Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri
"Jeta në Komunë": Gazmend Muhaxheri përballë premtimeve të dhëna para qytetarëve e akuzave të asamblistëve opozitarë
I pari Pejës, Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kur po garonte për kryetar komune dha një mori premtimesh para qytetarëve. Njëjtë si kryetarët e komunave të tjera edhe Muhaxheri u përball me premtimet e tij dhe opozitën në debatin “Jeta në Komunë”.
Mungesa e ujit të pijes, infrastruktura, arsimi, shëndetësia, turizmi, janë disa prej temave me të cilat u sfidua qeverisja e Muhaxherit në debatin “Jeta në Komunë”.
Ky e kapi në rrenë Krypometri kryetarin e Pejës?
Para zgjedhjeve të fundit lokale, Gazmend Muhaxheri i LDK-së premtoi parqe, rrugë e parkigje. Tri vite pas, Krypometri konstatoi se jo të gjitha premtimet e dhëna, ishin realizuar.
Në vitin 2021, Muhaxheri tha se Peja do të jetë kampione në parqe, duke premtuar se qyteti do t’i ketë edhe dy parqe me hapësirë rreth 40 hektarë, për çka tha se do të jetë “Parku i Shëndetit” dhe “Parku i Pishave”. Verifikimi në teren tregon se projektet ende nuk janë përfunduar.
“Projektet në ndërtimet e ‘Parkut të Shëndetit’ dhe ‘Parkut të Pishave’ nuk ka filluar. Këto parqe janë ekzistuese dhe nevojiten investime.” – thuhet ne përgjigjen me shkrim të Komunës së Pejës.
Në vitin 2021, kryetari, qytetarëve të Pejës u premtoi edhe kanalizimin në lagjen “7 shtatori”. Krypometri gjeti se kanalizimi në këtë lagje ka përfunduar mirëpo në Vitomiricë ende janë duke u zhvilluar punime.
“Na kemi thanë që e përfundojmë në lagjen “7 shtatori”, Vitomirica nuk mundet me u lidhë në kanalizim, është vetëm një pjesë e sipërme që llogaritet si zonë kadastrale, të gjithë mendojnë që është Vitomiricë, por është Brestovik, domethënë ajo pjesë mundet me u lidhë, nuk kemi punu për me e lidhë atë pjesë”- tha kryetari.
Muhaxheri u premtoi qytetarëve të Pejës edhe 1 mijë parkingje ku do të ndërtoheshin një tek shkolla komerciale dhe tjetra tek Stacioni i Autobusëve. E Krypometri “vulosi” se në Pejë gjatë këtyre tri viteve nuk janë ndërtuar 1 mijë parkingje. Siç thuhet në përgjigjen e komunës, gjatë këtij mandati janë ndërtuar gjithsej 180 parkingje të reja, ndërsa parkingu tek shkolla komerciale thonë se nuk është ndërtuar ende. Për këtë kryetari dha një arsyetim.
“Nuk është kry, sepse jemi duke u marrë me procedura të shpronësimit, janë edhe tri prona që duhet me i shpronësu, ndërsa për momentin aty është shkolla ose fakulteti “Haxhi Zeka”, po besojmë që vitin tjetër dalin në objektin e ri te ish-kazermat dhe mandej komunës i ipet mundësia për me e ndërtu këtë parking”- u shpreh kryetari.
Premtim tjetër i Muhaxherit ishte edhe krijimi i Qendrës për ‘Start Up’ që në atë kohë thoshte se do të përfundonte brenda dy vitesh. As ky premtim i kryetarit nuk është realizuar ende.
“Qendra për Start Up nuk është krijuar ende. Megjithatë, gjatë këtij viti, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka ofruar subvencione për Start Up – duke mbështetur bizneset e reja e inovative në Pejë, si pjesë e angazhimeve tona për zhvillimin ekonomik” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Pejës.
Për këtë premtim të parealizuar, Muhaxheri tha se fajtorë është niveli qëndror i qeverisjes.
“I kemi dorëzu qeverisë së re këkrkesën për me i hjekë pronat prej shitjes së AKP-së edhe që dy vjet e gjsymë nuk kemi marr përgjigje prej Qeverisë”- u shpreh Muhaxheri.
Ndërkaq premtim tjetër i mbajtur nga kryetari është ai për projektin për ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale, për të cilën Krypometri verifikoi se është përfunduar dhe se është funskionale. Po ashtu kryetari premtoi edhe ndërtimin e rrugës tek “Podi i Jakupit”.
