millosheviqit dhe birit të mallkum, që vitin 1999, vitin 2000 i kanë vra 10 shqiptarë dhe ma shumë se 100 janë kanë të plagosur, të gjymtuar. Ma shumë se 1,000 familje janë shpërngul natën e 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, prej veriut të Mitrovicës”- u shpreh Atiqi.
Atiq thotë se për shkak të kësaj situata ka ndërruar vendbanime në 4 komuna të ndryshme të Kosovës.
“Si shoqëri civile, ti këtë u dashtë me ditë. Edhe unë prej vitit 2000, që 24 vjet jetoj me qera, minimum në katër komuna të Kosovës. Tani jam në proces me u kthy në pronën time. Jam mitrovicas, kam lindur dhe jam rritur këtu. Dhe çmimin e politikës fashiste të Serbisë e kam paguar në lëkurë dhe e paguaj edhe sot e kësaj dite. Edhe këtu ka me vdekë unë, s’keni me mujtë me më largu”- tha ai.
Radakoviq pretendoi se ‘në letërnjoftim të shkruan Fushë Kosovë’, ndërsa Atiq ia ktheu se ‘më shkruan Mitrovicë’.
Tutje Dushan Radakoviq thotë se pjesa dërrmuese e zyrtarëve të punësuar në komunë janë nga qytetet e tjera dhe jo nga Mitrovica e Veriut.
“Më intereson sa i përket atyre 50 personave që u përmendën, sa prej tyre janë nga Mitrovica e Veriut. Nëse ka mundësi të na tregoni, sepse nga informatat që kam, del se 80 për qind e punonjësve nuk janë nga Mitrovica e Veriut. Ka nga Dragashi, Prizreni, Vushtrria, Skenderaj, Prishtina, natyrisht shumica nga Mitrovica e Jugut, Fushë Kosova”- u shpreh Radakoviq.
Atiq tha se drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës së Veriut është nga Dragashi.
“Jemi komuna e parë në Republikën e Kosovës që kemi stopuar të gjitha ndërtesat që janë financuar Lista Srpska, SNS dhe Vuçiq. Sepse ky drejtor nga Dragashi, është drejtor i Inspeksionit që ka stopuar procesin” – tha Atiq..
“Nuk është e vërtetë, këto janë ligje që aplikohen në krejt komunat e Kosovës. Kur rekrutojmë staf, nuk ka ligje specifike, ku na si komunë mundemi me bo përzgjedhje veç kandidatë të cilët janë nga Mitrovica e Veriut. Këtu nuk është e vërtetë që ka zyrtarë prej Dragashit, e prej dreqit të mallkum. Një drejtor e kam të emëruar, drejtor politik, që është e drejtë e imja. Unë kam të drejtë me emëru drejtor politik në drejtori edhe prej Kaçaniku, Hanit të Elezit deri sa është e drejtë ligjore”- potencoi Atiq.
“Ka qytetarë serbë që kanë aplikuar, ka që janë diskualifikuar sepse sistemi është qasi soji, se diplomat janë problem politik, nuk është problem i jemi. Ka pasë edhe tjerë, njëri është bërë zëvendësministër, Nenad Vukmiroviq. Ka disa që janë pranuar në vende të punës, ka disa që janë pranuar këtu si zyrtarë, d.m.th me kontratë të përhershme” – thotë Atiq.
Shkarkimet e drejtorëve e punësimi i vajzës së kryetarit të Leposaviqit në Mitrovicë të Veriut
Vajza e Kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, është e punësuar me kontratë mbi vepër në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Këtë e konfirmoi edhe kryetari Erden Atiq në debatin “Jeta në Komunë”.
“Po me kontratë mbi vepër, nuk është punëtore”- tha Atiqi.
Në Raport të Auditorit thuhet se 17 persona janë të punësuar me kontratë mbi vepër në kundërshtim me ligjin e pa procedura të prokurimit, në këtë komunë.
Kryetari thotë se kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave me mungesë të stafit, derisa thotë se ka bashkëpunuar me komuna të tjera për rregullimin e kësaj procedure, mirëpo nuk ka pasur sukses.
Sipas informacioneve të “Jeta në Komunë” Erden Atiq ka ndërruar mbi dhjetë drejtorë të drejtorive, duke i emëruar e shkarkuar.
Pyetur se sa drejtorë i ka shkarkuar kryetari thotë “nuk e kanë mbajtur bilancin” teksa sipas tij këta drejtorë janë shkaktuar për shkak të mungesës së performancës.
“Po, nuk kam mbajt bilanc. Kush s’ka punu, e kam shkarku. I kam shkarku ata që u dashtë me i shkarku, i kam emëru ata që u dashtë me i emëru. Arsyet janë, performanca. Është e drejtë e imja. Duke marrë parasysh se është komunë specifike, nuk kanë mujtë me e kap hapin, nuk kanë pasë perfomancë pozitive”- tha Atiq.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq gjatë debatit foli edhe për ndërtimin e xhamisë së Ibrit, për të cilën tha se është takuar më përfaqësuesit e Bashkësisë Islame.
“Ne kemi pasur takim me kryetarin e Bashkësisë Islame, po normal që ka me u ndërtu, nuk e kemi qitë në dyshim asnjëherë”- tha ai.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq tha se komuna e tij nuk ka fonde për renovimin e rreth 40 banesave në Mitrovicën e Veriut dhe se për to pret ndihmë nga Ministrisa e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin tha se Mitrovica e Veriut është vetmja komunë që nuk ka ende Zyrë për Komunitete.
Nënkryetarja e kësaj komune, Katarina Agjançiq tha se kjo zyrë pritet të hapet në vitin 2025.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë.