
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, Foto: KALLXO.com
Ruzhdi Shehu sfidohet me projektet që ka promovuar në Junik
Në emisionin “Jeta në Komunë” përveç matjes së premtimeve, monitorohen edhe punët e kryera nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Në rubrikën “Pas shiritit” projektet e promovuara nga kryetarët e komunave në rrjetet sociale, verifikohen në terren nga hulumtuesit e KALLXO.com, nëse janë realizuar dhe a e kanë cilësinë ashtu siç edhe janë promovuar.
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, u përball në “Jeta në Komunë” me disa prej projekteve që ka promovuar. Funksionalizimi i Stacionit të Autobusëve në Junik ishte prem i Ruzhdi Shehut në debatin përballë Jeta Xharrës në fushatën zgjedhore të vitit 2021 por edhe projekt i promovuar në rrjete sociale nga ai.
Më 24.12.2022 kryetari Ruzhdi Shehu kishte publikuar disa fotografi gjatë përurimit të Stacionit të Autobusëve në Junik. Postimi i kryetarit Shehu në Facebook ishte pëlqyer nga qytetarët madje kishte marrë edhe lavdata për këtë investim. Por në terren ekipi i “Jeta në Komunë” ka parë një pamje tjetër prej asaj që kishte promovuar Shehu në Facebook.
Stacioni i Autobusëve më 29.09.2024 kur ishte ekipi i KALLXO.com ishte në terren, ishte i mbyllur ndërsa objekti ka nisur të ketë edhe probleme për shkak se xhamat ishin të thyer, karriget të demoluara e të thyera ndërsa brenda objektit u pa se i njëjti nuk ishte i mirëmbajtur.
Një tjetër projekt ambicioz i Shehut i promovuar në rrjete sociale ishte edhe nisja e punëve për asfaltimin e segmentit rrugor Gjocaj-Livadh i Madh. Postimi shpërfaqi shtatë fotografi dhe njoftimin që ky projekt është ndër më të rëndësishmit për zhvillimin ekonomik.
Ky postim i kryetarit u pëlqye nga 370 qytetarë që e lavdëruan për punën e tij. Rruga e promovuar në rrjetet sociale është dëmtuar pak muaj pasi është asfaltuar. Ekipi i “Jeta në Komunë” shkoi për ta parë nga afër këtë rrugë dhe pa se kishte nisur që rruga të shembet në qoshe si dhe të ketë plasaritje në mes.
Parku i lojërave pranë lumit Erenik ishte një tjetër projekt i promovuar nga kryetari Shehu. Ndonëse projekti ishte iniciuar nga komuna, investimin e kishte bërë KFOR-i. Një vit pasi ishte përuaur ky park, ekipi i “Jeta në Komunë” gjeti se hapësira ka nisur që të ketë problemet e para, pasi që disa nga lojërat ishin dëmtuar e pati të tilla që ishin gjuajtur edhe në lumin Erenik.
Një tjetër park i lojërave në të cilin kishte marrë pjesë në përurim kryetari Ruzhdi Shehu ishte edhe ai në lagjen Miroci. Më 28.12.2023 kryetari Shehu kishte njoftuar për investimet në park në të cilin kishin investuar një organizatë dhe nga komuna. Gjendja e parkut gjatë muajit shtator 2024, ka qenë jashtëzakonisht e rëndë. Luhatëset kanë qenë të prishura, lojërat e tjera të prishura, mbeturina në gjithë hapësirën e parkut e bari i rritur. Gjithashtu parku është afër trafos elektrike në të cilën lehtë kanë qasje fëmijët për shkak se kishte dyert e hapura.
Në qershor të vitit 2024, Ruzhdi Shehu promovoi përmes shtatë fotografive investimet në trotuaret në Junik. Në fotografi u tregua se anësoret e trotuareve ishin të cilësisë së dobët. Përkundër këtij postimi u pëlqye nga 184 qytetarë dhe disa prej tyre lavdëruan punët që po bëheshin. Tre muaj më vonë investimi i komunës del të jetë i cilësisë jo të duhur pasi trotuaret janë çarë në disa pjesë. Në terren ekipi i “Jeta në Komunë” gjeti se ende ka kubëza apo anësore të dëmtuara dhe të shembura për shkak se nuk janë vendosur mirë.