Mirëpo, tri vite pas, verifikimi në teren konstaton se rruga “Podi i Jakupit” në Qafhajl ende nuk është përfunduar. Edhe publikimin e listës së uzurpatorëve, në vitin 2021, kryetari Muhaxheri tha se në mandatin e tij, kjo listë do të publikohet. Mirëpo, në faqen e komunës lista nuk është ende publike.
Projekti i ujësjellësit “mollë sherri” në Asamblenë e Pejës
Në debatin “Jeta në Komunë”, Gazmend Muhaxheri u përballë me kritika të ashpra nga partitë opozitare lidhur me çështjen e ujit të pijes në Komunën e Pejës. Ishte asamblisti nga radhët e AAK-së, Labinot Panxha, i cili ngriti çështjen e projektit të ujësjellësit të Lugut të Baranit për të cilin tha se tash e 12 vite që ka nisur ende nuk ka përfunduar si projekt.
“Më lejoni t’ia rikujtoj kryetarit një projekt madhor që e kap shumën 3.5 milionë euro, është fjala për projektin e ujësjellësit të Lugut të Baranit, i cili ka filluar në vitin 2012 dhe po bëhen 12 vite të qeversjes së këtij pushteti dhe ky projekt ende nuk është përfunduar”- tha Panxha.
Sipas tij, nga ky projekt presin të furnizohen mbi 15 fshatra të Lugut të Baranit dhe se për shkak “të pazareve politike të partive të kualicionit në pushtet”, ky projekt rrezikon të dështoj. I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit, i cili pretendoi se projekti i ujësjellësit është ndalur për shkak të intervenimit të personave të caktuar.
“Ka pasë shumë intervenime që ky projekt mos me u kry, intervenimi i fundit është që në planin hapësinor të Bjeshkëve të Nemuna, pika ku kemi pasë me e marrë na ujin është shpallë zonë strikte”- deklaroi Muhaxheri.
Ai fajin e hedhi te Ministria e Planifikimit Hapësinor për çka thotë se projekti i ujësjellësit është stopuar për shkak se zona ku ka qenë e planifikuar të zbatohet projekti, është shpallur zonë strikte nga Ministria. Mirëpo, Muhaxheri thotë se nuk ka pasur arsye të ndodhë një gjë e tillë.
“Nuk mundet me pasë asnjë arsye (ministria), sepse ne jemi kanë të orientum dhe jemi kanë t’u punu me shku me marrë ujin në Shushicë, kur ata e kanë shpallë atë zonë strikte të mbrojtun”- u shpreh ai.
Sipas kryetarit, plani zhvillimor për këtë komunë që e ka hartuar ministria, shkruan se Komuna e Pejës do ta marrë ujin në Shushicë dhe për ujitje. Për këtë rast, Muhaxheri njoftoi se rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale.
“E ka pasë të shkruar ai zotniu aty, ka thanë hiqeni se duhet me ja ndalë këtij ujësjellësin edhe tash çka ka ndodhë, kryetari i komunës është dorëzu në prokurori edhe ne s’mundemi që dy muaj ditë me punu. E kemi buxhetin për me përfundu projektin, prokuroria e nën presion të njerëzve që i ke përballë këtu thotë “ngritni kallëzim penal ndaj kryetarit se ka punu në park nacional”, tash lënda është në Prokurori Speciale”- deklaroi kryetari.
Edhe asamblisti nga AAK, Labinot Panxha vazhdoi tutje debatin me kryetarin për projektin e ujësjellësit.
“Në vendin ku ky pretendon që duhet të kapet ai gyp, nuk ka ujë dimrit se lëre më verës, pra është shpenzim i kotë me shku deri aty, përveçse është zonë e mbrojtur”- tha Panxha i AAK-së.
Kryetari duke pretenduar se njerëz të AAK-së kanë intervenuar për t’a shpallur zonë strikte, asamblistit i’u përgjigj duke i thënë se “çfarë zori keni pasë për me shpallë atë zonë strikte”.
“Me mu s’ta qet, i dijë edhe njerëzit kush janë edhe çka kanë bërë edhe krejt”- shtoi tutje kryetari.
Muhaxheri tha se tashmë që rasti ka kaluar në procese gjyqësore, projekti ka dështuar.
“Këta munden me u marr me mua në prokurori, ne shkojmë në gjyq në fund të fundit, ekziston gjyakata, e cila mandej e vendosë kush ka pasë të drejtë, por deri sa të vendoset kush ka pasë të drejtë, projekti dështoj”- shtoi Muhaxheri.
Edhe asamblisti tjetër nga AAK- ja në Pejë, Naim Bytyqi akuzoi Muhaxherin nga LDK-ja se gjatë qeverisjes së tij, shumë vendbanime kanë mbetur pa furnizimin me ujë.
“A e merr gjumi kryetarin e komunes ku 40% e fshatrave e zonave të banume janë pa ujë edhe 40% ose 50% e vendbanimeve janë pa rrymë me ndërprejre enorme të energjisë elektrike”- tha Bytyqi.
Përveç ujit të pijes, Bytyqi drejtoi gishtin nga kryetari edhe për mungesën e energjisë elektrike në Pejë.
“Kryetari e ka subvencionu KEDS-in për instalimin në Rugovë rreth 1 milion euro, ndërsa gjysmën e popullatës i ka lanë në probleme të mëdha me energji elektrike” – deklaroi Bytyqi i AAK-së.
Kryetari këtë e arsyetoi duke thënë se ky investim është bërë me qëllim për të zhvilluar turizimin në këtë komunë.
“Na jemi komunë që mëtojmë me e zhvillu turizimin, turizmi në bjeshkët e Rugovës nuk zhvillohet pa rrymë, nuk mundemi me i çu njerëzit në bjeshkë mos me pasë rrymë, mos me pasë wi-fi, KEDS- nuk investon aty nëse nuk ka interes”- u përgjigj Muhaxheri.
Ndërkaq për çështjen e furnizmit me ujë, Muhaxheri përsëri vazhdoi me kundërpërgjigjet e tij ndaj opozitarëve të AAK-së duke thënë se asamblistët e kësaj partie po drejtohen nga njerëz të tjerë për të shfaqur këto kritika në Asamblenë Komunale.
“Ky veç tupanit i mëshon, tjetër kënd e ka mbas”- tha Muhaxhiri për Bytyqin e AAK-së.
“Zona u çelë para se ajo me qenë zonë e mbrojtur domethënë projekti është punu para se ajo me u shpallë zonë strikte e mbrojtur dhe këtu qëndron djallëzia e atyre njerëzve, ata nuk duhet me i zanë gjumi se qysh ju ra në mend që ajo zonë qenka e mbrojtur kur ne si komunë s’e kemi ditë, pra kush ke ai njeri që e diti… e kryjti ujin kryetari se tash i kanë mbetë edhe 500 metra me u lidhë ne burime dhe t’ia bojmë zonë strikte”- shtoi kryetari Muhaxheri.
Sipas kryetarit, Lugu i Beranit nuk është dashur të shpallej si zonë strikte nga ministria, pasi sipas tij, në Komunën e Pejës ka mjaft vende të tjera të cilat duhet të shpalleshin si zonë e tillë nga niveli qëndror.
“Pse duhet ai vend me u shpallë strikt e mos me u shpallë vendet më të bukura të Rugoves vende strikte… pse se kanë shpallë zone strikte vendin ku jeton luqerbulli, qeto s’i kanë shpallë këta zona strikte, hajde t’i bëjmë dëm komunës së Pejës edhe kryetarit”- u shpreh Muhaxheri.
Opozita në Pejë, nuk i “lëshoi rrugë” kryetarit gjatë debatiit lidhur me çështjen e ujit, pasiqë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, akuzat ishin të ngjashme. Asamblisti i LVV-së ,njëherit edhe këshilltari i ministrit të Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliut, Berat Ganiqi i’u drejtua kryetarit me akuza. Sipas tij, vetë kryetari nuk ka qenë i interesuar për të lexuar në detaje planin hapësinor të këtij projekti nga ministria.
“Sa i përket zonës së mbrojtur, plani hapësinor kur ka shku në Kuvend, LDK-ja ka pasë deputetë, po ashtu edhe kryetari me pasë qenë pak më shumë i interesum e kish lexu atë plan hapësinor e kish këqyr çka po i shkon në zonë të mbrojtur edhe u shku u miratu. Nuk ka mujtë me u çelë rruga e mandej me u shpallë zonë strikte, qe 12 vjet po thotë jam kanë tu u marrë me plan hapësinor”- tha Ganiqi.
Ashpër iu kundërpërgjigj Muhaxheri asamblistit të LVV-së duke ia përmendur nënshkrimin e kontratave njëburimore e duke i quajtur pjesëtarët e qeverisë Kurti si “praktikantë”.
“Unë kam thanë veç nuk mundem me u marr vesh qeverinë e këtyre praktikantave, sepse nuk bëhet me këta. Këta kur s’dojnë me bo zgjidhje ta prejnë thonë ‘s’bohet është ligji…’. I kanë bo 200 kontrata njëburimore, s’e kanë vetë ligjin tash kur është puna për komunën diçka me bo, ‘s’po e lejojka ligji’”- Tha Muhaxheri.
Ndërkaq, Ganiqi i LVV-së i’u drejtua kryetarit duke i thënë se 12 vite nuk kanë punuar në projektin e ujësjellësit në Pejë, edhe para se të shpallej si zonë strikte nga ministria.
“Po shihet kush është praktikant, para 12 viteve kanë marrë vendim, s’kanë ditë as çka kanë marrë vendim, pas dy muajve menjëherë e kanë fillu projektin Boreja” – tha Ganiqi.
Tutje, sipas kryetarit, projekti i ujësjellësit, Boreja nuk është pjesë e garës së tij politike.
“Me Borenë unë jam në garë veç me dikënd tjetër që nuk është person politik, juve s’ju bëj hesap. Boreja nuk është pjesë e garës politike, asnjëherë nuk ka qenë”- deklaroi Muhaxheri.
“Rugë në grurë e kollomoq”
Përveç furnizmit me ujë të pijes, në sallën e Asamblesë së Pejës, qeverisja e Muhaxherit u kritikua nga opozita edhe për infrastrukturë, arsim e kulturë. Asamblisti nga AAK, Drin Veseli, deklaroi se komunarët e Pejës kanë ndërtuar rrugë “vend e pa vend”.
“Infrastruktura është mjerim, kanë shtru rrugë e rrugica edhe nëpër kollomoq e nëpër grurë” – tha Veseli.
Sipas tij, komuna ka shtruar “rrugë të parëndësishme” pa i përfunduar ende rrugët në qytete apo siç i quajti ai, rrugët primare.
Veseli tutje përcolli kritika edhe për ndarjen e bursave për studentë, shumën e së cilave e krahasoi me drekat e darkat e kabinetit të kryetarit të komunës. Ndërsa për fushën e kulturës në Pejë ai tha se “është një tmerr i jashtëzakonshëm”.
“Nëse flasim për kulturë e kemi një tmerr të jashtëzakonshëm, shoqëritë kulturore asnjëra prej tyre nuk funksionon as nuk përkrahet, vetëm me mejet vetanake. Nëse e shohim përkrahjen e studentëve për 12 vite i ka jep 12 bursa nga 1 mijë euro që në barazim janë dy darka që këta i hajnë dmth pushteti”- shtoi Veseli.
I menjëhershëm ishte reagimi i drejtoreshës së Kulturës në Pejë, Xhenet Syka – Kelmendi.
“Për herë të parë në Komunën e Pejës po restaurohen objektet kulturore si duhen të restaurohen, me norma dhe standarde dhe në tre vitet e fundit nuk mbahet në mend në historikun e pushtetit që nga vitit 1999 që Komuna e Pejës të ketë ndarë më tepër subvencione për kulturë, rini dhe sport”- deklaroi Syka – Kelmendi.
Ndërkaq, sipas asamblistit opozitar, Drin Veseli, edhe shoqëritë kulturore artisike në Pejë po shuhen për shkak të mungesës së përkrahjes financiare nga komuna. Madje Veseli pretendoi se Shoqëria Kuluturore Artistike “Përparimi” nuk aplikon fare në thirrjet e Drejtorisë për Kulturë pasi ndjehen të zhgënjyer.
“Nuk kanë qysh me apliku kur e kanë të humbur shpresën. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport i kanë pasë zyret ku ata kanë ushtru edhe prej aty i kanë largu, nuk i kanë subvencionu”- tha Veseli.
Për këtë, drejtoresha e Kuturës tha se të gjitha shoqëritë artistike kulturore e kanë derën e hapur dhe se i kanë zyret e tyre në katin e tretë të Pallatit të Kulturës.
“Shoqëria kulturo-artistike që katër vite nuk ka konkuruar në thirrjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, sepse janë gjëra publike”- tha ajo.
Veseli përmendi edhe Korin “Siperantum” të Pejës, për të cilin tha se ndonëse kanë korrur suksese të mëdha në botë, ata financohen me mjete vetanake.
“Na e kemi rastin kur Kori “Siperantum” është në nivel botëror, ndër koret më të forta e të cilët në shumicën e kohës kanë vepru me mjete vetanake”- tha Veseli.
Ndërkaq, drejtoresha Syka-Kelmendi për Korin “Siperantum” thotë se e ka mbështetur me shumën maksimale të ndarë prej subvencioneve.
“Siperantumi është nga formacionet që suportohet më së shumti në konceptin e vlerës financiare, por Komuna e Pejës e merr maksimumin 10 mijë euro, sikurse e marrin edhe kampionët e artit olimpik, në fakt Komuna e Pejës nuk ka buxhet sa ka Ministria për Diasporë që e suporton Siperatumin”- tha Syka – Kelmendi.
Cila është cilësia e punëve të promovuara në rrjete sociale?
Gjatë tri viteve të këtij mandati në krye të Pejës, Gazmend Muhaxheri u kujdes që të promovonte me fotografi e pamje investimet e komunës. Mirëpo në mesin e këtyre investimeve, ekipi i KALLXO.com zbuloi se pati mangësi, cilësi të dobët të punimeve e projekte të pakryera.
Në maj të vitit 2024, kryetari kishte shpërndarë disa fotografi duke thënë se shkolla në fshatin Poqestë do të hapej më 1 shtator 2024, mirëpo shtatori nxënësit nuk i gjeti në këtë shkollë. Kjo pasi punimet në objektin e kësaj shkolle ende nuk kishin përfunduar. Sipas Muhaxherit, përmbaruesi i ka marrë paratë për këtë projekt dhe se për disa muaj s’kanë mundur të punojnë në këtë objekt.
“Për Kontratën Kolektive janë marrë (paratë) se përndryshe shkolla ish kanë e kryme. Jemi dashtë me i kthy prej projekteve të tjera për me mujtë me e vazhdu shkollën, po besojmë që jemi afër me përfundu, kanë mbetë edhe disa punë finale pa përfundu”- tha kryetari.
Projekti tjetër që promovoi Muhaxheri ishte ai i objektit të gjimnazit “Bedri Pejani”. Kryetari në vitin 2021 shkruante se kishin filluar punimet në këtë shkollë, mirëpo edhe pas tre vite e gjysmë, punimet ende nuk kishin dalur as në katin e dytë të objektit.
Në vitin 2023, Muhaxheri shkruante se në afërsi të Poliklinikës Stomatologjike po shtohet një hapësirë e re sportive. Ndërkaq, ende pa u bërë një vit prej kur është promovuar nga kryetari, koshat e kësaj fushe ishin dëmtuar. Në fushë kishte edhe blloqe ndërtimi dhe gurë të tjerë që vërtetonin se kjo fushë ishte pamirëmbajtje.
Në vitin 2023, i pari i Pejës promovonte edhe investimet në Grykën e Rugovës, ku thoshte se ka përfunduar shtrimi i gjashtë kilometrave rrugë nga Kushutani që vazhdon në Pepaj. Por, ekipi i KALLXO.com në teren, pa gjendje ndryshe nga ajo se si ishte promovuar në Facebook. Kjo për shkak se kjo rrugë malore kishte plasaritje e në pjesët kur ishte intervenuar në rrugë, vetëm ishin hedhur në hapësirat e saj e që vëreheshin ende.
“Çka e kemi vërejtë kur është asfaltu, janë tri pjesë apo katër, ujërat nëntokësore nuk kanë mujt me u largu. Ujërat nëntokësore që rrjedhin përgjatë kësaj rruge, operatori nuk ka pasë shanse me i largu edhe ka përfundu projekti dhe nuk kemi mujt me e zgjidhë këtë problem”- u arsyetua Muhaxheri.
Për çështjen e ndërtimit të shkollave, asamblisti i LVV-së, Nezir Jahmurataj, tregoi për problemin e dëpërtimit të ujit në shkollën e muzikës, që sipas tij ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit.
“I kemi dy shkolla në pushtet të kryetarit Gazmend Muhaxheri në të cilat kemi humbë shumë pare, është shkolla e muzikës e cila për shkak të planifikimit jo të mirë të inxhinierave të ujit, na ka dalë uji edhe krejt bazamenti i betonit si anije u bo”- tha Jahmurataj.
Për këtë tregoi edhe vetë kryetari Muhaxheri, i cili tha se dëmi i shkaktuar nga depërtimi i ujit në këtë shkollë është 97 mijë euro.
“Neve na ka shpërthy gypi i ujësjellësit, brenda natës edhe e ka dëmtu bodrumin, e cili e ka pasë një sallë që ka qenë e planifikume për 180 vende në bodrumin e shkollës së muzikës. Salla për 180 vende ka humbë se mo s’kemi me e bo, kanë shku huq dikund rreth 97 mijë euro”- tregoi kryetari.
Tutje, kryetari njoftoi se e ka paditur ndërmarrjen “Hidrodrini” dhe se e kanë fituar gjykimin.
“Por nuk është kurgjo që e kemi fitu gjykimin, sepse ne e kemi humbë një sallë super moderne për atë shkollë, tash shkolla e ka një sallë moderne me 90 ulëse dhe është shkolla më e mirë në Republikën e Kosovës”- shtoi ndër të tjera Muhaxheri.